Pritja e Bashës në Korçë, PD i kthehet Ramës: Humbja e zgjedhjeve të bërë nervoz, ndaj po sulmon takimet tona elektorale
Kryeministri Edi Rama vijon të shqetësohet nga popullariteti në rritje i përkrahjes së shqiptarëve të kreut të opozitës Lulzim Basha. Nisur nga mbështetja dhe pritja madhështore që korçarët i rezervuan kryedemokratit sot, Rama përpiqet që me çdo kusht të politizojë edhe një proces që duhej ta kishte nisur të paktën 3 muaj më parë, atë vaksinimit, kur Shqipërisë iu ofrua ndihma nga Rusia për furnizimin me dozat e vaksinave të nevojshme. I gjendur në këtë situatë, Rama në kuadër të fushatës elektorale dhe në përpjekje për ta zbehur popullaritetin e Bashës, Rama vijon ta akuzojë atë si shkaktar të infektimit masiv përmes tubimeve që ai po zhvillon në çdo qytet ku ai shkon. Shenjë e nervozizmit të kryeministrit është dhe shthurja e gjuhës që ai përdor ndaj Lulzim Basha në reagimin e tij në rrjetet sociale.
““Të gabosh është njerëzore, të këmbëngulësh në gabim është djallëzore”, thoshin latinët. Kjo këmbëngulje prej shejtanbudallai në fajin e kërcënimit të shëndetit të njerëzve për interesin mizerabël të një fushate edhe më mizerabël, me makina, bori, zhurmë e turmë, duke bërë përshesh në çdo shesh, është një djallëzi prej njerëzish pa vizion, pa karakter, pa përgjegjësi e as fije njerzillëku! Sot në Tiranë, ku vazhdon vaksinimi masiv e në Korçë, ku u krye një tjetër faj i shëmtuar infektimi masiv! (Lus Zotin që për dy a tre javë që i duhen virusit të kapë rrugët e frymëmarrjes, këta njerëz të verbër e të keqpërdorur, të mos përfundojnë spitaleve për mullaqet e Lulëzimit e për mustaqet e Saliut)”, u shpreh dje në reagimin e tij kryeministri Edi Rama.
Pas kësaj deklarate do të reagonte dhe selia blu.
“I kapur mat në panikun e humbjes, Edi Rama shqetësohet çdo ditë për mikpritjen e shqiptarëve për Lulzim Bashën. Edi Rama e ka kuptuar që shqiptarët duan ndryshimin dhe askush nuk e ndal dot më këtë. Humbja e zgjedhjeve e ka bërë nervoz dhe për këtë ai sulmon takimet tona elektorale. PD është parti që funksionon sipas rregullave dhe ligjeve në fuqi. Kërcënimet dhe keqinformimet e Edi Ramës nuk e ndalojnë dot rrugën drejt fitores së Partisë Demokratike. Në 25 prill Rama do të humbë dhe Shqiperia do të fitojë”, deklaron selia blu.