Progres-raporti i KE për Shqipërinë: Të hapen negociatat, janë bërë reforma gjithëpërfshirëse
Në progres-raportin për Shqipërinë, Komisioni Europian ka rekomanduar hapjen e plotë të negociatave, duke thënë se vendi i ka plotësuar kushtet. Raporti po ashtu vlerëson progresin e bërë me Reformën në Drejtësi, por edhe me reformat gjithëpërfshirëse në vend.
“Shqipëria ka vazhduar të zbatojë reformën tërësore në drejtësi, që ka çuar në përparim të mirë. Një moment i rëndësishëm ishte emërimi në fund të vitit 2020 i 3 anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese”, theksohet në raport.
Në raport përmendet Gjykata Kushtetuese që po punon me 7 anëtarë dhe duhet bërë plotësisht funksionale, ndërsa Gjykata e Lartë po punon me 9 anëtarë, dhe duhet plotësuar. Strukturat e Posacme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Byroja Kombëtare e Hetimeve u plotësuan me hetues dhe pritet që kjo të përmbyllet para fundit të vitit, vëren raporti.
“Shqipëria ka tashmë një nivel përgatitje dhe ka bërë përparim në luftën kundër korrupsionit, duke përfshirë këtu edhe gjyqtarët e prokurorët e larguar nga procesi i vettingut. Por numri i çështjeve për korrupsion që të përfshijnë zyrtarë të lartë ende mbetet i kufizuar, ndërsa vazhdon kultura e mosndëshkimit në nivelet e larta të shtetit” , theksohet në raport.
Në përgjithsësi, korrupsioni mbizotëron në pjesën më të madhe të jetës publike dhe asaj të biznesit dhe mbetet një nga shqetësimet më serioze. Shqetësimet e tjera lidhen me keqpërdorimin e resurseve publike apo funksioneve zyrtare, me pretendimet për shit-blerje votash, si dhe me rrjedhjen e të dhënave personale të ndjeshme që përfshinin preferencat politike të qytetarëve.
Në raport ka edhe kritika ka sa i përket sulmeve verbale, fushatave të shpifjes dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve. “Tensionet ndërmjet aktorëve politikë dhe gazetarëve janë rritur gjatë pandemisë COVID-19 dhe në kontekstin e zgjedhjeve parlamentare”, thuhet në raport. KE-ja po ashtu vë në pah se numri i azilkërkuesve në BE nga Shqipëria ka rënë për 66 për qind më 2020 krahasuar me vitin 2019, përkatësisht nga 20,415 në 6,935 azilkërkues.