Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani kritikon BE

Presidentja e Kosovës,  Vjosa Osmani, që mori pjesë në samitin BE-BP, publikoi një deklaratë të enjten 19.12 nga zyra e saj, ku thuhet se samiti “BE-Ballkani Perëndimor mbetet një platformë e rëndësishme për rajonin”, duke treguar se çfarë theksoi në takim. “E ardhmja e Kosovës në BE është e pashmangshme e për ne mbetet një angazhim i çdoditshëm. Nëse respektohet parimi i meritokracisë, ashtu siç proklamohet, atëherë duhet të ecet përpara me hapa konkret në këtë rrugëtim, duke filluar me trajtimin e menjëhershëm të aplikacionit tonë për anëtarësim dhe heqjen e masave ndaj Kosovës, të cilat janë të padrejta dhe joevropiane”, thuhet në deklaratën e Osmanit. Ajo tërheq vërejtjen, se “nuk mund të ketë integrim të suksesshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor nëse vazhdimisht rrezikohet paqja dhe siguria. Prandaj, llogaridhënia e Serbisë për aktet e vazhdueshme të agresionit ndaj Kosovës është kyçe”.

“Pavarësisht sfidave, Kosova nuk heq dorë nga integrimi në institucione euro-atlantike, sepse mbi të gjitha ky është vullnet i popullit tonë’, ka theksuar Osmani. Që para fillimit të Samitit BE-BP, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, kritikoi Bashkimin Evropian se është i “padrejtë” ndaj Kosovës në politikat e tij, duke mos i hequr masat ndëshkuese ndaj saj dhe duke mos treguar gatishmëri për ta shqyrtuar kërkesën e saj për anëtarësim në bllok”.

Mediet në Prishtinë ndërkaq, publikojnë një letër që Presidentja Vjosa Osmani, u ka dërguar vendeve anëtare të BE-së duke shprehur rezerva me deklaratën BE-Ballkani Perëndimor pasi që sipas letrës, “nuk dënohen aktet terroriste në veri të Kosovës”. Në letrën e Osmanit, thuhet se Kosova “shpreh zhgënjimin e saj pse Deklarata nuk dënon aktin e agresionit dhe terrorizmit ndaj Kosovës, të kryer më 24 shtator 2023 nga grupi paramilitar dhe terrorist, me mbështetje logjistike dhe politike nga Serbia”. Po ashtu në letrën e Osmanit tërhiqet vërejtja se, “Kosova i ka ndërmarrë hapat e duhur për uljen e tensioneve në veri dhe përkundër kësaj nuk janë hequr masat ndëshkuese ndaj Kosovës, e në anën tjetër nuk janë ndërmarrë masa ndaj Serbisë për aktet e përsëritura të agresionit”.

SHKARKO APP