Programi i kredive, Balla nga shtëpia e re e inspektorit: Një mundësi e artë për çiftet e reja
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, ndodhen ditën e sotme në Vlorë.
Ata kanë vizituar banesën e inspektorit të Policisë së Shtetit, Redin Çaushaj, i cili përfitoi nga programi për kreditë e garantuara nga qeveria.
Balla tha se rezulton se rreth 900 punonjës të policisë së shtetit nuk e kanë një banesë, teksa u shpreh se në vitin 2024 dhe 2025 do të hapin më shumë kuota për aplikim, në mënyrë që të përfitojnë kredi të lehtësuara për shtëpi.
“Kur mora detyrën një nga angazhimet e mia ishte dhe kredia.Meraku i kryeministrit ishte nëse do arrinim që brenda festave të 2023, të kemi disa prej përfituesve. Në këtë raund të parë janë 92 të përzgjedhur si përfitues të këtij programi. Më frymëzon fakti që numri i punonjësve të policisë që aplikuan ishte i madh, dhe vitin e ardhshëm do të hapim një fashë më të madhe për të përfituar shtëpi me kredi të lehtësuar apo falas.
Kemi diku te 900 punonjës policie pa një shtëpi. Imagjinoni çfarë sakrifice të punosh orar pa orar dhe mos kesh një shtëpi tënden. Në 2025 duam të kemi rreth 500 familje që të mund të përfitojnë”, u shpreh ndër të tjera ministri Balla.