Projektet e mandatit të tretë, Veliaj: Nga kampuset universitare tek terminalet e autobusëve dhe lagjet e reja

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj këtë mbrëmje ka folur për zgjedhjet e ardhshme lokale, ku ai është konfirmuar nga PS-ja për një mandat të tretë. Për të Bashkia e Tiranës, që ai drejton, ka bërë çdo ditë një punë konkrete dhe se nuk pret periudhën zgjedhore për të shtuar ritmin.

“Sot jetojmë në atë kohë që i përket një fushate të përhershme. Ne jemi përditë në fushatë. Pra, nëse s’ka një ditë që ne s’kemi bërë një punë konkrete, atëherë ne s’jemi të denjë për këtë punë. Më rezulton që çdo ditë kemi bërë diçka konkrete. Mund të ketë qenë një investim, një kopësht, një shkollë, një çerdhe, një sasi pemësh të mbjella, një park, një pistë, një palestër, një rrugë e re, një trotuar. Përsa kohë që çdo ditë punohet, nuk e dalloj dot kur është fushatë dhe kur s’është, se nuk punoj me atë ide. Nuk mendoj se ka një kohë kur duhet të shtojmë ritmin, sepse besoj se kush është i mirë dhe kush ka ngritur një skuadër, punon me të njëjtin ritëm tërë kohën”, nënvizoi Veliaj në një intervistë në emisionin “Publikisht”, në RTSH.

Duke folur për investimet publike, Veliaj deklaroi prioritetet e punës së tij në vitet në vijim. “Dua shumë që vitin tjetër të përfundojmë Piramidën. Kemi hyrë në fazën finale. Tirana është një kantier dhe ka punë për mandatin e 3 dhe për më tej. Por dua që në mandatin e 3-të të kemi mbyllur përfundimisht disa nga këto projekte madhore. Do ketë përfunduar unaza dhe njëherë e mirë e zgjidhim këtë histori. Javës tjetër do hapim disa shkolla të reja, në fund të kësaj fushate të madhe të 40 shkollave të reja.

Janë ndërtuar më shumë shkolla në Tiranë që nga koha e çlirimit në këtë mandat. Gjatë mandatit të 3-të besoj kryhen këto veprat madhore: Mbaron unaza, mbarojnë 2 terminalet, mbaron “Piramida”, mbaron kampusi i ri universitar. Kemi bërë një punë shume të bukur. Jam shumë krenar për punën në Universitetin Bujqësor, por e njëjta punë duhet replikuar edhe në Qytetin Studenti, ku po mbarojmë masterplanin dhe detajimin e projektit.

Sigurisht që mandatin tjetër përfundojnë njëherë e mirë lagjet, jo vetëm si masa sociale për të strehuar njerëzit që u prekën nga tërmeti, por realisht për t’i dhënë lagjeve një dimension të ri dhe në “Kombinat” dhe te “5 maji”. Kopshti Zoologjik ka dalë mrekulli, por duhet të bëjmë botanikun. Prapë kemi ngecur”.- tha Veliaj.

SHKARKO APP