Priten reshje të dendura shiu në të gjithë vendin. IGJEUM: Në veri ka rrezik përmbytje

Ditën e sotme, i gjithë vendi do të përfshihet nga reshje të dendura shiu. Sipas Institutit të Gjeoshkencave situata në veri të vendit pritet të jetë problematike, kryesisht në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër dhe Lezhë. Në zonat urbane, në këto qarqe mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së kanalizimeve. Gjatë ditës reshjet do të jenë me intensitet të ulët, por në mbrëmje do të intensifikohen.

Nga mëngjesi është bllokuar rruga e Prekalit në Shkodër për shkak të rrëshqitjes së dherave. Ndërkohë sipas Institutit të Gjeoshkencave, në këto zona mund të ketë vërshime të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave. Ndërkohë në Portin e Durrësit është bllokuar dalja në det e peshkarexhave dhe anijeve me tonazh të vogël si pasojë e motit të keq.

Gjithashtu pritet një rritje e prurjeve të lumenjve kryesore, veçanërisht në lumenjtë Drin-Buna dhe liqenin e Shkodrës. Për këtë arsye, Ministria e Mbrojtjes u kërkon Bashkive marrjen e masave në rast të përkeqësimit të situatës. Në zonën e Alpeve parashikohen reshje tepër të dendura dëbore në formën e stuhive të dëborës. Ndërsa në zonat malore në lartësinë mbi 800-900 metra reshje dëbore me intensitet të ulët.

SHKARKO APP