Reagon Berisha/Pronari i dy picerive të njohura “Era” masakrohet nga policia
Reagon Berisha për dhunën policore ndaj një të riu
Te droguar, trafikante, pengmares, rrugaçe, ordinere, jane fyryra e vertet e çunave te krimit te Edvin Shullazit dhe Saje qorrit!
Goditjet shtazarake ndaj biznesmenit Altin Bamllari dhe djalit te tij jane nje akt kriminal i shemtuar i rradhes qe deshmon fytyren e vertet te policise se krimit, shkallen ne te cilen ka degraduar ky institucion i mbushur me trafikante, te droguar, hajdute, pengmarres, nga Edvin Shullazi dhe Saje qorri. Ky akt eshte deshmi e re e banditokracise qe sundon sot ne Shqiperi, pasigurise se madhe ne te cilin jetojne qytetaret shqiptar nga bandat me uniforme, nje krim tjeter shteteror. I bej thirrje prokurorise se shtetit te veproje me rreptesine me te madhe ligjore ndaj ketij akti kriminal te banditeve me uniforme! sb
Dhuna policore ndaj Altin Bamllarit
Rastet e dhunës policore po kthehen në fenomen dhe bashkë me to janë shtuar edhe denoncimet publike. Pronari i dy picerive të njohura në Tiranë me emrin ‘Era’, Altin Bamllari ka rrëfyer se u rrah nga policët bashkë me djalin, për një gjobë të papaguar. Fillimisht i biri ishte ndaluar për një kontroll rutinë për përdorim të pijeve alkoolike. Pasi ai ka rezultuar i rregullt në përdorimin e mjetit, policia ka zbuluar një gjobë të papaguar. Në këtë moment kanë nisur mosmarrëveshjet që përfunduan me rrahjen e djalit dhe të atit.

Rrëfimi i Altin Bamllarit:
Kjo nuk është policia e shtetit, por banda e Arturo Uisë
Sa herë që lexoj lajme për qytetarë të ndaluar me motivacionin e kundërshtimit të policisë së shtetit, unë prirem t’u jap të drejtë uniformave blu sepse e di që ne jemi popull gjaknxehtë dhe jo aq korrekt me respektimin e ligjit.
Por duke e provuar arrogancën policore mbi kurrizin tim, sot dhe në disa raste të tjera, pohoj me hidhërim se nuk është tamam kështu. Fatkeqësisht, ne kemi në anën e mbrojtësve të rendit njerëz që e shkelin ligjin me të dyja këmbët dhe, më e keqja, në emër të tij.
Ne kemi ende një polici të dhunshme dhe manipuluese, që shpesh herë më ngjan me bandën e Arturo Uisë.
Ndjesë për të gjithë policët e thjeshtë dhe drejtuesit e ndershëm, që me pafuqinë dhe mungesën e kurajos identifikohen pa të drejtë me ata që po përdhosin sot uniformën e tyre.
Rasti im mund të mos jetë aq i rëndë në dukje, por trishtimi im është i madh.
Unë e di që shumë prej jush nuk nuk do të zgjidhnit të lexoni një histori me dhunë policore para spektaklit të pritjes së ekipit kombëtar nga vetë ai, Arturo Ui.
Por rasti im është edhe rasti juaj, ndaj kërkoj mbështetje, të paktën morale.
………………
Ora 00:30. Një telefonatë më zgjon nga gjumi. Është im bir që kthehet nga dita e parë e punës në biznesin tonë familjar. E ka ndaluar patrulla e policisë për t’i bërë test alkooli. Sapo është mbyllur e shtuna, ai është 22 vjeç dhe në tubin e policit nuk ka asnjë shenjë sepse im bir, ndryshe nga shumë të tjerë, është mësuar të respektojë rregullat dhe ligjet. Megjithatë, patrulla e natës i kërkon dokumentat. Sërish gjithçka e rregullt. Pastaj polici shikon targat dhe merr qendrën. Pasi i konfirmojnë se mjeti ka një gjobë të papaguar, i shkëlqejnë sytë që qytetari gjendet në faj. “Makina do të bllokohet dhe ti do të vish me ne në qendrën e bllokimit.” (Për ata që s’e dinë, burgu i makinave ndodhet në firifistun dhe të detyrosh me dhunë verbale e gjoja ligjore qytetarët, për më tepër mbas mesnate, të dorëzojnë makinën si ballistët e një filmi të njohur armët nën kërcënimin e partizanëve, është një fyerje cinike dhe e padrejtë.)
