Projekligji i plotë i qeverisë: Ja si do të hapen dosjet e sigurimit
Këshilli i Ministrave ka miratuar sot projektligjin për hapjen e dosjeve. Ministi i Mirqenies Sociale dhe Rinisë, Erjon Veliaj tha në një konferecë për mediat, se ligji bazohet në modelin gjerman të hapjes së dosjeve të ish-komunizmit.
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
Kuvendi
P R O J E K T L I GJ
Nr.________, datë _______ 2014
PËR
TË DREJTËN E INFORMIMIT PËR DOKUMENTET
E ISH-SIGURIMIT TË SHTETIT TË REPUBLIKËS POPULLORE SOCIALISTE TË SHQIPËRISË
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti
- Ky ligj përcakton rregullat për:
a) mbledhjen,administrimin, përpunimin dhe përdorimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë;
b) organizimin dhe funksionimin e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit;
c) mundësimin e aksesit të individëve tek të dhënat e ruajtura nga ish-Sigurimi i Shtetit për ta;
ç) vënien në dispozicion të institucioneve shtetërore dhe joshtetërore të informacioneve të domosdoshme për qëllimet e parashikuara në këtë ligj;
d) detyrimet e autoriteteve publike dhe arkivave për vënien në dispozicion, për qëllime të zbatimit të këtij ligji, të dokumenteve të disponuara prej tyre.
2. Në funksion të zbatimit të këtij ligji, autoritetet publike i referohen dhe zbatojnë, sipas nevojës, edhe legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale, të drejtën e informimit për dokumentet zyrtare, arkivat dhe informacionin e klasifikuar “sekret shtetëror”.
Neni 2
Fusha e veprimit
Ky ligj zbatohet për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, për periudhën 29 nëntor, 1944 deri 31 mars, 1990, të cilat disponohen nga të gjitha arkivat e rrjetit arkivor të Republikës së Shqipërisë, autoritetet publike, persona fizikë dhe personat juridikë privatë.
Neni 3
Përkufizime
Për qëllime të këtij ligji, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. “Arkiva” ka të njëjtin kuptim me atë të përcaktuar nga ligji nr.9154, datë 6.11.2003, “Për arkivat”.
2. “Autoriteti”, Autoritetipër Informimin mbiDokumentete ish-Sigurimit të Shtetit.
3. “Autoritet publik” është:
a) çdo organ përfaqësues i pushtetit qendror dhe vendor dhe administratat përkatëse;
b) Këshilli i Ministrave, çdo institucion i administratës publike sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për administratën publike, duke përfshirë organet me natyrë këshillimore, në nivel kombëtar ose vendor;
c) institucione të tjera shtetërore të ndryshme nga ato të përcaktuara në shkronjat “a” dhe “b”, të këtij paragrafi;
ç) çdo person fizik ose juridik që ushtron funksione publike administrative sipas ligjit; dhe
d) çdo person fizik ose juridik që ushtron përgjegjësi ose funksione publike apo që ofron shërbime publike nën kontrollin e autoriteteve të parashikuara në shkronjat “a”, “b”, “c” dhe “ç”, të këtij paragrafi.
4. “Bashkëpunëtor i ish-Sgurimit të Shtetit” është çdo person që:
a) ka bashkëpunuar me organet e ish-Sigurimit të Shtetit në veprimtari të karakterit politik që lidhen me veprat penale politike të parashikuara në ligjin nr.7514, datë 30.9.1991, “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë”, të ndryshuar, apo ka qenë bashkëpunëtor vullnetar për vepra të tilla;
b) ka pasur një marrëdhënie pune apo shërbimi zyrtare me ish-Sigurimin e Shtetit dhe oficerët e ish-Sigurimit të Shtetit me misione speciale;
c) ka deklaruar gatishmërinë për t’i dhënë informacione ish-Sigurimit të Shtetit;
ç) ka pasur, ligjërisht apo faktikisht, kompetencën për t’u dhënë urdhra bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit të Shetit në lidhje me veprimtarinë e tyre në favor të tij.
5. “Dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit” janë:
a) të gjitha mjetet bartëse të informacioneve, të krijuara nga ish-Sigurimi i Shtetit, të poseduara prej tij apo që i janë vënë në përdorim, pavarësisht nga forma e ruajtjes, veçanërisht, por pa u kufizuar:
i. dosje, tëdhëna, shkresa, harta, plane, filma, regjistrime me figurë, me zëdheregjistrimetëtjera;
ii. riprodhimet, kopjimet e tyre dhe dublikata të tjera; si dhe
iii. mjetet ndihmëse të domosdoshme për të bërë interpretime, veçanërisht programet për përpunimin automatik të të dhënave;
b) dokumentet e gjykatave dhe të prokurorive për aq sa janë lënë tek ish-Sigurimi i Shtetit;
c) dokumente të PPSH-së dhe organizatave të masave që kanë lidhje me veprimtarinë e ish-Sigurimit të Shtetit, vetëm në masën dhe sipas përcaktimeve të këtij ligji.
6. “Kërkues”, subjekti që ka paraqitur një kërkesë me shkrim pranë Autoritetit.
7. “I favorizuar” është çdo person i cili:
a) është përkrahur nga ish-Sigurimi i Shtetit, veçanërisht duke i siguruar avantazhe në profesion apo avantazhe ekonomike;
b) është mbrojtur nga ish-Sigurimi i Shtetit apo, me ndërhyrjen e këtij të fundit, nga ndjekja penale;
c) kapërgatiturapokryerveprapenale me dijeninëapombështetjen e ish-SigurimittëShtetit.
8. “I zhdukur” ka të njëjtin kuptim me atë të dhënë nga Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë.
9. “Palë e tretë”, çdo person tjetër i ndryshëm nga ata të përcaktuar në pikën10, të këtij neni, për të cilin ish-Sigurimi i Shtetit ka grumbulluar të dhëna.
10. “Person i prekur”, çdo person ndaj të cilit ish-Sigurimi i Shtetit ka grumbulluar të dhëna në mënyrë të qëllimtë, duke përfshirë edhe mbledhjen e të dhënave në mënyrë të fshehtë apo përmes përgjimeve. Në këtë kategori nuk bëjnë pjesë:
a) bashkëpunëtorët e ish-Sigurimit të Shtetit, kur grumbullimi i të dhënave për ta i ka shërbyer vetëm kontaktimit, rekrutimit në favor të ish-Sigurimit të Shtetit apo vetëm kontrollit të veprimtarisë së tyre në favor të tij; dhe
b) të favorizuarit, kur grumbullimi i të dhënave për ta i ka shërbyer vetëm kontaktimit të tyre apo kontrollit të qëndrimit të tyre, në lidhje me përfitimet prej veprimtarisë në favor të ish-Sigurimit të Shtetit.
11. “PPSH”, Partia e Punës e Shqipërisë.
