Projektligji për mediat “online”/ Gazetarët dhe OSBE kundër AMA-s si gjykatë
Nga Zëri i Amerikës
Në Shqipëri komuniteti i gazetarëve, shoqatat që mbrojnë të drejtat e tyre dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë po kundërshtojnë me forcë projektin e qeverisë për shpifjen.
Kritikat kryesore lidhen me atributet e reja të Autoritetit të mediave audiovizive, që merr rolin e gjykatës.
Ndryshimet e propozuara nga qeveria parashikojnë që mediat online në rast shkelje mund t’i drejtohen gjykatës, vetëm pasi të kenë paguar gjobën e vendosur nga Këshilli i ankesave në AMA.
Për portalet me burime të kufizuara financiare kjo do të thotë mbyllje e tyre pasi edhe ankimimi në gjykatë, për një vendim në favor të tyre, është një rrugë e gjatë, nisur nga mbingarkesa e Gjykatave administrative.
Autoritetet thonë se drafti për shpifjen synon të rregullojë hapësirën online, dhe se gjatë diskutimeve në komisione parlamentare në vjeshtë ai mund të përmirësohet.
Qeveria pas shumë debatesh ka dërguar në Kuvend draftin antishpifje që parashikon ndërhyrje në tre ligje dhe në një vendim të këshillit të ministrave. Që prej dhjetorit të vitit të kaluar në bisedime janë përfshirë disa organizata mediatike, Autoriteti i mediave audiovizive, ai i komunikimeve elektronike, dhe përfaqësues të OSBE. Qeveria është tërhequr disa herë nga draftet e saj duke i ripunuar, por edhe drafti final e ka lënë të pakënaqur përfaqësinë mediatike. Autoritetet thonë se kjo nisëm synon të vendosë rregull në hapësirën online dhe nuk ndërhyn në median tradicionale.
“Kjo vjen edhe si tendencë ndërkombëtare. Përgjithësisht hapësira online po konsumon shumë nga jeta e qytetarëve dhe është e rëndësishme që siç ata mbrohen në jetën e përditshme të mbrohen dhe nga hapësira online”- shpjegon Fjoralba Caka, Zv Ministre e Drejtësisë.
“Drafti antishpfije krijon atë që unë e quaj AMA gjykatën, që do të thotë që ngre një institucion që të dënon pa gjyq”-thotë Elvin Luku, drejtues i Medialook.
“Një akt i tillë jo vetëm që e provokon të drejtën dhe parimet themelore të gazetarisë në pavarësinë e vet, por në një pikpamje ekskludon dhe të drejtën e çdo personi që penalizohet sipas këtij projektligji, për ta dërguar atë në gjykatë”- pohon Aleksandër Çipa, Kryetar i Unionit të gazetarëve shqiptarë.
Zv.Ministrja e drejtësisë shpjegon rolin e AMA në draftligj, duke veçuar disa elementë që sipas ekspertëve të fushës janë atribute të gjyqësorit.
“Vetëm nëse portali refuzon ta heqë matërialin që bazohet në fakte të paqena, atëherë individi ka të drejtën të shkojë tek AMA. Dhe AMA sërish e fton portalin ose subjektin tjetër mediatik, që të paraqesë argumentat e kundërta duke i lënë 48 orë kohë. Është munduar ligji të krijojë atë që konsiderohet kontradiktoritet mbi faktet”,- shpjegon Fjoralba Caka, Zv Ministre e Drejtësisë.
“Qytetarët kanë të drejtë ta mbrojnë dinjitetin, por kjo duhet të shkojë përmes një proçesi gjyqësor. Një trupë administrative si AMA nuk mund të zëvendësojë gjykatën”- argumenton Besar Likmeta, gazetar i BIRN.
Qeveria ka hartuar disa variante të draftit antishpifje dhe në asnjë rast nuk ka marrë miratimin final të komunitetit të gazetarëve të BE, dhe OSBE. Edhe variant i ripunuar i saj që është dërguar në Kuvend ka ngjallur sërish shqetësime. OSBE shprehu rezerva që projektligji i jep rolin e gjykatave agjensive rregulluese AMA dhe AKEP.
“Përpara se OSBE të përgatiste raportin final, qeveria me një VKM, e injoroi opinionin e OSBE dhe e dërgoi draftin në Kuvend për shqyrtim dhe miratim”- thotë Elvin Luku, drejtues i Qendrës Medialook.
“Projektligji u jep shumë kompetenca agjenesive rregullese AMA dhe AKEP, që janë mbikqyrës të sistemit të transmetimeve. Ato nuk duhet të marrin rolin e gjykatësit për rastet e shpifjes përshembull, ose për raste të tjera që u takojnë gjykatave t’i zgjidhin”- u shpreh për Zërin e Amerikës Harlem Desir, përfaqësues i OSBE për lirinë e shtypit.
“Unë besoj se qeveria nuk mund të vazhdojë me kokëfortësi të mbrojë draftet në gjendjen aktuale”- shprehu bindjen Aleksandër Çipa, kryetar i Unionit të Gazetarëve shqiptarë.