Im bir që sapo është kthyer nga studimet, që nuk përdor fjalor rruge, habitet fillimisht për gjobën, pastaj për masën ekstreme dhe më merr në telefon. I them t’u lutet policive që të tregohen të arsyeshëm dhe, nëse makina vërtet paska një gjobë, u thuaj që do ta paguajmë me të zbardhur, ndërkohë që nisem drejt tij. Por këtyre qenieve që ne i paguajmë me taksa dhe gjoba, u mungon arsyeja dhe as që ua ndien për qytetarët e mirë. Ata sikur lumturohen, njëlloj si tatimorët apo ata qindra kontrollorët e tjerë të Arturos, kur të zënë në gabim dhe si mazokistë u shkëlqejnë sytë teksa ta nxijnë jetën me aq sa kanë në dorë.
Sa keq që im bir nuk është djalë deputeti, ministri, sekseri apo gangsteri qe t’ua përplaste në surrat ngërdheshjen, madje edhe t’i tallte me ndonjë barcaletë policësh. E sigurt që do të qeshnin e do t’i thoshin: “të fala babit!” Do t’ia toknin dorën garipçe dhe do ta nderonin si ushtar.
Por im bir, që sapo ka mbaruar një nga universitetet më të mirë të botës, u tregua i sjellshëm dhe priti në makinë. Priti i dyzuar dhe i pasigurt në mirëkuptimin e policisë rrugore.
“Djalosh, nëse s’e lëviz b…. do të thërrasim ndërhyrjen e shpejtë.” Dhe ashtu bëjnë. U flasin lodrave me valë radio dhe në “vendngjarjen e krimit” zbarkojnë rrugorë dhe rendorë të tjerë. Një tufë policësh që ngjajnë si çakejtë para një kërme. Të gjithë me sy inatçorë, gati për t’iu hedhur presë që rri e hutuar në makinë.

Kështu e gjej situatën dhe u prezantohem. Përpara më del një polic pa kapele e pa flokë (që me c’kuptova ishte kapoja e turmës) dhe më reciton me zë të lartë ca nene nga kodi rrugor. Makina jo vetëm do të shkojë në bllokim, jo vetëm që do ta çojë yt bir, por do ta marrim me vete edhe atë në komisariat. Arsyeja.., sepse nuk bëri atë që i thanë dhe kjo quhet mosbindje ndaj policisë së shtetit.
Fytyra e tij më ngjan me fytyrën e një fashisti në ekstazë dhe ligjërata e tij sikur ua ndez nga hici inatin ca policëve servilë. Nuk durova dot stërkalat e pështymës teksa më hakërrehej mbi fytyrë dhe i thashë me neveri se po sillej si një fashist ndaj dy qytetarëve të paqtë. I thashë tim biri të dalë nga makina dhe të dy qëndruam para një lukunie policësh që ishin gati të na zhdëpnin në dru, po qe se këtë donte qerosi.
Në rregull, u them. Nëse doni makinën, merreni! Por tim bir, nuk keni asnjë të drejtë.”
Dhe kështu u kthyejmë kurrizin për t’u larguar. Por kapoja qeros dha urdhër të na ndalojnë, këtë radhë që të dy, dhe policët me të në krye na u vunë pas, derisa na shtrinë përtokë, dhunuan, gjakosën trotuarit dhe na shtrënguan prangat si kriminelë. Pastaj ndezën si nëpër filma policorë sirenat, i rranë kundravajtje një cope të unazës dhe me shpejtësi skëterrë, pa pyetur për semaforë, na degdisën në komisariat, drejt e në birrucë.
