Presidentja Osmani mbron Kurtin për vizitën në Tetovë: U keqkuptua, kemi vullnetin të tejkalohet

Vizitën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Tetovë, presidentja Vjosa Osmani e ka cilësuar si një keqkuptim. Për të shfaqja e flamurit të “Shqipërisë etnike” në mesin e përkrahësve të Kurtit në Tetovë është thjesht lëvizje e një qytetari dhe jo diçka e organizuar.

“Kjo besoj që është një keqkuptim i vogël, që kur kemi vullnet të dyja palët, siç e kemi dëshmuar gjithnjë, tejkalohet, duke e ditur që të gjitha institucionet e Kosovës janë të interesuara vetëm për marrëdhënie pozitive gjithnjë në rritje me Maqedoninë e Veriut”,-tha Osmani.

Zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu thotë se vizita e Kurtit në Maqedoninë e Veriut u bë me ftesë të kryetarëve të komunës së Cairit dhe atij të Tetovës. Faktorët politikë maqedonas po e shohin si nacionaliste paraqitjen e Kurtit, gjatë fjalimit të të cilit, para mijëra përkrahësve në Tetovë shfaqej publikisht një flamur i “Shqipërisë etnike”.

SHKARKO APP