Programi i PD, Basha kërkon ndjesë për vonesat dhe problemet me pronat: Ne do hartojmë kuadrin ligjor që jep zgjidhje

Partia Demokratike ka prezantuar sot programin për pronat. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi se  me ardhjen në pushtet pas 25 prillit, qeveria e tij do të shfuqizojë ligjin për pronat që sipas tij është antikushtetues. Në nisje të fjalës së tij në takim Basha kërkoi ndjesë në emër të PD-së për problemet me pronat.

“Një ndjesë, në emër të Partisë Demokratike për vonesat, për problemet me pronat. Duhet t’ju dalim zot deri në fund pronarëve dhe të përndjekurve. Ligji i Ramës për shpronësimin, antikushtetues. Pas 25 prillit, ndjesën për problemet e pazgjidhura dhe problemet e shtuara ta kthejmë në angazhime konkrete”- tha Basha.

Pas prezantimit të planit, Basha shkruan në facebook se në 8 vite Shqipëria ka mbetur në vendnumëro me Ramën edhe në trajtimin e pronës private. Ndër të tjera, kreu i selisë blu nënvizon se do të abrogojë ligjin e Ramës për pronat dhe do të ngrejë një kuadër të ri ligjor që garanton rikthimin aty ku është e mundur, kompensimin fizik dhe financiar me çmimin e tregut.

Shkrimi i plotë 

Prezantova sot në prani të përfaqësuesve të pronarëve, programin e tonë për rikthimin, kompensimin dhe trajtimin e pronave. Në emër të Partisë Demokratike shpreha ndjesën e sinqertë që ia kemi borxh kësaj shtrese për të gjithë vonesat, pengesat dhe problemet që kanë hasur në rrugën e rifitimit të pronave të tyre legjitime. Ashtu siç u shprehën edhe përfaqësuesit e nderuar të pronarëve në këtë takim, Partia Demokratike është shtëpia e tyre natyrale.

Ne 8 vite, Shqipëria ka mbetur në vendnumëro me Edi Ramën edhe në trajtimin e pronës private. Edi Rama e bëri të pazgjidhshme çështjen e pronave të konfiskuara nga regjimi komunist dhe të pakthyera deri sot. Ligji i tij për pronat u bë pengesa kryesore për çdo pronar për të marrë pronën që i takon. Ne do t’i japim zgjidhje njëherë e mirë kësaj padrejtësie dhjetëra-vjeçare dhe për këtë kemi një plan pune të qartë dhe serioz.

U angazhova përpara përfaqësuesve të pronarëve se do të abrogojmë ligjin e Ramës për pronat dhe do të ngremë një kuadër të ri ligjor që garanton rikthimin aty ku është e mundur, kompensimin fizik dhe financiar me çmimin e tregut. I sigurova se ne do të jemi garant për respektimin e titujve të pronësisë nga vendimet e formës së prerë administrative apo gjyqësore. Fondet e kompensimit fizik do të zgjerohen me pasuritë e konfiskuara nga zbatimi i ligjit anti-mafia. Ne do t’i shkarkojmë pronarët nga kostot administrative, tarifat dhe taksat gjyqësore. Regjistrimi i titujve të pronësisë do të marrë zgjidhje përfundimtare me krijimin e një harte unike kadastrale për të gjithë territorin.

Shqipëria ka humbur shumë këto 8 vite në trajtimin e pronës private. Pasuritë e shqiptarëve janë gllabëruar nga një grusht njerëzish pranë Edi Ramës dhe qeverisë së tij. Askush nuk mund të zhvillojë vetë pronën e tij dhe të fitojë atë që i takon me të drejtë. Kjo situatë duhet të marrë fund njëherë e mirë. Shqipëria ka nevojë për ndryshim dhe shpresë të re. Ka nevojë për drejtësi dhe ndershmëri në trajtimin e të drejtës së pronësisë. Më 25 prill, zgjedhja është ndërmjet Shqipërisë dhe Edi Ramës. Prandaj vendimi i 25 prillit është i qartë: Rama humb dhe Shqipëria fiton!

SHKARKO APP