12. “Rrjeti arkivor i Republikës së Shqipërisë” përfshin të gjitha institucionet dhe arkivat ekzistuese dhe të krijuara në përputhje me legjilacionin në fuqi për arkivat.
Neni 4
Parimet
Mbledhja, administrimi, përpunimi, përdorimi dhe informimi mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit udhëhiqet nga parimet e:
– Ligjshmërisë;
– Mbrojtjes së interesit publik;
– Informimit të publikut me informacionin zyrtar;
– Mbrojtjes së të drejtës për jetë private dhe të dhënave personale;
– Transparencës;
– Bashkëpunimit midis institucioneve shtetërore;
– Eficencës dhe efektivitetit.
Neni 5
Rregulla të përgjithshme për mbledhjen e dokumenteve dhe informimin
1. Autoriteti mbledh, ruan, administron dhe përdor dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit sipas këtij ligji, duke përdorur, sipas nevojës, edhe informacionet nga regjistri qendror i gjendjes civile.
2. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Autoriteti të informohet nëse në dokumentet e zbuluara ka informacione për personin e tij dhe t’i marrë këto informacione, kur ka të tilla, sipas këtij ligji.
3. Autoritetet publike dhe organizma joshtetërorë kanë akses tek dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, vetëm për aq sa e lejon ky ligj.
4. Autoriteti vë në dispozicion të autoriteteve publike përkatëse çdo informacion të siguruar gjatë veprimtarisë së tij, kur kjo kërkohet për qëllime të hetimit dhe ndjekjes penale.
5. Kur personi i prekur, pala e tretë, të afërmit e të vdekurve apo të zhdukurve, bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit paraqesin, në publik, me vullnetin e tyre, dokumente me informacione për personin e tyre, këto informacione lejohet të përdoren për qëllimet për të cilat janë paraqitur.
6. Autoriteti merr masa për korrigjimin e çdo informacioni qërezulton i pasaktë,, pas konstatimit nga vetë Autoriteti apo verifikimit me kërkesë të personit të interesuar, duke bërë reflektimet përkatëse në dokumente.
7. Në varësi të kompleksitetit dhe shkallës së vështirësisë së evidentimit të dokumentacionit për çdo rast, Autoriteti përgjigjet brenda afateve optimale, udhëhequr nga parimet e eficencës dhe efektivitetit. Rregulla të hollësishme mbi afatet për përgjigje ndaj kërkesave përcaktohen në rregulloren e organizimit dhe të funksionimit të Autoritetit.
Neni 6
Kufizime të përdorimit të të dhënave
1. Ndalohet përdorimi i të dhënave personale në dëm të personave të prekur apo palëve të treta, kur këto të dhëna janë përftuar në mënyrë të fshehtë apo të paligjshme, me përjashtim të rasteve të përdorimit për qëllime rehabilitimi të personave të vdekur apo të zhdukur, mbrojtjes së të dhënave personale, kur këto të dhëna rezultojnë tërësisht apo pjesërisht të gabuara për shkak të informacioneve të mbledhura.
2. Autoriteti merr masa për ndalimin e përkohshëm të përdorimit të dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit, kur prokuroria ose gjykata përcakton se nga përdorimi i tyre mund të dëmtohet veprimtaria hetimore, ndjekja penale apo përfundimi i një procesi penal. Ky ndalim përfundon kur përdorimi i dokumenteve nuk përbën më rrezik për sa më sipër.
KREU II
AUTORITETI PËR INFORMIMIN MBI DOKUMENTET
E ISH-SIGURIMIT TË SHTETIT
Neni 7
Statusi i Autoritetit
1. Për zbatimin e këtij ligji krijohet Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.
2. Autoriteti është person juridik publik, i pavarur, përgjegjës për mbledhjen, administrimin, përpunimin, përdorimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe informimin në lidhje me to.
3. Autoriteti organizohet dhe funksionon sipas rregullave të përcaktuara në këtë ligj dhe në rregulloren e funksionimit të tij. Për aq sa është e mundur, në funksionimin e tij, Autoriteti zbaton edhe rregullat e legjislacionit në fuqi për funksionimin e organeve kolegjiale.
4. Autoriteti e ka selinë në Tiranë dhe financohet nga buxheti i shtetit.
5. Autoriteti ka pavarësi të plotë në vendimmarrje për ushtrimin e funksioneve të veta, që burojnë nga ky ligj apo aktet nënligjore të dala në zbatim të tij.
6. Në ushtrimin e veprimtarisë së tij, Autoriteti udhëhiqet nga parimet e përcaktuara në nenin 4, të këtij ligji.
7. Rregulla të hollësishme për organizimin dhe funksionimin e Autoritetit miratohen me vendim të Kuvendit.
Neni 8
Përbërja e Autoritetit
1. Autoriteti përbëhet nga 5anëtarë, të zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë, me tri të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të tij, nga radhët e shtetasve të shquar, me integritet të lartë profesional e moral.
2. Kur Kuvendi nuk arrin të zgjedhë anëtarët e Autoritetit sipas procedurës së parashikuar në pikën 1, të këtij neni, procedura përsëritet. Në votimin e dytë Kuvendi i zgjedh anëtarët e Autoritetit me shumicë të thjeshtë të të gjithë anëtarëve të tij.
3. Kuvendi, me shumicë të thjeshtë të të gjithë anëtarëve të tij, zgjedh kryetar një nga anëtarët e Autoritetit.
Neni 9
Përgjegjësitë e Autoritetit
1. Autoriteti ka këto përgjegjësi:
a) grumbullimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit për qëllimet dhe sipas procedurave të parashikuara nga ky ligj;
b) vlerësimin, renditjen, evidentimin, ruajtjen dhe administrimin e dokumenteve sipas rregullave dhe parimeve të legjislacionit në fuqi për akrivat;
c) bashkëpunimin dhe bashkërendimin e punës me autoritetet publike dhe arkivat për qëllime të zbatimit të këtij ligji;
ç) dhënien e informacioneve e të njoftimeve mbi dokumentet, si dhe garantimin e shqyrtimit dhe dorëzimin e tyre për kërkuesit;
d) mbështetjen e kërkimit shkencor dhe të edukimit politik gjatë rishqyrtimit historik dhe politik të veprimtarisë së ish-Sigurimit të Shtetit, nëpërmjet garantimit të mundësisë për shqyrtimin e dokumenteve dhe dorëzimin e dublikatave të dokumenteve;
dh) informimin e individëve, institucionevekushtetuese, autoritetevepublikedhesubjektevetëtjeratëinteresuara, sipaskëtijligji.
