Programi i PD, Basha: Ndihmë për familjet e reja, ulje e kostos së arsimit të të rinjve
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është duke shpjeguar programin e kësaj force politike në takime të vogla me qytetarë të ndryshëm. Ndërsa një ditë më parë ishte në një familje pensionistësh, Basha ka vizituar këtë të diel banesën e një çifti të rinjsh. Ai tha ndër të tjera se dy nga problemet kryesore me të cilat të rinjtë përballen në Shqipëri janë të lidhura me arsimimin, punësimin dhe vështirësinë e blerjes së një shtëpie.
Basha theksoi mbështetjen që përmes programit të saj, Partia Demokratike do të japë për çdo fëmijë që lind, deri në moshën 5-vjeçare. “Po na largohen të rinjtë, me mijëra të rinj për javë marrin rrugën për në Perëndim. Me planin tonë ekonomik ne i gjendemi pranë të rinjve dhe në veçanti familjeve të reja, çifteve të reja si ju, nga fillimi e deri në vazhdimësi. Si i gjendemi pranë ? E para, për çdo fëmijë të porsalindur do të jepet çdo muaj një përkrahje prej 30 mijë lekë të vjetra. Nuk është ndonjë shumë mrekulli por është një shumë e mjaftueshme për të përballuar kostot shtesë që sjell një fëmijë i porsalindur deri në moshën 5 vjeç, muaj për muaj 30 mijë lekë të vjetra për çdo fëmijë të porsalindur”,- tha kreu i Partisë Demokratike.
Basha shtoi se ndihma për familjet e reja do të shtrihet dhe në kostot për arsimin. “Plani ynë parashikon së pari tekste falas pra ju heq një pjesë të madhe të kostos së fëmijëve. Së dyti parashikojmë që të nisim dhe pastaj ta shtrijmë në të gjithë vendin një sistem ku edhe pasi mbaron orari shkollor fëmijët të kenë mundësi sipas mundësive dhe dëshirës së prindërve, të kenë mundësi të qëndrojnë dhe pas orëve të shkollës për të bërë detyra, për të bërë aktivitete jashtë shkollore dhe të mbështetën po kështu me një drekë nga shteti”,- tha kreu i Partisë Demokratike.
Një tjetër pikë e programit të PD është ulja e shpenzime për studimet në universitete. Basha tha se tarifat e shpenzimeve për në universitet, për të gjithë ata që vijnë nga familje me të ardhura nën 640 mijë lekë të vjetra në muaj, do të paguhet nga buxheti i shtetit.