Projekti i Portit të Durrësit do bëhet. 76 vota pro dhe 35 kundër! Mungon në votim Rama
Pas një seance maratonë në Kuvendin e Shqipërisë, maxhoranca dhe qeveria ka miratuar marrëveshjen për Portin e Durrësit, pas 14 orëve debate të forta dhe akuza për Portin e Durrësit. Me 76 vota pro dhe 35 kundër, Kuvendi i hapi rrugën investimit 2.1 miliardë eurosh.
Të pranishëm në sallë ishin 107 deputetë, ku ia vlen të theksohet që kryeministri Edi Rama mungoi, por edhe ministrja e Ekonomisë dhe Financave, edhe pse prezente në sallë, nuk votoi. Në përfundim të votimit, socialistët duartrokitën në atë që e quajnë një marrëveshje që do i sjellë vendit një bum ekonomik.
“Projektligj “Për miratimin e marrëveshjes kuadër, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Eagle Hills Real Estate Development, Albanian Seaports Development Company, sh.a. dhe Nshmi Development L.L.C, në lidhje me projektin e investimit strategjik “Marina & jahtet e Durrësit””.
Projekti për portin e Durrësit do të zhvillohet në një sipërfaqe trualli prej 812 600 m2, që nga investimi, i kalon në pronësi kompanive. Parashikohen 12 000 apartamenteve dhe 2 hoteleve me 850 dhoma në total. Projekti parashikon 80 000 metër katror hapësira të gjelbra, ose hapësira të hapura dhe një gjatësi plazhi 700 metra.
Faza e parë nis në 2023-shin e zgjat për 5 vite, investimi është rreth 1 miliardë e gjysmë euro dhe marrëveshja ka një jetëgjatësi prej 35 vitesh, nga e cila qeveria ka 33.3% të dividentit.