“A mund të përmirësohet ligji? Patjetër që në kuvend deputetet mund të ndërhyjnë nëse vënë re se ky propozim mund të përmirësohet diku. Është një ftesë për të gjithë gazetarët, dhe për të gjithë ata që mund të kontribuojnë për ta përmirësuar dhe për të patur një rregullim më të mirë të fushës”- sqaron Fjoralba Caka, Zv Ministre e Drejtësisë.
“Jo vetëm që do të këtë një asistencë dhe monitorim më të posaçëm për ndërhyrjet e mundshme në projektligjin aktual, por dhe interesim për rregullime specifike që janë propozuar nga grupet e interest”- thotë Aleksandër Çipa, kryetar i Unionit të Gazetarëve shqiptarë.
Një prej shqetësimeve të shoqatave që mbrojnë të drejtat e gazetarëve, lidhet me aplikimin e gjobave të njëjta si për subjekte mediatike të mëdha ashtu dhe për portalet me burime financiare të kufizuara.
“Penalitetet që parashikohen që fillojnë nga 100 mijë deri në 1 milion lekë të reja, janë penalitete që në shumicën e rasteve nuk mund të përballohen financiarisht nga gazetarët”- thotë Aleksandër Çipa, kryetar i Unionit të Gazetarëve shqiptarë.
“Gjobat jo vetëm janë të larta, por dhe joproporcionale.Nuk mund të dënosh në të njëjtën formë si nje televizion që ka audiencë të lartë dhe buxhet të konsoliduar dhe një portal të ri që mund të ketë një ose dy vjet ekperiencë”- argumenton Elvin Luku, drejtues i Qendrës Medialook.
“Një nga aspektet ishte pikërisht diferencimi i sanksioneve në bazë të shkeljeve. Ne këtë e kemi pasqyruar dhe në ligj duke bërë një përshkallëzim të sanskioneve. Bllokimi bëhet vetëm për ato që konsiderohen raste të rënda, siç janë përhapja e materialave pornografike për të mitur ose publikimi i materialeve terroriste, apo nxitje të rasteve terroriste”- thotë Fjoralba Caka, Zv Ministre e Drejtësisë.
Përfaqësuesit e shoqatave të mediave vërejnë me shqetësim në draftin e qeverisë faktin se gjoba paguhet pas vendimit të këshillit të ankesave në AMA dhe më pas mund ta ankimosh atë në gjykatë. Për ta kjo do të thotë mbyllje e portalit, kur dihet tashmë se dhe rruga drejt vendimit final në gjykatë është e gjatë. E megjthatë autoritetet mendojnë se reforma në drejtësi do të shmangë zvarritjen e procesve në Gjykatën administrative. Por AMA vihet në qendër të kritikave të gazetarëve edhe për pavarësinë e saj.
“Dhe kontenstimi bëhet pikërisht dhe për mënyrën se si është ndërtuar AMA dhe si zgjidhen anëtarët e bordit, ku 3 propozohen nga opozita 3 nga mazhoranca dhe kryetari zgjidhet me shumicë të thjeshtë, pra praktikisht mazhoranca ka shumicën dhe në bordin e AMA”- pohon Elvin Luku, drejtues i Qendrës Medialook.
“E njëjta gjë vlen dhe për median tradicionale aktualisht, e kontrollon po AMA. I njëjti merak mund të ishte ngritur shumë kohë më parë, për të bërë ndryshimet tek këshilli i ankesave”- thotë Fjoralba Caka, Zv Ministre e Drejtësisë.
“Nëse ne i japim të drejtën një trupë administrative të zëvendësojë gjykatën kjo do të ndikojë në lirinë e medias në Shqipëri, do detyrojë gazetarët të vetëçensurohen”- pohon Besar Likmeta, gazetar i BIRN.
Në Shqipëri veprojnë mbi 800 portale online, dhe deri tani janë regjistruar mbi 270. Qeveria e sheh si domosdoshmëri formalizimin e ketij tregu për disa arsye.
“Konkretisht një nga problemet jo vetëm në Shqipëri por dhe jashtë vendit me portalet, është që portale anonime mund të cënojnë dinjitetin, jetën dhe privacinë e personave të caktuar. Dhe nëse këto protale nuk janë të regjistruar është e pamundur që t’i drejtohesh gjykatës” – pohon Fjoralba Caka, Zv Ministre e Drejtësisë.
“Projektligji në mënyrë të vecantë, nuk merr në konsideratë dhe injoron aspektet vetërregulluese dhe të drejtën për ekzekutime vetërregulluese nga vetë komuniteti I gazetarëve profesionistë”,- thotë Aleksandër Çipa, kryetar i Unionit të Gazetarëve shqiptarë.
Pas 5 vitesh që kur propozoi rikthimin e kriminalizimit të shpifjes qeveria ja doli të dërgojë në kuvend mes kritikash të shumta një draft antishpifje për hapësirën online. E megjithëse ai përmban si penalizim vetëm gjobë dhe jo burg, kundërshtarët shohin mjaft probleme në këtë projektligj që nëse miratohet pa ndryshime sic thonë ata mund të kthehet në një rrezik për lirinë e shprehjes. /VOA/