Primaret, shpallen shumë kandidatë. Ende jo Tirana dhe Durrësi
Procesi i votimit në Primaret e Sali Berishës, u mbyll zyrtarisht në orën 18:00, ndërsa në më pak se një orë kanë dalë rezultatet në shumë bashki. Në garën lokale të 1 majit 2023, emrat e mëposhtëm do të jenë kandidatët e PD-së së Sali Berishës.
Albert Malaj është shpallur fitues në bashkinë e Memaliajt, pasi ka marrë 300 vota, kundrejt Bukurosh Ajdinit me 20 vota dhe 4 vota te pavlefshme.
Në Selenicë kanë votuar në total rreth 350 anëtarë dhe simpatizantë të kësaj partie. Mësohet se Leonard Rakipaj është shpallur fitues teksa ka marrë 270 vota, ndërsa Jani Dapaj ka marrë 70, vetëm 10 vota për Dhurata Mecorapajn.
Në Gjirokastër, pas numërimit të votave, rezulton fitues Dorjan Lani, 291 vota, pas tij Enkelejda Mushi me 48 vota dhe Telnis Skuqi me 34 vota. Në primaret e Bashkisë Gjirokastër kanë marrë pjesë 373 persona.
Në Tepelenë, Baftjar Imeri ka marrë 109 vota, Hysni Kasëmi 71 vota dhe 3 vota të pavlefshme.
Në Bashkinë Këlcyrë, pas numërimit të votave, rezulton fitues Arjan Kasaj me 171 vota, përballë tij ishte Edmond Nano me 39 vota dhe 1 votë e pavlefshme.
Në Kolonjë, Et’hem Lumani nuk kishte rival në garë dhe është shpallur fitues me 100 përqind të votave nga 495 votues. Po ashtu, në të njëjtën mënyrë, pa rival, është shpallur fitues me 282 vota Adil Xhelili në bashkinë e Libohovës.
Për bashkinë Berat fitues doli kandidati Zija Ismaili. Mësohet se ai ka marrë 527 vota. Sazan Guri, kandidati tjetër ka marrë 32 vota ndërsa kandidatja Klejdi Spahiu ka marrë 80 vota. 3 vota kanë rezultuar të pavlefshme.
Në Poliçan ka pasur vetëm një kandidat të vetëm, për pasojë fitues është shpallur Behar Xhaferraj i cili ka marrë 92 vota, ndërsa 2 vota janë shpallur të pavlefshme.
Në Skrapar fitues është Euglen Mustafallari me 156 vota, i cili po ashtu ishte kandidat i vetëm.
Në Dimal është shpallur fitues Gentian Meci i cili ka arritur të sigurojë 187 vota kundrant 86 votave të Thoma Rumnicit.
Në Kuçovë, ku pati dorëheqje nga Brikena Koroveshi e vetmja kandidate përballë Lefter Maliqit, është mbyllur procesi i numërimit, ku me 339 vota është shpallur fitues Lefter Maliqi, ish-deputet i PD-së dhe tashmë pjesë e ish-LSI-së (Partia e Lirisë).
Në bashkinë e Shkodrës ka përfunduar numërimi, ku fitues është shpallur kryebashkiaku aktual, Bardh Spahia i cili ishte i vetëm në garë, duke marrë në total 1386 vota pro dhe 6 vota kundër.
Zef Hila është shpallur fitues në Vaun e Dejës duke siguruar në total 743 vota kundrej 117 votave të Kole Shabenit. Kështu Zef Hila do të lërë mandatin e deputetit, për të mundur të kandidojë në zgjedhjet lokale të 14 majit.
Në një njoftim të fundit, PD bën të ditur se në disa qendra votimi ka fluks dhe për këtë arsye procesi po vijon ende.