…………
Ora 01:15. Polici që na shtrëngoi prangat hapi qitapin dhe filloi të shkruajë në një gjysëmtavolinë në korridorin e komisariatit Nr.2. Emri, mbiemri, atësia, datëlindja, ngjyra e syve, gjatësia… Kur e pyeta nëse mbaruam, më thotë që s’të kam shënuar tatuazhet. E ka ligji, thoshte duke qeshur, ndërkohë që shenjat tona të dhunës ngjanin fiks me ca tatuazhe të freskëta me gjak. Ndërsa ai shkruan si në klasën e parë fillore, ne jemi të detyruar të futemi sërish në birrucë, në pritje të interesimit të miqve tanë. Largqoftë të mos kesh miq sepse mund të rrish aty edhe tre ditë e tre netë të mira.
Sidoqoftë, trajtimi në komisariat, përveç policit dallkauk të prangave, ishte korrekt.
…………..
Ora 05:00. Më në fund, dy “kriminelët” at e bir lihen të lirë. Dikush që na priste jashtë na tregoi imponimin që kapoja qeros e pa kapelë u bënte vartësve të vet për të bërë denoncime ndaj nesh, ndërkohë që ata ngurronin. Motivacioni: për kundërshtim të policisë së shtetit.
Më thanë që na kanë denoncuar në prokurori me arsyen që të jenë një hap para nesh.
…………..

Ora 12:00. Sot nëfamiljen time nuk kishte gjumë. Atë na e prishi policia. Dhe bashkë me gjumin kam frikë se na ka tronditur edhe arsyen. Nuk e fsheh, sadoqë duhet ta mbaj përbrenda: “Nëse kapoja qeros Gerald Baka, ai që dhunoi djalin tim, nuk përgjigjet deri më një para ligjit, mos t’ju vijë çudi që një biznesmen, një qytetar i paqtë e kontribues i rëndësishëm i buxhetit të shtetit, të bëjë një ditë vetëgjyqësi. Unë s’mund të pranoj t’i paguaj taksa një shteti që inkurajon modele qerosash fashistë.
Le të shërbejë ky shkrim edhe si kallëzimi im për prokurorinë e Tiranës dhe shpresoj që ajo të veprojë sa më parë.
Nga ju…? Do të lëndohesha shumë sikur të thoshit: “Hëmo se edhe ti nuk je pa gjë.”
Sqarim i Ministrisë së Brendshme:
Lidhur me rastin në Tiranë, ku bizenesmeni i njohur denoncoi vetë në fb dhunën ndaj ti dhe të birit, policia sqaron si më poshtë:
“Për sa i përket rastit në Tiranë, sqarojmë se në datën 26.06.2016, ka filluar procedimi penal për “Mosbindje të punonjësve të policisë” në ngarkim të shtetasve:
– A.B., 46 vjeç, banues në Tiranë
-A. B., 22 vjeç, banues në Tiranë, djali i tij.
Këta dy shtetas në datën 26.06.2016, rreth orës 00.30 minuta në Bulevardin “Bajram Curri”, duke udhëtuar me mjetin me targë TR3884 U, nuk i janë bindur shërbimeve të Komisariatit të Policisë Rrugore për të çuar mjetin në pikën e bllokimit.
Masa administrative e pashlyer prej afro 1 viti, ishte në vlerën 15.000 L (të reja) për mungesë siguracioni dhe sipas Kodit Rrugor automjeti duhet të bllokohet në pikë bllokimi deri në përfundim të procedurave.
Pas kundërshtimit të urdhërit për shoqërim të dhënë nga punonjësit e policisë, këta shtetas kanë braktisur makinën përballë ambasadës ruse dhe janë larguar me vrap në drejtim të Piramidës.
Gjatë ndjekjes nga forcat e policisë, shtetasi A.B. është rrëzuar dhe ka pësuar dëmtime të lehta.
Policia ka bërë të mundur kapjen e tyre afër Piramidës dhe i ka shoqëruar për veprime të mëtejshme.
Në përfundim të veprimeve, këta shtetas janë proceduar penalisht për “Mosbindje të urdhërit të punonjësit të policisë”.
KOHA JONË SONDAZH

