Projekt-rezoluta për krimet e komunizmit, Gjekmarkaj: Të hetohet e kaluara, të kërkohet falje…
Deputeti Agron Gjekmarkaj, duke folur për projekt-rezolutën për krimet e komunizmit në seancën plenare, vuri në dukje se nuk është kërkuar falje për krimet e diktaturës.
Duhet të reflektojmë mbi të kaluarën, që të mos përsëritet më, tha deputeti, ndërkohë që kërkoi hetime pasi “nuk mund të jetohet me zhgënjimin e tmerrshëm të drejtësisë”.
Fjalimi i plotë i Agron Gjekmarkaj:
Mbi nevojën e një reflektimi kombëtar për krimet e komunizmit
Asnjëri prej nesh nuk e zgjedh trashigiminë e tij por secili prej nesh ka mundësi të reflektojë mbi të. Kjo vlen për një shoqëri të emancipuar. Kur kjo nuk ndodh historia përsëritet.
Të jesh pinjoll i atyre që luftuan kundër diktaturës dhe u burgosën prej saj, në vetvete ke trashëguar fatin e keq të provosh represionin, persekutimin por edhe krenarinë e të qënit në anën e drejtë të lirisë, humanizmit e dinjitetit njerzor.
Shumë kush kundershtinë e pat zgjedhje të vetëdijshme, të tjerët të vetëdijshëm nënshtrimin. Të parët janë heronj, të dytët njerëz. Heronjtë krijojnë shembullin, njerëzit duhet të mësojnë prej forcës së tij që depersonalizimi mos të mbetet oferta e vetme për ta.
Gjithmonë diktaturat fillojnë si një imponim i armatosur i pakicës ndaj shumicës dhe përfundojnë në konsensus psikologjik frike të shumicës ndaj pakicës. Por gjithmonë është dikush i cili qëndron.
Nga kjo masë njerëzore dalin individët të cilët shpëtojnë dinjitetin e një kombi përballë historisë.
Po ju citoj vetem pak emra, klerikë, luftëtarë, shkrimtarë, të zakonshëm që u kthyen në të jashtëzakonshem. I vetëdijshëm për padrejtesinë që po ju bëj shumë të tjerve, At Gjon Shllaku, At Mati Prenushi, At Benedin Palaj, Dom Mikel Koliqi, Prek Cali, Llesh Gjomarkaj, Hafiz Ali Korça, Skender Daja, Pal Zefi, Dervish Peka, Hajro Pashai, Trifon Xhagjika, Vilson Blloshmi, Genc Leka, Musine Kokalari, Sabiha Kasimati e qindra të tjerë janë gurët e themelit mbi të cilat rri ngrehina e moralit publik si aspiratë.
Të qënit në atë anë të mëson të falesh, të mëshirosh të ngjashmin tënd që u shndërrua në instrument shtazarie. Po kaq ke gjetur rrugën të bashkëjetosh me zhgënjimin e tmerrshëm të mungesës së drejtësisë, të pritjes që dikush të të kerkojë falje, që dikush të reflektojë mbi të kaluarën, që dikush qoftë edhe në agim apo muzg, në majë të gishtave të të lërë një pusullë që nuk mbërrin kurrë me fjalën, ndjesë. Kjo nuk ndodh !
Për çudi shoh zgorrça, të sigurimit të shtetit, hetues, prokuror që japin intervista shplarjeje në media, me një dialekt të papërpunuar nga koha, ku shquhen togëfjalëshat “Partia tënë’’, ‘’Djali tonë’’, ‘’Enveri inë’’, vetë poshtërsia njerzore, tek predikojnë se çfarë është demokracia, teksa bërtasin Europa Europa, Amerika, Amerika, bash ata që të merrnin gjak në vetull per Titon, Stalinin, Maocedunin, Enverin po e po. Vend i vogël Shqipëria me shakara të mëdha!
Ndërsa shteti yt, institucionet e tij e shndërrojnë persekutimin dhe krimet e komunizmit në folklor politik, në diçka për të cilën duhet folur duke qeshur, me një ndjenjë bezdie, me çarje koke për temën që përsëritet.
Të jesh pinjoll i atyre që ndërtuan diktaturën më të egër, të atyre që lyen duart me gjak, që nuk u ngopën me vuajtjet e tjetrit, që nëperkëmben dinjitetin e Shqipërisë me izolim e varfëri ekstreme nuk është faj, përsëri është fat. As ata, nuk e kanë fuqinë ti zgjedhin paraardhësit.
Mungesa e respektit dhe kurajos për të reflektuar mbi ta, padëshira për të kërkuar falje dhe më e keqja krenaria për ta, estetizimi i krimeve i ka hapur rrugën ndarjes, thyerjes antropologjike, së njëjtes mendësi, eksportimit të njeriut të ri në demokraci.
Fat i keq mund të shndërrohej në leksion etik pozitiv nëse pasardhësit braksin krenarinë kriminalë të së shkuarës.
E ka bërë në vetë të parë vetem Liri Belishova, dhe Bashkim Shehu i biri i Mehmet Shehut dhe deri diku Bedri Spahiu, askush tjetër. Shqiptaret janë pak për tu gezuar mbi fatkeqësitë që i kanë shkaktuar vetvetes dhe njëri tjetrit.
Dekomustizimi duhej të ishte një proces njësoj si denazistifikimi dhe defashistizimi.Në vendet perendimore për shumë pasardhësit e gjerarkëve u zhduken nga jeta publike edhe pse nuk kishin faj, e kur u shfaqen përunjësisht edhe pse nuk ishin të obliguar kërkuan falje. Në Shqipëri, partia e cila mori trashigiminë njerëzore, politike, elektorale madje edhe kulturore të diktatures nuk e bëri kurrë këtë, perkundrazi.
Vetëm e vërteta na bën të lirë dhe një pjesë të madhe të saj duhet ta kërkojmë tek librat e At Zef Pllumit, të Konrad Gjolajt, Sami Repishtit, Arshi Pipes, Agim Mustes, Uran Kostrecit, Fatos Lubonjes, Ahmet Bushatit, Spartak Ngjeles, Visar Zhitit e shumë të tjerve, vepra këto që duhej ti ketë çdo antologji apo tekst shkollor si ilaçi më i mirë kundër harresës dhe mendësisë autoritare që kanë mbuluar qiellin tonë.
Sa herë me emocion kujtoj vargjet e Naim Frashërit “ Ti Shqipëri më jep nder me jep emrin shqipëtar” , kam ndër të tjerë parasysh të gjithë ata burra e gra dëshmorë e viktima që u përballen me diktaturën komuniste. Ndërgjegjia jonë ka nevojë gjithmonë për ta!