Programi Adriotiko – Jonian, Gjosha: Duhet integrim i rajonit në BE
Ministrja e Integrimit Europian znj. Klajda Gjosha mori pjesë në lancimin e Programit të Bashkëpunimit Territorial Adriotiko- Jonian(ADRION), 2014-2020, miratuar nga Komisioni Europian. Ky aktivitet u organizua në Bolonja, ku të pranishëm ishin përfaqësues nga Italia, Greqia, Sllovenia, Kroacia, Shqipëria, Bosnje & Hercegovina, Serbia dhe Mali I Zi.
Në fjalën e saj Ministrja e Integrimit Europian, theksoi rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit mes vendeve të gjithë rajonit, në kuadër të zhvillimit të tyre dhe avancimit me axhendën europiane.
“ Bashkëpunimi i ndërsjelltë është zgjeruar, jo vetëm midis Shteteve Anëtare të BE-së, por edhe midis Bashkimit Europian dhe vendeve të tjera, gjeografikisht pjesë e Europës, dhe jam shumë e lumtur që i është dhënë rëndësi e veçantë bashkëpunimit ndërmjet Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshi edhe Shqipërinë.” tha ministrja Gjosha
Ky program është një nga tetë programet e bashkëpunimit territorial në të cilat merr pjesë Shqipëria gjatë perspektivës IPA II, ku objektivi i përgjithshëm është të veprojë si një ndërlidhës i politikave dhe qeverisjes inovatore duke nxitur Integrimin Europian midis vendeve anëtare dhe atyre jo anëtare, duke përdorur burimet natyrore, kulturore dhe njerëzore në zonën e Adriatikut dhe Jonit, si dhe duke ndikuar në rritje e kohezionit ekonomik, social dhe territorial në zonat e programi.
FJALA E MINISTRES SË INTEGRIMIT EUROPIAN, ZNJ. KLAJDA GJOSHA
Jam shumë e gëzuar që jam këtu në promovimin e Programit të ri të Bashkëpunimit Territorial Adriatiko-Jonian 2014-2020 dhe, në emër të Qeverisë shqiptare, do të doja të falënderoj Romagna Emilia për organizimin e këtij eventi të mirëpritur në qytetin e Bolonjës, ku janë të vendosura organet kryesore të menaxhimit të Programit.
Bashkimi Europian përballet sot me sfida të reja, por historia ka treguar se BE-ja bën më të mirën kur i përmbahet motos "Të bashkuar në diversitet".
Elementi kryesor që ka garantuar dhe do të sigurojë më tej bashkëjetesën e këtij bashkimi shtetesh ka qenë dhe do të jetë bashkëpunimi i ndërsjellë. Ky bashkëpunim është zgjeruar jo vetëm midis Shteteve Anëtare të BE-së, por edhe midis Bashkimit Europian dhe vendeve të tjera, gjeografikisht pjesë e Europës, dhe jam shumë e lumtur që i është dhënë rëndësi e veçantë bashkëpunimit të qetë ndërmjet Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshi edhe Shqipërinë.
Çfarë do të thotë kufijtë në ditët dhe epokën tonë? Sfidat me të cilat europianët përballen sot si kriza e refugjatëve dhe migracionit, përmbytjet, ndotja dhe zjarret në pyje nuk janë të kufizuara nga kufijtë. Të gjithë qytetarët e kontinentit europian, pavarësisht se ku ata jetojnë, dëshirojnë një shoqëri më të sigurt, ajër të pastër, mjedis të sigurt, qasje më të lehtë për kujdesin shëndetësor, arsimimin për fëmijët e tyre, më shumë vende pune dhe kështu me radhë. Unë besoj se shpresat dhe frika për të ardhmen tonë janë pa kufij në të gjithë Europën.
Një nga çështjet më të ndjeshme që Europa tani është duke përballur është kriza e refugjatëve dhe migrantëve, e cila, besoj është e lidhur ngushtë edhe me pengesa të tjera me të cilat Bashkimi Europian dhe vendet fqinje po ballafaqohen, që mund të çojnë edhe në një krizë të mundshme politike, çka është fare e padëshirueshme në këtë moment. Shqipëria është e angazhuar fort për të kontribuar në Axhendën e Brukselit në këtë situatë në zhvillim, në mënyrë që së bashku të adresojë këtë sfidë të përbashkët që prek jo vetëm vendet anëtare të BE-së, por edhe vendet e tjera. Migrimi është një çështje ndërsektoriale që kërkon reagimin e shpejtë dhe efikas të institucioneve publike, të shoqërisë civile dhe të organizatës ndërkombëtare në të njëjtën kohë, dhe për këtë arsye, të qenurit fleksibël është qasja më e zgjuar për t'u ndjekur.
Besoj se ne do të mobilizojmë strukturat tona kombëtare dhe të pranojmë se fushat më të prekura në këtë drejtim janë tregu i punës, siguria publike dhe përfshirja sociale në veçanti. Unë besoj se Programet e Bashkëpunimit Territorial në gjithë Europën mund të luajnë një rol të rëndësishëm në këtë drejtim. Ndoshta një nga programet, i vetëm, nuk mund të bëjë ndonjë përmirësim të konsiderueshëm të situatës, por unë mendoj se nëse të gjitha Programet e Bashkëpunimit Territorial do të bashkojnë forcat dhe idetë, me siguri që mund të prodhojmë diçka me ndikim, që nuk do të kërkojë të ndryshojë situatën e menjëhershme, por do të garantojë një bazë solide afatgjatë.
