Profecia e ”Komplotit” të Blushit: Afganët rritin indeksin e lindjeve në Lezhë

Nuk rreshtin çuditë shqiptare të cilat para se të ndodhin i kemi lexuar në librat e Ben Blushit. Siç parashikon Blushi te romani i fundit ”Komploti”, afganet që jetojnë në Shëngjin kanë ndikuar në rritjen e lindjeve në maternitetin e Lezhës.

Sipas të dhënave zyrtare rezulton se gjatë vitit 2023 në Lezhë dhe Shëngjin kanë lindur 100 bebe më pak se në vitin 2022. Gjatë 2023 në këtë qark kanë ardhur në jetë vetëm 881 foshnje. Por specialistet thonë se ky numër do të ishte shumë më i vogël, nëse nuk do ishte për gratë afgane që jetojnë në Shëngjin që nga viti 2021. Nga ky komunitet kanë ardhur në jetë disa dhjetëra foshnje të cilat ka shtuar numrin e lindjeve në zonën e Lezhës.

Siç dihet prej tre vitesh një komunitet prej afro 3000 afganësh u strehuan në Shëngjin ku një pjesë prej tyre po jetojnë akoma.
Shtesa e popullsisë afgane në Shëngjin është parashikuar në romanin Komploti të Ben Blushit i cili përshkruan se në Shqipërinë e vitit 2044 do jetojnë më shumë se 200 mijë afganë dhe afro 1 milion shqiptarë. Duke parë lindjet në maternitetin e Lezhës si dhe largimet masive të shqiptarëve, duket sikur llogaria e Blushit nuk është shumë e pasaktë.

”Komploti” përshkruan pikërisht raportet mes shqiptarëve dhe afganëve 20 vjet më vonë, kur këta të fundit qeverisin bashkinë e Shëngjinit për shkak të numrit të lartë të komunitetit të tyre i cili shtohet çdo ditë. Nuk është çudi që profecia e Ben Blushit tek ”Komploti” të realizohet dhe disa dekada më vonë një nga foshnjet afgane të lindura në maternitetin e Lezhës të drejtojë këtë qytet.

Marrëveshja e fundit mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane për të sjellë në Shëngjin disa mijëra refugjatë mund ta afrojë edhe më shumë këtë realitet që Blushi e përshkruan në mënyrë artistike. /Liberale/

SHKARKO APP