”Prishtina Gastronomy Festival”, Veliaj: Politika e mirë nuk i përçan njerëzit, por i bashkon

Nën moton “Bukë e kripë e zemërbardhë”, me këngë dhe valle popullore shqiptare ngriti siparin dhe edicioni i dytë i festivalit “Prishtina Gastronomy Festival”që do të zgjasë deri më 31 korrik. I pranishëm ishte dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, personalitete të rëndësishme nga dy vendet si dhe artistë të shumtë.

Veliaj theksoi se ato që na bashkojnë janë shumë herë më të rëndësishme se sa ato që na ndajnë. “Gjërat që na bashkojnë janë shumë herë më të rëndësishme dhe më të forta se gjërat që na ndajnë. Politikë e mirë nuk është politika që i përçan njerëzit, këndej dhe andej , është politika që i bashkon njerëzit”, nënvizoi Veliaj.

Ai shtoi se sot kombi shqiptar po jeton ditët më të mira që ka pasur ndonjëherë. “Ne kemi sot si komb ditët më të mira që mund të kemi pasur ndonjëherë. E di që jo çdo gjë është perfekte, jo çdo gjë funksionon siç do duhej, por jemi në ditët më të mira të historisë tonë. Kosova është e pavarur, Kosova është e lirë, Kosova sot është Kryeqyteti i kulturës me Manifestën. Jam i privilegjuar që sot është Tirana që e hap këtë Festival fantastik të Gastronomisë. Ky është një aktivitet për të mbushur zemrën, shpirtin tonë”, deklaroi Veliaj.

“Prishtina Gastronomy Festival” bën bashkë qytete dhe kultura nga i gjithë rajoni, ku shumëllojshmëria e ushqimeve, recetave, këngëve e valleve, synojnë të ofrojnë argëtim për gjenerata të ndryshme. Nata e parë e festivalit u ndez nën tingujt e këngëve të Merita Halilit dhe Raif Hysenit, ndërsa gjatë ditëve në vijim në këtë festival do performojnë edhe grupe të ndryshme dhe këngëtarë nga Tirana, Vlora, Struga e qytete të tjera. Po kështu, emra të njohur të gastronomisë, kuzhinierë me përvoja ndërkombëtare do të gatuajnë çdo ditë shije të ndryshme dhe unike të ushqimit.

SHKARKO APP