2. Autoriteti raporton për veprimtarinë e tij përpara Kuvendit, një herë në vit, si dhe sa herë i kërkohet nga Kuvendi.
Neni 10
Kushtet për t’u zgjedhur anëtar
1. Anëtar i Autoritetit mund të zgjidhet personi që:
a) ka shtetësi shqiptare;
b) ka zotësi të plotë për të vepruar;
c) ka mbaruar një program të studimit të ciklit të dytë sipas legjislacionit për arsimin e lartë, në degët drejtësi ose histori;
ç) gëzon figurë të pastër morale dhe përgatitje të lartë profesionale;
d) ka jo më pak se 10 (dhjetë) vjet përvojë në ushtrimin e profesionit;
dh) nuk ka qenë i dënuar penalisht;
e) nuk është anëtar në parti politike;
ë) në periudhën e përcaktuar në nenin 2, të këtij ligji, nuk ka qenë anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, anëtar i Komitetit Qendror të PPSh-së, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, kryetar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm, Kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme, ministër apo zëvendësministër i Ministrisë së Punëve të Brendshme, kryetar i degëve të punëve të brendshme, punonjës i organeve të ish-Sigurimit të Shtetit, bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit apo i favorizuar, anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim Internimeve, hetues, prokuror, gjyqtar apo ndihmësgjyqtar në procese politike, denoncues apo dëshmitar i akuzës në proceset politike.
2. Çdo kandidat për anëtar, përpara emërimit të tij, nënshkruan një deklaratë për mosmbajtjen prej tij të asnjë prej detyrave apo cilësive të përcaktuara në shkronjën “ë”, të pikës 1, të këtij neni.
3. Qenia anëtar i Autoritetit është e papajtueshme me çdo detyrë tjetër shtetërore apo private.
Neni 11
Mbarimi i mandatit
1. Mandati i anëtarit të Autoritetit është 5 (pesë) vjet, me të drejtë ripërtëritjeje vetëm një herë.
2. Mandati i anëtarit të Autoritetit mbaron përpara afatit të përcaktuar në pikën 1, të këtij neni, kur ai:
a) jep dorëheqjen;
b) vdes;
c) i hiqet ose i kufizohet zotësia për të vepruar me vendim gjyqësor të formës së prerë;
ç) dënohet me vendim gjyqësor penal të formës së prerë;
d) nuk përmbush me korrektësi detyrimet e përcaktuara nga ky ligj dhe aktet nënligjore të dala në zbatim të tij;
dh) kryen veprime që cenojnë rëndë integritetin e tij;
e) vërtetohet mbajtja prej tij e një prej detyrave apo cilësive të përcaktuara në shkronjën “ë”, të pikës 1, të nenit 10, të këtij ligji.
3. Kuvendi i Shqipërisë, brenda 15 ditëve nga mbarimi i mandatit të anëtarit të Autoritetit për një nga shkaqet e parashikuara në pikën 2, të këtij neni, nis procedurën për zëvendësimin e tij, sipas procedurës së parashikuar në këtë ligj.
Neni 12
Sekretariati Teknik
1. Autoriteti, gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tij, ndihmohet nga Sekretariati Teknik.
2. Sekretariati teknik vepron në përputhje me rregullat e përcaktuara nga ky ligj dhe aktet nënligjore të dala në bazë dhe për zbatim të tij.
3. Sekretariati Teknik ka këto përgjegjësi:
a) ndihmon Autoritetin në kryerjen e funksioneve të tij;
b) krijon kushtet e nevojshme për realizimin dhe mbarëvajtjen e mbledhjeve të Autoritetit;
c) përgatit dokumentacionin e nevojshëm për zhvillimin e mbledhjeve të Autoritetit;
ç) kryen çdo detyrë tjetër në kuadër të asistencës për Autoritetin, në lidhje me çështje që përfshihen në fushën e veprimtarisë së tij.
4. Struktura dhe organika e Sekretariatit Teknik miratohen nga Kuvendi, me propozim të Autoritetit.
5. Marrëdhëniet e punës së punonjësve të Sekretariatit Teknik i nënshtrohen legjislacionit të punës.
6. Rregulla të hollësishme për funksionimin dhe veprimtarinë e Sekretariatit Teknik përcaktohen në rregulloren e brendshme të Autoritetit.
KREU III
MBLEDHJA E DOKUMENTEVE
Neni 13
Identifikimi i dokumenteve
1. Autoritetet publike dhe rrjeti arkivor i Republikës së Shqipërisë e mbështesin Autoritetin në kërkimet e tij për gjetjen e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe në mbledhjen e tyre.
2. Kur autoriteti publik ose arkivi është në dijeni apo konstaton, gjatë përmbushjes së detyrave, se zotëron dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit apo kopje ose dublikata të tjera të dokumenteve të tilla, vë, menjëherë, në dijeni Autoritetin.
3. Kur Autoriteti ka arsye të mendojë se dokumente të caktuara mund të gjenden pranë një autoriteti publik apo arkivi, u drejtohet atyre me kërkesë me shkrim për identifikimin dhe vënien në dispozicion të dokumenteve.
4. Kur autoriteti publik ose arkivi merr një kërkesë, sipas përcaktimeve të pikës 3, të këtij neni, i përgjigjet Autoritetit, brenda 15 ditëve nga paraqitja e kërkesës, duke i vënë në dispozicion, sipas rastit, dokumentet ose kopje apo dublikata të tyre. Kur dokumenti i kërkuar nuk ndodhet tek autoriteti publik apo arkivi, por këta të fundit kanë dijeni mbi vendndodhjen e tij, vënë në dijeni Autoritetin.
5. Autoriteti, në mirëkuptim me autoritetet publike dhe arkivat, mund t’i shqyrtojë regjistrimet, arkivat dhe informacionet që gjenden tek to, kur ekzistojnë arsye të mjaftueshme për të besuar se, pranë tyre, gjenden dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit.
6. Kur personat fizikë ose juridikë privatë janë në dijeni ose konstatojnë se zotërojnë dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit apo kopje ose dublikata të tyre, vënë në dijeni menjëherë Autoritetin.
Neni 14
Dorëzimi i dokumenteve nga autoriteti publik dhe arkivi
1. Çdo autoritet publik dhe arkiv, me kërkesën e Autoritetit, i dorëzon atij menjëherë dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit që gjenden pranë tyre, duke përfshirë kopjet dhe dublikate të tjera.
2. Kur autoritetit publik i nevojiten dokumentet për t’i përdorur në përmbushjen e funksioneve dhe qëllimeve të tij, sipas parashikimeve të seksionit 2, të kreut IV, të këtij ligji, ai mund të bëjë dublikata të tyre dhe t’i përdorë ato. Dokumentet origjinale lejohen të përdoren si dokumente vetëm për aq sa kjo është e domosdoshme për përmbushjen e detyrës. Në këtë rast, Autoritetit i dorëzohen, në bazë të kërkesës, dublikata.
3. Pavarësisht parashikimeve të pikës 2, të këtij neni, dokumentet për të prekurit i dorëzohen Autoritetit origjinale dhe të plota.
