Procesi i rienergjizimit të PS-së, Rama në Lushnjë: Të garantojmë një shumicë qeverisëse të qëndrueshme
Kryeministri Edi Rama ka vijuar këtë të mërkurë me procesin e rienergjizimit të Partisë Socialiste, ku ndalesa e radhës ishte Lushnja. Gjatë fjalës së tij, Rama tha se duhet të garantojnë një shumicë qeverisëse të qëndrueshme.
”Cikli ynë i qeverisjes është një cikël i pambyllur, që do të thotë që të gjithë kantieret e reformave janë kantiere të pambyllura, që do të thotë që për të garantuar mbylljen e tyre me sukses, ne duhet të bëjmë çmos që të arrijmë objektivat strategjik të vizionit të Shqipërisë 2030.
Unë kam besuar qysh kur kam filluar ta njoh nga brenda Partinë Socialiste dhe ta shkel të gjithë territorin dhe të shoh hap pas hapi dhe rezultatet, që nuk ka asnjë qendër votimi në Republikën e Shqipërisë që Partia Socialist nuk fiton dot, nuk ekziston.
Ne kemi hyrë në procesin e negocimit me Bashkimin Europian, për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Por ato që quhen negociata me Bashkimin Europian, në fakt nuk janë negociata në të vërtetë. Në të vërtetë ato janë çfarë Bashkimi Europian kërkon, e çfarë ne duhet të bëjmë. Na duhet të garantojmë një shumicë qeverisëse të qëndrueshme, të aftë për të marrë vendime në vazhdim dhe një mbështetje për vazhdimin e reformave”, tha Rama.