Prezantohet Plani Kombëtar i Veprimit për Rininë, Klosi: Nxitje të rinjve në vendimmarrje
Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, me mbështetjen e Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsinë, prezantuan Planin Kombëtar të Veprimit për Rininë.
Ministri i Mirqenies Sociale dhe Rinisë Blendi Klosi theksoi gjatë prezantimit se ky është një projekt- plan për t’u paraqitur të gjithë së bashku në tregun e ri të punës, në kuadër të së cilit janë firmosur dy marreveshje bashkëpunimi me ministrinë e Kosovës dhe atë të Serbisë.
Klosi prezantoi 6 pikat e planit në mënyrë të detajuar, ku një rëndësi shumë të veçantë, ashtu siç e ka shprehur edhe më parë, e zë nxitja e sa më shumë të rinjve të zgjedhin të studiojnë së më shumë në shkollat profesionale.
“Ky është një plan i bashkërenduar edhe me të rinjtë e shtresave në nevojë, të cilët presin një ndihmë nga ana e qeverisë.
Ky plan vjen i miradministruar me të gjitha problemet. Është një plan i bazuar mbi një projekt konkret buxhetor, të cilat mbulojnë 70 % të këtij plani.
Plani është një kërkesë e kohës për të krijuar ura lidhëse midis shoqatave rinore anë e mbanë vendit. Është një plan për t’u paraqitur të gjithë sëbashku në tregun e ri të punës”, tha Klosi.
Projekti, nënvizoi Klosi, është ndërtuar në 6 kolona, si një punë e përbashkët midis disa strukturave të shtetit shqiptar.
1. Nxitja e pjesëmarrjes së të rinjve në proceset e vendimarrjes. Kjo kërkon përveç vullnetit të tyre edhe mbështetje të institucioneve dhe ne po e mundësojmë këtë. Në garën e fundit të pushtetit vendor kemi një numër shumë të madh të rinjsh pavarsisht ngjyrimeve politike të cilës ata i përkasin.
2. Nxitja e punësimit të të rinjve nëpërmjet politikave efektive që kërkon tregu i punës. Diplomat duhet të gjejnë evaluimin e tyre, ndaj duhet të gjejmë mundësi që të futen në tregun e ri të punës.
3. Shëndeti, sporti dhe mjedisi. Nuk duhet të presim që rinia të vuaj nga sëmundje që vijnë nga mosaktivizimi në sport. 44 ambjente sportive janë krijuar në qarqet e vendit.
4. Edukimi i të rinjve. Ka të bëjë me arsimimin profesional. Do ta transferojë këtë arsim sepse Shqipëria ka nevojë për djem dhe vajza të kualifikuar për të qenë të gatshëm për tregun e punës. Shkollat profesionale do të kthehen shumë shpejt në shkolla shumë më të kërkuara.
5. Mbrojtja sociale. Ka të bëjë drejtpërdrejtë me ata të rinj, të cilët kanë nevojë për dorën e shtetit. Do të bëjmë të mundur edhe aktivizimin e tyre
6. Kultura dhe vullnetarizmi. Për të qënë një shoqëri më shumë e edukuar dhe e lexuar dhe që ecën përpara ky do të jetë qëllimi dhe sfida jonë.
Ndërsa zv/kryeministri Niko Peleshi theksoi gjatë fjalës së tij se qeveritë e mëparshme kanë dështuar në nxitjen e punësimit, ndërsa qëllimi ynë shtë të nxisim punësimin e të rinjve.
“Kemi dhjetra apo mijëra vende pune nga sipërmarrës që nuk gjejnë dot të rinj për të punësuar, pasi ka munguar arsimi profesional. Ne po përpiqemi t’i japim prestigjin e merituar dhe do t’i japim interesin e shtuar arsimit profesional tek të rinjtë shqiptar. Që në vitin e parë është rritur interesi tek shkollat profesionale dhe kjo na bën optimistë për të ecur përpara në këtë drejtim”, tha Peleshi.
Ai shtoi se rrjeti i zyrave të punës ishte një nda nismat e para që do të vazhdojë duke shtuar numrin e zyrave të punës.
Duke folur për terrenet sportive, Peleshi theksoi se kemi financuar terrene sportive të standardeve shumë të larta dhe do të vazhdojmë të shtojmë numrin e terreneve sportive.