Procedimi nga policia, Noka: Nuk ka paqe politike deri në krijimin e qeverisë teknike
Sekretari i Përgjithshëm i PD dhe deputeti Flamur Noka ka reaguar pas procedimit të policisë në lidhje me protestën e një ditë më parë.
Me anë të një postimi në Facebook, Noka shkruan se nuk do të ketë paqe deri në krijimin e qeverisë teknike.
“Nuk ka paqe politike deri në krijimin e qeverisë teknike ! Shqiptarët do votojnë të lirë”, shkruan Noka, i cili ka publikuar edhe disa foto nga protesta e djeshme.
Kujtojme qe pas protestës së opozitës në Tiranë, ku u hodhën flakadanë e bomba molotov, janë proceduar penalisht, sekretar i përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, kreu i Grupit, Gazment Bardhi dhe sekretari organizativ, Ervin Minarolli.
Zyrtarët e PD-së u proceduan në gjendje të lirë për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”.
“U referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme” (neni 262 i Kodit Penal, paragrafi i parë), për shtetasit: F. N., sekretar i përgjithshëm i Partisë Demokratike; G. B., kryetar i grupit parlamentar të Partisë Demokratike dhe E. M., sekretar organizativ i Partisë Demokratike”, njoftoi policia.