Neni 15
Dorëzimi i dokumenteve nga personi fizik dhe juridik privat
1. Çdo person fizik dhe juridik privat i dorëzon menjëherë Autoritetit, me kërkesë të tij, dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit që zotëron, si dhe kopje apo dublikata të tjera, kur këto nuk janë në pronësi të personit fizik apo juridik privat. Vërtetimi i pronësisë i takon personit fizik ose juridik privat. Për qëllime të zbatimit të këtij ligji, konsiderohen në pronësi të personit fizik apo juridik privat dokumentet që ky i fundit, në bashkëpunim me ish-Sigurimin e Shtetit, i ka përgatitur vetë.
2. Kur dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, sipas përcaktimeve të pikës 1, të këtij neni, rezultojnë në pronësi të personit fizik apo juridik privat, ky i fundit i vë ato në dispozicion të Autoritetit, për të përgatitur kopje ose duplikata të tyre.
Neni 16
Dokumentet e PPSH-së dhe organizatave të masave
1. Autoriteti, në zbatimin e detyrave të tij sipas këtij ligji, mund të kërkojë nga organet përkatëse informacion për llojin, përmbajtjen dhe vendin e ruajtjes të dokumenteve të PPSH-së dhe të organizatave të masave që kanë vepruar gjatë periudhës së përcaktuar në nenin 2, të këtij ligji.
2. Autoriteti, sipas nevojës, mund të kërkojë të shqyrtojë dokumentet e parashikuara në pikën 1, të këtij neni.
3. Me kërkesën e tij, Autoritetit i dorëzohen dublikata të dokumenteve të parashikuara në pikës 1, të këtij neni, kur këto kanë lidhje me veprimtarinë e ish-Sigurimit të Shtetit dhe i nevojiten për përmbushjen e funksioneve të tij.
4. Parashikimet e këtij neni zbatohen për ato dokumente që janë krijuar nëpërmjet bashkëveprimit me ish-Sigurimin e Shtetit, me nxitjen apo në zbatim të urdhrave dhe udhëzimeve të tij.
Neni 17
Kthimi i dokumenteve nga Autoriteti
1. Kur për dokumentet që u përkasin autoriteteve publike nuk ka të dhëna se krijimi i tyre është nxitur apo urdhëruar nga ish-Sigurimi i Shtetit, Autoriteti i rikthen ato, me kërkesë të autoriteteve publike apo kryesisht kur konstaton sa më sipër. Autoriteti mund të mbajë kopje ose dublikata të këtyre dokumenteve.
2. Kur gjatë veprimtarisë së tij, Autoriteti has dokumente dhe informacione të klasifikuara sipas legjislacionit në fuqi për informacionin e klasifikuar “sekret shtetëror”, sipas rastit dhe nivelit të klasifikimit, për kthimin e tyre vepron në përputhje me parashikimet e këtij legjislacioni.
3. Autoriteti ia dorëzon dokumentet mbi bashkëpunëtorët e ish-Sigurimit të Shtetit organeve të tyre aktuale të emërtesës. Për bashkëpunëtorët e ish-Sigurimit të Shtetit që janë aktualisht në pension, dokumentet personale u dorëzohen vetë personave ose kujdestarëve të tyre. Autoriteti mban dublikata të dokumenteve të përcaktuara në këtë paragraf.
Neni 18
Arkivimi i dokumenteve
1. Autoriteti arkivon të gjitha dokumentet, kopjet dhe dublikatat e mbledhura sipas parashikimeve të këtij kreu.
2. Në sistemimin, ruajtjen dhe shfrytëzimin e dokumenteve, Autoriteti vepron në përputhje me këtë ligj, rregulloren e funksionimit të tij dhe, për aq sa është e mundur, legjislacionin në fuqi për arkivat.
KREU IV
E DREJTA PËR INFORMIM DHE VËNIA NË DISPOZICION
E DOKUMENTEVE
Seksioni 1
E drejta për informim e të prekurve, palëve të treta, bashkëpunëtorëve
të ish-Sigurimit të Shtetit dhe të favorizuarve
Neni 19
Kërkesa për informim
1. Për t’u informuar për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, personat e interesuar paraqesin kërkesë pranë Autoritetit.
2. Kërkesa për të marrë informacion për dokumentin, për shqyrtimin apo marrjen e tij në dorëzim, bëhet me shkrim.
3. Kërkuesi, së bashku me kërkesën, paraqet edhe kopje të kartës së identitetit dhe, në rastin e një përfaqësuesi me prokurë të posaçme, edhe prokurën përkatëse.
4. Kur kërkuesi çmon se kërkesa e tij duhet të trajtohet me përparësi, ai argumenton nevojën dhe urgjencën në kërkesë. Autoriteti pranon se ndodhet përpara nevojës urgjente kur informacioni i kërkuar nevojitet për qëllime rehabilitimi, dëmshpërblimi, shmangie të cenimit të jetës private apo të dëmit moral ose shkarkimin nga akuza e bashkëpunimit me ish-Sigurimin e Shtetit.
5. Autoriteti i jep informacionet me shkrim, përveçse kur është e nevojshme një formë tjetër e dhënies së informacionit.
Neni 20
Garantimi i së drejtës për informim
1. Kërkuesit i njihet e drejta për t’u njohur me dukumentet kur ai ka cilësinë e të prekurit, palës së tretë, bashkëpunëtorit apo të favorizuarit të ish-Sigurimit të Shtetit ose është një përfaqësues me prokurë i këtyre të fundit. Kjo e drejtë përfshin njohjen dhe shqyrtimin e dokumenteve origjinale ose dublikatave të tyre.
2. Kur për shkaqe aftësie të kufizuar, kërkuesi, për të shyqrtuar dokumentet, ka nevojë për ndihmën e një të treti, Autoriteti lejon praninë e të tretit kur kërkuesi deklaron se ai është person i besuar dhe ka arsye të mjaftueshme për të besuar nevojën për shoqërim.
3. Kur dokumentet ose dublikatat, përveç informacioneve personale mbi kërkuesin, përmbajnë edhe të dhëna për të prekur të tjerë apo palë të treta, shqyrtimi i dokumenteve origjinale garantohet vetëm, kur:
a) kjo miratohet nga të prekurit e tjerë apo palët e treta; ose
b) është e pamundur ndarja e të dhënave mbi të prekurit e tjerë apo palët e treta ose është e mundur vetëm me përpjekje të pajustifikuara dhe nuk ka arsye për të prezumuar se të prekurit e tjerë apo palët e treta kanë interes të ligjshëm në mbajtjen e këtyre informacioneve të fshehta.
4. Kërkuesit i garantohet e drejta për të njohur dhe shqyrtuar edhe dublikata, tek të cilat informacionet personale mbi të prekur të tjerë apo palë të treta janë bërë të palexueshme. Shqyrtimi kryhet në zyrat e Autoritetit.
