Profil: Kush është njeriu pranë Merkel që po kërcënon Ramën

Numri dy i grupit më të madh parlamentar gjerman, CDU/CSU, Johan David Wadephull ka lëshuar një paralajmërim të fortë ndaj kryeministrit shqiptar, Edi Rama, duke deklaruar se nëse miraton ndryshimet kushtetuese, Berlini do bllokojë negociatat. Dhe kjo deklaratë nuk vjen nga një politikan dosido. Lapsi.al ka hetuar mbi të. Po kush është Wadephul?

Johann David Wadephul është një njeri tejet i afërt i Merkelit dhe i shefes së BE, Von der Leyen me të cilën ka punuar ngushtë për hartimin e strategjisë për politikën e jashtme të koalicionit të sotëm qeverisës. Ky ish-avokat nga Kieli i Gjermanisë ka qenë pjesë e CDU që përpara katër dekadash. Ai është një nga anëtarët më të zëshëm të komisionit të jashtëm të Bundestagut, ku është marrë kryesisht me vendet e lindjes së mesme, gjirin Persik, Iranin, Rusinë, Bjellorusinë dhe natyrisht Ballkanin Perendimor.

Në këtë kuadër ai ka qenë i njohur edhe në Shqipëri. Ndryshe nga kolegu i tij Krichbaum, i cili i ka artikuluar herët kritikat ndaj regjimit të Ramës dhe i cili paralajmëroi i pari kushtet ndaj vendit tonë, Johann David Wadephul, ka qenë më i ekuilibruar në gjykimin e politikës së brendshme të Shqipërisë. Ai ka qenë kundër djegies së mandateve nga opozita, duke i bërë asaj thirrje: “Mos u mbyllni përgjithmonë”.

Ai ka përshendetur disa vendime të qeverisë Rama si ai për ta hapur vendin për pritjen e refugjatëve, një lëvizje që kryeministri e ndërmori si shkelje syri ndaj Gjermanisë për të hapur negociatat. Wadephul deklaroi disa herë se Gjermania është pro Shqipërisë në këtë proces dhe se ajo po bën të gjitha përpjekjet për të bindur Francën që të mos përdorë veton e saj për hapjen e negociatave.

Pra, ky aleat i krahut të djathtë, ndonëse i përket të njëjtit spektër si PD-ja, nuk mund të konsiderohej mes kundërshtarëve të Edi Ramës në Berlin. Por pika ku ai u thye, ndodhi diku në pranverën e vitit të shkuar, kur ai kuptoi se ato që po ndodhnin, nuk ishin thjeshtë probleme të një demokracie në tranzicion, por një përpjekje e Ramës për të instaluar një regjim njëpartiak në vend.

Pas çdekretimit të datës së zgjedhjeve moniste nga presidenti Meta, Wadephul deklaroi: “Zgjedhjet pa pjesëmarrjen e opozitës janë problematike në aspektin demokratik. Prandaj duhen vënë në tryezë të gjitha opsionet që u garantojnë qytetareve dhe qytetarëve mundësi të vërteta për të zgjedhur në zgjedhjet lokale. Këtu hyjnë edhe masa të jashtëzakonshme, si për shembull, shtyrja e datës së zgjedhjeve lokale. Qëllimi më i lartë duhet të jetë kthimi pa ekuivok në procedurat demokratike dhe respektimi i standardeve të shtetit të së drejtës në zgjedhje”. Ai së bashku me deputetin tjetër gjerman Christian Schmidt, ofruan ndërmjetësimin e tyre për krizën e zgjedhjeve lokale. Por Rama e refuzoi dorën e tyre të shtrirë.

Ndoshta ky është edhe momenti i fundit që e bindi numrin dy të CDU/CSU-së t’i ashpërsojë qëndrimet. Ai u bë strumbullari i marrëveshjes për reformën zgjedhore mes mazhorancës dhe opozitës, i bindur se kjo e fundit nuk mund të qëndrojë më jashtë sistemit.

Kur Edi Rama provokoi rëndshëm konsensusin fraxhil të sapo arritur, duke shkatërruar Teatrin Kombëtar në kohën e gjendjes së jashtëzakonshme, reagimi i Wadephul ishte larg qëndrimeve të ekuilibruara që kishte mbajtur më parë.

Ai e etiketoi këtë akt të nxituar dhe të dhunshëm, duke e shoqëruar me një pyetje retorike: “A kishin të drejtë kundërshtarët e mij politikë të parlamenteve të ndryshme, kur refuzonin hapjen e negociatave me Shqipërinë?”

Edhe deklaratat e tij të fundit pas përmbysjes që Rama po i bën marrëveshjes së 5 qershorit, nuk janë aspak të pafajshme. Duke qenë se Wadephul është njeri shumë pranë kancelares Merkel dhe tejet i dëgjueshëm prej saj për Ballkanin Perendimor, qëndrimet e tij të para një dite nuk mund të shihen të palidhura me ato që Merkel mbajti para parlamentit europian, kur e diferencoi Shqipërinë nga Maqedonia dhe para nesh vuri ndajfoljen ndoshta për mundësinë e fillimit të bisedimeve me BE.

Pra kur Wadephul, thotë se negociatat mund të pezullohen, ato janë fjalë që vijnë nga një njeri i afërt i kancelares dhe i shefes se Komisionit Europian , Ursula Von der Leyen. Por mbi të gjitha, ato janë fjalë që shqiptohen nga një përfaqësues i së djathtës, që kur u afrua me Shqipërinë nuk qe aspak armiqësor me Ramën, ashtu sikurse e pranon edhe vetë kryeministri ynë, por që duke parë dhe analizuar aktet e tij, ka ndryshuar radikalisht për të mbërritur në kërcënimet që po artikulon sot./Lapsi.al

SHKARKO APP