Programi i PD, Teliti: Nuk premtojmë mrekulli, por normalitet
Dje Partia Demokratike prezantoi programin ekonomik, ku premtoi 110 mijë vende pune. Drejtori i kabinetit në Partinë Demokratike, pjesë e grupit të ekspertëve të ekonomisë, Dorian Teliti, ka folur mbi programin ekonomik, duke theksuar se ai nuk premton mrekulli, por rikthen vendin në normalitet.
”Situata në të cilën gjendet shoqëria shqiptare është tejet e rënduar. Momenti më i vështirë në 30 vite. Për realitetin e sotëm nevojitet një sistem sa më i thjeshtë dhe sa më praktik dhe me norma taksimi sa më të ulëta. Taksa e sheshtë do t’i japë një çlirim ekonomisë shqiptare, do të mundohemi që ta kthejmë atë në shina. Ne nuk kemi premtuar mrekullira, por normalitet. Ne premtojmë të hapim 20-30 mijë vende pune çdo ditë. Një nga lëvizjet tona të para është skema e re e strehimit. Ne dimë që të bëhesh pjesë e shtresës së mesme, së pari duhet të kesh një strehë mbi kokë”, tha Teliti.
Si do të realizohet, a janë paratë dhe me çfarë do të mbushet buxheti? ”Hap pas hapi do të zhvillohen të gjitha. Jo çdo punë do të kryhet që ditën e parë që ne do të vijmë në pushtet. Një gjë ta siguroj, paratë nuk do të bien nga qielli, por do t’i gjejmë mes nesh. Paratë do t’i gjejmë me miradministrim, midis bizneseve. Po të thjeshtojmë sa më shumë procedurat, njerëzit do të shtyhen drejt formalizimit.
Fatura e programit, e angazhimeve tona buxhetore, është më e ulët se sa 400 milionë euro, 370-380 milionë. Riorientim i financave të cilat shkojnë sot në 3 rrugë të gabuara. 130 milionë euro, sot, i harxhojmë për kontrata koncesionare. Ne nuk do t’i financojmë këto kontrata koncesionare, këto para do të shkojnë për financimin e këtyre nevojave.
Çdo vit, 50-60 milionë euro janë shpenzime për rikonstruksione zyrash, fasadash. Në këtë moment, administrata mund të stopojë në blerjen e kolltukëve të rinj. Pjesa tjetër, duke vendosur konkurrencën e lirë dhe të ndershme për prokurimet publike. Çdo vit ka abuzime, vjedhje, në masën 300 milionë vit”, u shpreh Teliti për ”A2cnn”.