5. Kërkuesit i dorëzohen dublikata të dokumenteve vetëm pasi janë bërë të palexueshme të dhënat personale për të prekurit e tjerë apo palët e treta.
6. E drejta për njohje, shqyrtim dhe dorëzim të dokumenteve nuk zbatohet për mjetet e parashikuara nga neni 3, pika 5, shkronja “a”, nënndarja “iii” e këtij ligji. Kur dokumentet nuk mund të gjenden, e drejta për shqyrtim dhe dorëzim shtrihet tek dublikatat e kartelave dhe skedave të kartotekës, të cilat përdoren për interpretimin e dokumenteve dhe përmbajnë të dhëna personale për kërkuesin.
Neni 21
E drejta për informim e të prekurve dhe palëve të treta
1. Autoriteti u jep të prekurve informacion për dokumentet që ekzistojnë dhe që janë përgatitur për ta, me kërkesën e tyre. I prekuri, kur ka të tilla, jep në kërkesë të dhëna të cilat e mundësojnë gjetjen e dokumenteve.
2. Informacioni nga Autoriteti përmban një përshkrim të dokumenteve ekzistuese dhe të përgatitura për personin e prekur dhe një riprodhim të thelbit të përmbajtjes së tyre. Fillimisht informacioni mund të kufizohet në njoftimin se dokumentet ekzistojnë dhe i prekuri mund t’i shqyrtojë ato.
3. Me kërkesë nga i prekuri, Autoriteti i garanton atij shqyrtimin e dokumenteve që ekzistojnë dhe që janë përgatitur për personin e tij, si dhe dorëzimin e dublikatave të dokumenteve. Në dublikata bëhen të palexueshme të dhënat personale mbi të prekur të tjerë apo palë të treta.
4. Kur në dokumentet ekzistuese dhe të përgatitura për personin e prekur, të cilat janë shqyrtuar nga i prekuri apo për të cilat janë marrë dublikata, ka pseudonime të bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit të Shtetit që kanë grumbulluar ose vlerësuar informacione mbi të apo të punonjësve të ish-Sigurimit të Shtetit që i kanë përpiluar ato, atëherë, me kërkesë të të prekurit, atij i bëhen të ditur emrat e bashkëpunëtorëve dhe punonjësve dhe të dhëna të tjera identifikuese që gjenden në dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe që mundësojnë identifikimin e këtyre personave. Ky parashikim zbatohet edhe për persona të tjerë të cilët kanë informuar me shkrim mbi të prekurin, kur përmbajtja e informacionit të dhënë prej tyre mund të ishte në dëm të të prekurit.
5. Pika 4,e këtij neni nuk zbatohet kur bashkëpunëtori, punonjësi apo informatori i ish-Sigurimit të Shtetit nuk kishte mbushur moshën 18 vjeç në kohën e kryerjes së veprimtarisë kundër të prekurit.
6. Parashikimet e këtij neni zbatohen edhe për palët e treta, me kusht që kërkuesi të paraqesë të dhëna, në kërkesën e tij, që mundësojnë lokalizimin e informacioneve. Informacioni jepet vetëm atëherë, kur angazhimi i nevojshëm për gjetjen dhe vënien në dispozicion të informacionit është në përpjesëtim të drejtë me interesin e argumentuar të kërkuesit në marrjen e këtij informacioni.
Neni 22
E drejta për informim e të afërmëve të të vdekurve apo të të zhdukurve
1. E drejta për të kërkuar informacion mbi ekzistencën e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit për personat e vdekur dhe të shpallur të zhdukur, si dhe për shqyrtimin e dokumenteve dhe vënien në dispozicion të dublikatave të tyre, u njihet edhe të afërmëve të tyre, sipas kësaj radhe përparësie:
a) fëmijëve;
b) bashkëshortëve;
c) fëmijëve të fëmijëve, kur personat e parashikuar në shkronjat “a” dhe “b” kanë vdekur ose janë shpallur të zhdukur;
ç) prindërve, kur personat e parashikuar në shkronjat “a”, “b” dhe “c” kanë vdekur ose janë shpallur të zhdukur;
d) vëllezërve dhe motrave, kur personat e parashikuar në shkronjat “a”, “b”, “c” dhe “ç”, kanë vdekur ose janë shpallur të zhdukur;
dh) fëmijëve të vëllezërve dhe motrave, kur personat e radhëve të mësipërme kanë vdekur ose janë shpallur të zhdukur.
2. Të afërmëve u vihet në dispozicion informacioni sipas pikës 1, të këtij neni, me kërkesë dhe për këto qëllime:
a) Për rehabilitimin e të vdekurve apo të zhdukurve;
b) Për ruajtjen e të drejtave të personalitetit të të vdekurve apo të zhdukurve, në veçanti për sqarimin e akuzës së bashkëpunimit me ish-Sigurimin e Shtetit;
c) Për të qartësuar fatin e të vdekurve apo të të zhdukurve.
3. Të afërmit, sipas pikës 1, të këtij neni, bashkë me kërkesën për informacion, duhet të qartësojnë dhe verifikojnë, me dokumentet përkatëse, lidhjen e tyre me personin e vdekur apo të zhdukur dhe të argumentojnë qëllimin e kërkesës.
4. Në kërkimin e informacioneve sipas këtij neni dhe dhënien e përgjigjeve përkatëse zbatohen, për aq sa është e mundur, përcaktimet e nenit 20, të këtij ligji.
5. Ky nen nuk zbatohet në rastet kur personi i vdekur ose i zhdukur ka shprehur, përpara vdekjes ose zhdukjes, me shkrim, vullnetin e tij për moszbulimin e informacioneve të kërkuara ose kur ky vullnet mund të provohet qartësisht nga rrethana të tjera.
Neni 23
E drejta për informim e bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit të Shtetit
1. Autoriteti u jep bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit të Shtetit informacion për dokumentet që ekzistojnë dhe që janë përgatitur për ta, me kërkesën e tyre. Informacioni mund të përfshijë edhe një përshkrim të llojit dhe vëllimit të veprimtarisë, një përshkrim të rrethit të personave mbi të cilët është raportuar, si dhe periodicitetin e raportimeve.
2. Me kërkesë të tij, bashkëpunëtorit i garantohet e drejta e njohjes dhe shqyrtimit të dokumenteve të hartuara për të dhe i dorëzohen dublikata të tyre. Në dublikata duhet të bëhen të palexueshme informacionet personale për të prekurit apo palët e treta.
3. Me kërkesë të tij, bashkëpunëtorit i jepet informacion mbi raportet e përpiluara prej tij dhe i garantohet shqyrtimi i këtyre raporteve, kur ai argumenton interesin e ligjshëm për njohjen me këto dokumente. Pavarësisht këtij parashikimi, interesi i të prekurve apo palëve të treta në ruajtjen e fshehtësisë së informacioneve, prevalon mbi interesin e bashkëpunëtorit.
