Projekti për Parkun e Liqenit, Tabaku: Veliaj të kundërshtojë konkursin
Pas shtyrjes së verdiktit të konkursit për rehabilitimin e zonës në hyrje të Parkut të Liqenit të Tiranës deri në shtator, Jorida Tabaku ka reaguar mëngjesin e së mërkurës në lidhje me premtimet dhe zotimet e marra përsipër gjatë fushatës për kryebashkiak të Erion Veliajt dhe përplasjes së tyre me faktet e qeverisë “Rama”, planin e fshehtë – siç e cilëson ajo, – për betonizimin e sheshit “Nënë Tereza” dhe hyrjes së Parkut të Liqenit.
“Rama dhe Veliaj, edhe sot vazhdojnë e heshtin për pallatet dhe ndërtimet komerciale që kishin planifikuar në hyrje të Parkut të Liqenit. Sigurisht që pseudokonkursi i shpallur në mënyrë tinzare ishte një vegël klienteliste për të filluar zbatimin e planit të betonizimit të sheshit “Nënë Tereza” dhe hyrjes së Parkut të Liqenit të Tiranës, ende pa marrë postin e kryetarit të Bashkisë nga Erion Veliaj. Juve ju kujtohen përgjërimet dhe premtimet gjatë fushatës për moratoriumin 3-vjeçar të ndërtimeve, zgjerimin e vijës së gjelbër të Parkut dhe jo betonizimin. Ndërtime që do të ishin në periferi e jo në zonat me intensitet të lartë. U premtua madje edhe se çdo pronë private do të shprivatizohej për t’u kthyer në hapësirë të gjelbër e publike. Ndërkohë që kishte muaj që ishte shpallur një konkurs pa dijeninë e publikut, ku ishin propozuar rreth 10 projekte për të betonizuar hyrjen e Parkut të Liqenit. Sot të gjithë i kuptojnë milionat e hedhura gjatë fushatës për Tiranën dhe arsyen përse PS me çdo kusht përpiqej të merrte Bashkinë e Tiranës: thjesht për të vazhduar farsën klienteliste, betonizimin e Tiranës dhe modelin e ndjekur gjatë 11 viteve të kryesuara prej Edi Ramës. Nuk do të jetë e largët dita kur do të shohim të njëjtin projekt edhe për sheshin “Skënderbej”, për betonizim aty ku ka hapësira publike, sepse ato privatet do të kthehen në hapësira të gjelbërta, ashtu sikurse nuk do të jetë e largët kur të shohim të gjithë Parkun e Liqenit të Tiranës të betonizuar. Kjo është arsyeja përse u bllokua projekti i rigjallërimit të sheshit “Nënë Tereza”, apo të tjera të Bashkisë së Tiranës, sepse qeveria kishte shpallur në mënyrë të fshehtë dhe tinzare konkurse për të realizuar qëllimet e tyre klienteliste”, u shpreh Jorida Tabaku, deputete e opozitës.
Megjithatë, këtë shtyrje të vendimit të konkursit, Tabaku ia faturon asaj që e konsideron si presion të opozitës, por edhe të zërave të pavarur të medias dhe shoqërisë civile. Më tej, ajo i bën thirrje kryebashkiakut të ri të Tiranës, Erion Veliaj, që të dalë e të shprehet kundër ndërtimeve të reja, që – sipas saj, – do t’i zënë frymën qytetarëve të Tiranës.
“Falë presionit të opozitës dhe zërave të pavarur të medias dhe shoqërisë civile, vendimi i konkursit u shty për në shtator, por nëse ky presion do të vazhdojë atëherë ne do të ndalim ndërtimet në hyrje të Parkut të Liqenit të Tiranës. I bëj thirrje kryetarit të ri të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, që nuk lë rast pa u shfaqur në televizor por që ditët e fundit është zhdukur, të dalë e të deklarojë se nuk ka për të lejuar ndërtime që do t’i zënë frymën qytetarëve të Tiranës.