Për më shumë se 20 vjet, Bashkimi Europian ka financuar mundësi dhe operacione të asistencës teknike në Ballkanin Perëndimor të cilat kanë inkurajuar projekte të bashkëpunimit në të gjitha fushat që ndikojnë në jetën tonë të përditshme, si: transporti, arsimi, energjia, mjedisi, punësimi, inovacioni, kujdesi shëndetësor ose siguria publike.
Me ecjen përpara, integrimi europian ka vënë kërkesa shtesë për kapacitetet administrative të Qeverisë shqiptare dhe të sektorit publik të vendit në përgjithësi. BE-ja e ka ndihmuar Shqipërinë për të përmbushur këto kërkesa, për shembull përmes projekteve që asistojnë administratën tonë publike në rolin e saj shumë të rëndësishëm dhe aspak i lehtë për anëtarësimin në BE.
Përveç angazhimit të qeverisë shqiptare në axhendën e integrimit europian dhe procesit të reformave, projektet e financuara nga BE parashikuar në kuadër të programeve të bashkëpunimit territorial e kanë ndihmuar pa dyshim vendin për të përmbushur kriteret e pranimit.
Objektivi i Shqipërisë për anëtarësimin në BE e bën të domosdoshëm rritjen e bashkëpunimit ndërmjet vendeve tona, ku shkëmbimi i eksperiencës, koordinimi i politikave të përbashkëta dhe mbështetja reciproke për realizimin e objektivave tona dhe programeve prioritare drejt integrimit në BE është një proces i rëndësishëm
Qeveria shqiptare synon realizimin e kushteve dhe objektivave që dalin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit dhe Axhendës së Selanikut për forcimin e bashkëpunimit rajonal, si një parakusht për integrimin europian. Bashkëpunimi i arritur deri më sot në kuadër të perspektivës financiare 2007-2013 do të çohet përpara nga kjo perspektive e re bashkëpunimi.
Jam e bindur se aktorët rajonalë të zonës së Adriatikut dhe të Jonit do të dinë se si të mbështeten në rezultatet dhe rrjetet e ngritura tashmë në kuadër të programeve të mëparshme të bashkëpunimit, të cilët kanë qenë aktivë në këtë fushë, të tillë si Europa Juglindore dhe IPA Adriatik.
Asistenca e BE-së ofruar deri më tani në kuadër të Programeve IPA CBC Bashkëpunimi Ndërkufitar dhe Programeve të Bashkëpunimit Transnacional ka provuar të forcojë marrëdhëniet mes vendeve pjesëmarrëse dhe ka pasur një ndikim të konsiderueshëm në nivel vendor dhe rajonal. Më shumë se dimensioni ekonomik, i cili në vetvete është shumë i rëndësishëm për zbutjen e çbalancimeve të zhvillimit, ndikimi i këtyre programeve ka qenë vendimtar në ngritjen e urave të bashkëpunimit ndërmjet rajoneve dhe komuniteteve vendore.
Unë mendoj se Programi Adrion vjen pikërisht në momentin e duhur dhe ka për detyrë sfiduese të vërë së bashku tetë vende 4 shtete anëtare të BE-së dhe 4 vende kandidate dhe potencialisht kandidate, që duhet të punojnë së bashku për të adresuar çështjet e përbashkëta. Duke pasur një përbërje të tillë gjeografike dhe duke qenë nën mbështetjen e afërt të Strategjisë së BE-së për Strategjinë Adriatik dhe Jon, besoj se Programi është një program i veçantë dhe ka një rol strategjik për të luajtur.
Ne e përshëndesim punën e vlefshme të tetë qeverive dhe mbetemi të angazhuar për të punuar me të gjithë, institucionet qendrore dhe vendore, shoqërinë civile dhe organizatat ndërkombëtare për të siguruar që bashkëpunimi ynë i ardhshëm ndihmon popullsinë e këtij rajoni – në të gjithë diversitetin e tyre, veçanërisht gratë dhe fëmijët, që të jetojnë jetë më të mirë, të lirë nga privimi dhe të lirë nga diskriminimi. Sot ne zotohemi të bëjmë çmos për të bërë këtë partneritet edhe më të fortë në të ardhmen.
E fundit por jo më pak e rëndësishme, do të doja të theksoja rëndësinë e Programit ADRION duke marrë parasysh rolin vendimtar që ai do të luajë për të nxitur zhvillimin e qëndrueshëm rajonal dhe për të rritur bashkëpunimin mes popullatës lokale dhe institucioneve rajonale me qëllim adresimin e sfidave të përbashkëta nëpërmjet ndërhyrjeve të përbashkëta. Gjithashtu, mendoj se Programi ka për detyrë të rëndësishme të sjellë vlera të shtuara për zbatimin e Strategjisë së BE-së për Rajonin e Adriatikut dhe Jonit (EUSAIR), dhe se ne të gjithë duhet ta marrim këtë në konsideratë kur paraqiten dhe aprovohen projekte në bazë të këtij programi. Së bashku do të ndërmarrim të gjitha përpjekjet e nevojshme për ta bërë këtë Program një faktor politikash dhe qeverisje novatore që nxit integrimin europian midis shteteve anëtare dhe jo-anëtare.
KOHA JONË SONDAZH