Neni 24
E drejta për informim e të favorizuarve
1. Për garantimin e së drejtës për informim mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit për të favorizuarit, zbatohenpikat 1 dhe 2,të nenit 23, të këtij ligji.
2. I favorizuari, në kërkesën e tij për Autoritetin, duhet të japë të dhëna që mundësojnë gjetjen e informacioneve.
3. Pika 1,e këtij neni, nuk zbatohet në rast konkurrimi të inetersit të të favorizuarit me një interes publik.
Seksioni 2
E drejta për informim e institucioneve kushtetuese, autoriteteve publike dhe personave privatë
Neni 25
Informimi i institucioneve kushtetuese, autoriteteve publike dhe organizmave joshtetërorë
1. Autoriteti njofton, u krijon mundësi aksesi tek dokumentet dhe u lëshon dokumente institucioneve kushtetuese, autoriteteve publike dhe organizmave joshtetërorë, në masën dhe për qëllimet që e lejon ky ligj.
2. Intitucioni kushtetues dhe autoriteti publik i drejtohet Autoritetit me kërkesë për informim mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit për qëllime të përmbushjes së funksioneve të tij.
3. Autoriteti, përpara përgjigjes, kontrollon nëse kërkesa për njoftim, shqyrtim apo dorëzim dokumentesh:
a) përmban një qëllim të lejueshëm përdorimi;
b) është në kuadrin e detyrave të kërkuesit dhe deri në çfarë mase;
c) përdorimi është i domosdoshëm për qëllimin e deklaruar.
4. Për kërkesat e paraqitura nga gjykatat, prokuroritë ose Policia Gjyqësore, Autoriteti kryen verifikimet e përcaktuara në pikën 3, të këtij neni, vetëm kur dhe për aq sa ekzistojnë arsye për kryerjen e këtij verifikimi.
5. Autoriteti i jep informacionet me shkrim, përveçse kur është e nevojshme një formë tjetër e dhënies së tyre.
6. Kur kërkuesi çmon se kërkesa e tij duhet të trajtohet me përparësi, ai argumenton nevojën dhe urgjencën në kërkesë. Për qëllime të zbatimit të dispozitave të këtij kreu, konsiderohen nevojë urgjente rastet kur:
a) informacioni i kërkuar nevojitet për qëllime rehabilitimi, dëmshpërblimi, shmangie të cenimit të jetës private apo të dëmit moral ose shkarkimin nga akuza e bashkëpunimit me ish-Sigurimin e Shtetit;
b) informacioni kërkohet për qëllime të verifikimit të personave sipas parashikimeve të nenit 28 të këtij ligji;
c) informacioni kërkohet për qëllime të hetimit, ndjekjes penale dhe parandalimit të krimit.
7. Kur njoftimi për ekzistencën e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe përmbajtjes së tyre nuk është i mjaftueshëm, Autoriteti u krijon subjekteve të këtij neni mundësinë e njohjes dhe shqyrtimit të dokumenteve.
8. Autoriteti i dorëzon dokumentet kur subjektet e këtij neni, në kërkesë, argumentojnë se njoftimet dhe shqyrtimi nuk mjaftojnë. Dokumentet origjinale dorëzohen vetëm kur kjo është e domosdoshme për qëllime të provës në procedime penale. Dokumentet origjinale të dorëzuara i kthehen menjëherë Autoritetit, sapo nuk nevojiten më për qëllimin e kërkuar. Kur dokumentet përmbajnë të dhëna personale mbi personin të cilit i referohet kërkesa dhe të dhëna për të prekur të tjerë apo palë të treta, zbatohen pikat 3 dhe 4, të nenit 20, të këtij ligji.
Neni 26
Përdorimi i dokumenteve që nuk përmbajnë të dhëna personale
1. Autoriteti lejon përdorimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit, sipas parashikimeve të këtij kreu, kur ato nuk përmbajnë të dhëna personale mbi të prekur apo palë të treta, për qëllimet e mëposhtme:
a) rehabilitimin e të prekurve, të vdekurve apo të zhdukurve;
b) dëmshpërblimet në përputhje me legjislacionin në fuqi;
c) ruajtjen e të drejtave të personalitetit dhe shmangies së dëmit moral;
ç) qartësimin e fatit të të humburve, të të zhdukurve dhe të rasteve të pasqaruara të vdekjeve;
d) verifikimet e zyrtarëve në përputhje me kërkesat drejtuar Autoritetit nga institucionet kushtetuese dhe autoritetet publike, sipas nenit 28, të këtij ligji;
dh) verifikimet e kandidatëve për funksione të zgjedhshme, në përputhje me kërkesat drejtuar Autoritetit prej tyre;
e) çështjet e medaljeve.
2. Autoriteti vë në dispozicion dokumentacion dhe lejon përdorimin e dokumenteve për qëllime të verifikimit të parashikuar nga shkronja “d”, e pikës 1, të këtij neni, deri më 31 mars 2019.
Neni 27
Përdorimi i dokumenteve që përmbajnë të dhëna personale
1. Autoriteti lejon përdorimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit sipas parashikimeve të këtij kreu, kur ato përmbajnë të dhëna personale mbi të prekur apo palë të treta, për qëllimet e mëposhtme:
a) rehabilitimin e të prekurve, të vdekurve apo të zhdukurve;
b) dëmshpërblimet në përputhje me legjislacionin në fuqi;
c) mbrojtjen e së drejtës për jetë private;
ç) qartësimin e fatit të të humburve, të zhdukurve dhe të rasteve të pasqaruara të vdekjeve;
d) verifikimet e zyrtarëve në përputhje me kërkesat drejtuar Autoritetit nga institucionet kushtetuese dhe autoritetet publike, sipas nenit 28, të këtij ligji;
dh) verifikimet e kandidatëve për funksione të zgjedhshme, në përputhje me kërkesat drejtuar autoritetit prej tyre.
2. Autoriteti vë në dispozicion dokumentacion dhe lejon përdorimin e dokumenteve për qëllime të verifikimit të parashikuar nga shkronja “d”, e pikës 1, të këtij neni, deri në 31 mars 2019.
