Projektligji për mjekët e rinj, ministrja Kushi: Jo antikushtetues, u jep mundësi studentëve të zgjedhin
Ministrja e Arsimit dhe e Sporteve, Evis Kushi nga seanca plenare në Kuvend tha se projektligji për studentët e Mjekësisë që pas viteve punë do marrin diplomën, nuk është anti-kushtetues.
”Dua ta theksoj, ligji nuk është antikushtetues. Nuk detyron askënd, u jep mundësi që studentët të zgjedhin. Marrëveshjen e shkruajnë ata që e ndjejnë, që pas diplomimit të punojnë në Shqipëri.
Thelbi është të mbështesim më shumë ata që qëndrojnë në Shqipëri. Ligji jo vetëm që s’është antikushtetues, por është mekanizëm që ne të përmendim detyrimin kushtetues për të plotësuar nevojat për mjekë dhe specialistë. Të plotësojmë nevojat për burime njerëzore.
Shërbimi që marrin sot qytetarët është shumë herë më i mirë nga ai çfarë bëhej para shumë vitesh, por gjithashtu e vërtetë që kemi ende punë për të bërë. Fenomeni i largimit të mjekëve është realitet jo vetëm për Shqipërinë por edhe për rajonin e vendet e BE. Janë 1200 mjekë që janë diplomuar në Shqipëri por që punojnë në institucione shëndetësore të BE apo të OECD. Pra është 20%. Për çdo 10 studentë që diplomohen, 2 prej tyre largohen”,-tha Kushi.