Neni 28
Kërkesa për informimi mbi zyrtarë përpara emërimit/promovimit
1. Autoriteti ka detyrimin t’i përgjigjet çdo kërkese të institucioneve kushtetuese dhe autoriteteve publike lidhur me ekzistencën e informacioneve në dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit, kur kjo kërkohet në kuadër të vlerësimit, sipas legjislacioneve përkatëse, të cilësive etike, morale dhe profesionale të kandidatëve për t’u emëruar apo promovuar në pozicione të tilla si:
a) President i Republikës;
b) anëtarë të Këshillit të Ministrave, zëvendësministra, funksionarë politikë, anëtarë të Trupës së Nivelit të Lartë Drejtues në administratën shtetërore dhe pozicione të barasvlefshme me to;
c) anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, gjyqtarë e prokurorë në gjykatat e prokuroritë e të gjitha niveleve;
ç) anëtarë të Gjykatës Kushtetuese;
d) funksionarë në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë, Gardën e Republikës, oficerë me gradën “Gjeneral” dhe “Kolonel”;
dh) prefektë;
e) drejtues dhe punonjës të Shërbimit Informativ Shtetëror, Shërbimit Informativ Ushtarak dhe çdo njësie tjetër të inteligjencës;
ë) drejtues në Policinë e Shtetit deri në nivel qarku dhe komisariati;
f) drejtuestëpërfaqësivediplomatike;
g) guvernatorëdhezëvendësguvernatorëtëBankëssëShqipërisë;
gj) anëtarëtëAkademisësëShkencave, rektorë, zëvendësrektorë, dekanë,zëvendësdekanënëuniversitetetpublike;
i) drejtor i Përgjithshëm dhe zëvendësdrejtorë të Radiotelevizionit Publik Shqiptar;
j) drejtor dhe zëvendësdrejtor i Agjencisë Telegrafike Shqiptare;
k) çdo person tjetër i dekretuar nga Presidenti apo i zgjedhur nga Kuvendi.
2. Kur kjo kërkohet nga institucionet kushtetuese dhe autoritetet publike përkatëse, për qëllimin e parashikuar në pikën 1, të këtij neni, Autoriteti i informon ato edhe nëse, në periudhën e përcaktuar në nenin 2, të këtij ligji, subjekti për të cilin paraqitet kërkesa:
a) ka qenë anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, anëtar i Komitetit Qendror të PPSh-së, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, kryetar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm, Kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme, ministër apo zëvendësministër i Ministrisë së Punëve të Brendshme, kryetar i degëve të punëve të brendshme, anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim Internimeve, hetues, prokuror, gjyqtar apo ndihmësgjyqtar në procese politike, denoncues apo dëshmitar i akuzës në proceset politike;
b) figuron në dokumente si punonjës, bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit apo i favorizuar, pas mbushjes së moshës 18 vjeç.
Neni 29
Kërkesa për informim nga kandidatë për t’u zgjedhur
1. Autoriteti ka detyrimin t’i përgjigjet çdo kërkese të paraqitur nga kandidatët për deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetarë bashkish apo komunash dhe kyetar këshilli qarku, në lidhje me ekzistencën për ta të informacioneve në dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit, kur kjo kërkohet prej tyre për qëllime të transparencës së figurës, gjatë fushatave elektorale.
2. Kur kjo kërkohet nga subjektet dhe për qëllimin e parashikuar në pikën 1, të këtij neni, Autoriteti i informon ato edhe nëse, në periudhën e përcaktuar në nenin 2, të këtij ligji, kërkuesi ka qenë:
a) anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, anëtar i Komitetit Qendror të PPSh-së, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, kryetar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm, Kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme, ministër apo zëvendësministër i Ministrisë së Punëve të Brendshme, kryetar i degëve të punëve të brendshme, anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim Internimeve, hetues, prokuror, gjyqtar apo ndihmësgjyqtar në procese politike, denoncues apo dëshmitar i akuzës në proceset politike;
b) punonjës, bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit apo i favorizuar, pas mbushjes së moshës 18 vjeç.
3. Kur dokumentet përmbajnë të dhëna personale mbi të prekur të tjerë apo palë të treta, zbatohen pikat 3 dhe 4, të nenit 20, të këtij ligji.
Neni 30
Bashkëpunimi me komisionet hetimore parlamentare
Autoriteti bashkëpunon dhe u vë në dispozicion, me kërkesën e tyre, informacionin e disponuar komisioneve hetimore parlamentare, veprimtaria e të cilëve bën të nevojshme njohjen dhe shqyrtimin e dokumenteve të administruara prej tij.
Neni 31
Informimi për qëllime të hetimit, ndjekjes penale dhe parandalimit
të krimit
1. Autoriteti bashkëpunon dhe u vë në dispozicion informacione, me kërkesë të tyre, gjykatës, prokurorisë dhe Policisë Gjyqësore, kur kjo i ndihmon veprimtarisë hetimore, ndjekjes penale, gjykimit të drejtë në procese penale, si dhe parandalimit të krimit apo shmangies së rrezikut për sigurinë publike.
2. Për zbatimin e pikës 1, të këtij neni, zbatohen rregullat dhe procedurat e parashikuara në këtë kre.
3. Kur Autoriteti, gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tij, konstaton informacione që përbëjnë arsye për të besuar se ekziston rrezik për vepra penale apo për sigurinë publike, i njofton subjektet e parashikuara në pikën 1, të këtij neni, kryesisht, pa kërkesë.
Neni 32
Informimi për qëllime të shërbimeve të inteligjencës
1. Dokumentet që përmbajnë të dhëna personale mbi personat e prekur apo palët e treta, nuk lejohet të vihen në dispozicion ose të përdoren nga shërbimet e inteligjencës apo në favor të tyre, me përjashtim të dokumenteve që përmbajnë të dhëna mbi:
a) punonjësit e shërbimeve të inteligjencës, kur përdorimi i të dhënave është i domosdoshëm për të parandaluar rrezikun për këta punonjës apo për shërbimin e inteligjencës;
b) punonjësit e shërbimeve të tjera të inteligjencës, kur përdorimi i të dhënave është i domosdoshëm për kundërspiunazhin.
2. Dokumentet që nuk përmbajnë të dhëna personale mbi personat e prekur apo palët e treta, lejohen të vihen në dispozicion dhe të përdoren nga shërbimet e inteligjencës, për qëllime të përmbushjes së detyrave të tyre ligjore, sipas pocedurave të parashikuara në këtë kre.
Neni 33
Përdorimi i informacionit
Informacionet që lidhen me persona, të marra në përputhje me parashikimet e këtij kreu, përdoren vetëm për qëllimet për të cilat janë kërkuar, përveçse kur parashikohet ndryshe nga ky ligj.
Neni 34
Njoftimi i të prekurve
1. Kur Autoriteti përcjell informacione, në përputhje me parashikimet e nenit 27, të këtij ligji, të cilat përmbajnë të dhëna personale për persona të prekur, ai i njofton këta të fundit mbi llojin e informacioneve të përcjella dhe marrësin e tyre.
2. Njoftimi, sipas pikës 1, të këtij neni, nuk zbatohet kur Autoriteti vihet në dijeni se i prekuri ka marrë dijeni në forma të tjera ose kur Autoritetit i është komunikuar nga kërkuesi i infomacionit se njoftimi i përcjelljes së dokumenteve, gjatë periudhës së verifikimit të dokumentacionit, do të rrezikonte sigurinë publike apo do të pengonte zbatimin e ligjit.
Seksioni 3
Informimi për qëllime historike, politike dhe nga media
Neni 35
Infomimi për qëllime kërkimore, historike dhe të rivlerësimit politik
1. Në funksion të veprimtarisë hulumtuese dhe kërkimit shkencor, me qëllim rishqyrtimin politik dhe historik të veprimtarisë së ish-Sigurimit të Shtetit apo të edukimit politik, Autoriteti vë në dispozicion, mbi bazë kërkese, dokumentet e mëposhtme:
a) Dokumente që nuk përmbajnë të dhëna personale;
b) Dublikata të dokumenteve në të cilat janë bërë të palexueshme të dhënat personale;
c) Dokumente që përmbajnë të dhëna personale mbipunonjësit, bashkëpunëtorët ose të favorizuarit e ish-Sigurimit të Shtetit, për veprimtari në favor të ish-Sigurimit të Shtetit të kryera pas mbushjes së moshës 18 vjeç;
ç) Dokumente që përmbajnë të dhëna personale mbi persona të historisë së kohës, mbajtës të funksioneve politike, për aq sa bëhet fjalë për informacione që i përkasin rolit të tyre në historinë e kohës dhe ushtrimit të funksioneve;
d) Dokumente të tjera që përmbajnë të dhëna personale, nëse paraqiten miratimet me shkrim të personave të prekur;
dh) Dokumente që përmbajnë të dhëna personale mbi të vdekurit, vdekja e të cilëve ka ndodhur të paktën 30 vite më parë.
2. Dokumentet që përmbajnë të dhëna personale vihen në dispozicion vetëm kur nëpërmjet përdorimit të tyre nuk dëmtohen interesat e ligjshëm dhe të drejtat e personave të përmendur në këto dokumente.
3. Për botimin e të dhënave personale të siguruara sipas pikave 1 dhe 2, të këtij neni, zbatohet legjislacioni në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.
4. Në zbatimin e pikave 1 dhe 2, të këtij neni, Autoriteti, kur kjo është e mundur, vë në dijeni personat e prekur për vënien në dispozicion të të dhënave dhe merr në konsideratë kundështimet e mundshme të tyre, duke vlerësuar për çdo rast, interesin privat përkundrejt atij publik.
Neni 36
Shqyrtimi i dokumenteve
1. Për qëllime të kërkimit shkencor dhe edukimit politik, dokumentet mund të shqyrtohen në zyrën e Autoritetit.
2. Me kërkesë të subjekteve të interesuara, kur shqyrtimi i dokumenteve sipas këtij ligji lejohet, mund të lëshohen dublikata. Dublikatat nuk mund të përdoren nga marrësi për qëllime të tjera dhe as të përcillen tek marrës të tjerë.
Neni 37
Informimi i medias
1. Vënia në dispozicion dhe përdorimi i dokumenteve nga media kryhet në përputhje me nenet 35 dhe 36, të këtij ligji.
2. Kur publikimi i të dhënave personale të siguruara sipas këtij ligji, shoqërohet me deklarata të kundërta të personave të përmendur, këto deklarata u bashkëlidhen të dhënave personale dhe ruhen, vihen në dispozicion e lejohet të publikohen, në të ardhmen, vetëm së bashku me deklaratat kundërshtuese.
Seksioni 4
Kundërshtimi i veprimeve të Komisionit
Neni 38
Kërkesa për korrigjime
1. Kur kërkuesit e dokumenteve, sipas përcaktimeve të këtij kreu, si dhe personat e përmendur në to, konstatojnë se në dokumentet dhe të dhënat e vëna në dispozicion nga Autoriteti ka pasaktësi, ata vënë në dijeni Autoritetin, duke paraqitur kërkesë për korrigjimin e të dhënave.
2. Kërkesa për korrigjimin e të dhënave përmban evidentimin e qartë të informacionit të pasaktë, arsyet e vlerësimit të këtij informacioni si të pasaktë, identifikimin e pjesëve ku ka vend për saktësime, si dhe të dhëna apo dokumente që vërtetojnë pretendimet për pasaktësi dhe që ndihmojnë në saktësimin e informacionit. Kur kërkuesi nuk disponon të dhëna apo dokumente të tilla, por është në dijeni të vendndodhjes së tyre, ai vë në dijeni Autoritetin për këtë fakt.
Neni 39
Korrigjimet
1. Me marrjen e një kërkese sipas nenit 38, të këtij ligji, Autoriteti vihet në lëvizje për të verifikuar pretendimet e kërkuesit.
2. Kur nga dokumentet e paraqitura nga kërkuesi, sipas pikës 2, të nenit 38, apo nga kërkimet e Autoritetit provohet pretendimi për pasaktësi, Autoriteti bën korrigjimet përkatëse në dokumente.
3. Dokumentet e korrigjuara sipas këtij neni, ruhen dhe vihen në dispozicion, në të ardhmen, së bashku me korrigjimet përkatëse.
Neni 40
Ankimi gjyqësor
Ndaj refuzimit të Autoritetit për t’iu përgjigjur një kërkese për informacion sipas këtij kreu, paraqitet ankim në gjykatë.
KREU V
DISPOZITA PËRFUNDIMTARE
Neni 41
Kundravajtje administrative
1. Në kuptim të këtij ligji, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen me gjobë nga 100000 (njëqind mijë) deri në 200000 (dyqind mijë) lekë, shkeljet e mëposhtme:
a) Mosvënia në dijeni e Autoritetit sipas parashikimeve të pikës 6, të nenit 13, të këtij ligji;
b) Mosdorëzimi i dokumenteve Autoritetit sipas parashikimeve të nenit 15, të këtij ligji.
2. Në konstatimin e shkeljes, marrjen e vendimit dhe përcaktimin e masës së gjobës për çdo kundërvajtje, Autoriteti zbaton legjislacionin në fuqi për kundravajtjet administrative.
Neni 42
Aktet nënligjore
1. Kuvendi, brenda një muaji nga hyrja në fuqi e këtij ligji, miraton rregulloren e organizimit dhe funksionimit të Autoritetit, mbështetur në parimet e parashikuara nga neni 4, i këtij ligji, dhe strukturën e oganikën e Sekretariatit Teknik.
2. Autoriteti, brenda një muaji nga krijimi i tij, miraton rregulloren e brendshme të tij, mbështetur në parimet e parashikuara nga neni 4, i këtij ligji.
Neni 43
Dispozitë tranzitore
1. Brenda një muaji nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Kuvendi zgjedh anëtarët e Autoritetit.
2. Brenda dy muajve nga ngritja e Autoritetit, rrjeti arkivor i Republikës së Shqipërisë paraqet informacion pranë Autoritetit dhe vë në dispozicion të tij informacionet dhe dokumentet e kërkuara prej tij, sipas këtij ligji.
Neni 44
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.