Prononcim i Ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha nga pika e kalimit kufitar Kakavije

Sot bashkërisht me Drejtorin e Policisë së Shtetit dhe Drejtorin e Departamentit të Policisë Kufitare vizituam Pikën e Kalimit Kufitar Kakavije.
Pata mundësinë të takoj edhe drejtuesit e Policisë Greke, me të cilët ndava disa shqetësime. Javën që kaloi kam pasur një bisedë me Ambasadoren greke mbi planin e masave për të përballuar fluksin e qytetarëve shqiptarë gjatë kalimit në pikat e kalimit kufitar Kakavijë dhe të tjera. Konstatoj që masat janë marrë për përballimin e këtij fluksi.
Bashkë me drejtuesin e policisë greke vizituam dhe Qendrën e Koordinimit, e cila është ngritur në zbatim të marrëveshjes ndërqeveritare, funksionon si e tillë, me forca të përbashkëta midis policisë shqiptare dhe policisë greke.
Gjej rastin të falënderoj edhe përfaqësuesit e FRONTEX-it. Aktualisht në bazë të marrëveshjes që kemi nënshkruar mes FRONTEX-it dhe qeverisë shqiptare për migracionin e paligjshëm, kemi pasur suksese në nivele shumë të mira. Migracioni i paligjshëm është ulur deri në masën 60% dhe vazhdojnë shërbimet.
Jemi këtu edhe njëherë për të qenë sa më pranë qytetarëve. Shfrytëzoj rastin për t’iu uruar qytetarëve shqiptarë “Gëzuar festat”! Të zbatojnë udhëzimet e Policisë së Shtetit gjatë kalimit në pikat e kalimit kufitar.
Po ashtu, edhe gazetarëve që ishin këtu sot me ne, për të bërë të mundur përcjelljen e lajmeve. Falë jush lajmi bëhet edhe më i vërtetë e dëshiroj dhe juve t’ju uroj festa të gëzuara!
Pyetje: Në takimin që patët me palën greke, a duhet të ishte edhe homologu juaj grek se Greqia përfaqësohej në nivel sekondar?
Ministri Hoxha: Nuk mendoj se Greqia përfaqësohej në nivel sekondar. Ne jemi sot këtu për të vizituar dhe inspektuar masat e marra për të përballuar fluksin e qytetarëve shqiptarë në dalje e hyrje të vendit tonë. Unë shfrytëzova rastin për të bërë një vizitë në Qendrën e Koordinimit policor për të mbështetur edhe njëherë forcat e policisë shqiptare dhe për t’i inkurajuar ato në kryerjen e detyrës. Prioritet është lëvizja e lirë dhe e qetë, pa probleme, e qytetarëve shqiptarë në të dy anët e kufirit.
Pyetje: Deri tani nuk kanë dhënë rezultate, as qendra që është ngritur poshtë, as takimet mes dy palëve. Radhët kanë vazhduar të jenë dhe ka pasur raste radhët deri në 4 km. Për çfarë shërbejnë këto takime, sepse nuk ka ndryshuar asgjë?
Ministri Hoxha: Bashkëpunimi mes dy policive është një bashkëpunim i ndërsjellë, i cili ka prioritet lehtësimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve. Takime në nivel punonjësish policie dhe komandantësh të pikave të përbashkëta zhvillohen periodikisht. Në vijim të asaj që thashë më parë, unë pata në zyrë Ambasadoren e Greqisë, të cilës i shpreha shqetësimin për një bashkëpunim qoftë më të ndërsjellë, qoftë më të përbashkët për të bërë të mundur përballimin e fluksit të shtetasve shqiptarë në të dy anët e kufirit. Me sa jam informuar, këtë vit kemi një përmirësim më të mirë se vitet e tjera sa i përket menaxhimit dhe lehtësimit në pikat e kalimit kufitar.
Pyetje: A jeni në dijeni të ankesave të efektivëve të policisë që ende nuk kanë marrë lekët e shpërblimit, ato për orët shtesë. Çfarë do të ndodhë për këta?
Ministri Hoxha: Ministria e Brendshme ka bërë një propozim për heqjen e kritereve dhe përjashtimit të Policisë së Shtetit sa i përket një kriteri i cili vitet e tjera nuk ka qenë i realizuar për shkak të buxhetit.
Unë besoj se të hënën, Këshilli i Ministrave do të miratojë aktin dhe projekt-vendimin, të cilin ne e kemi propozuar për dhënien e shpërblimit të punonjësve të Policisë së Shtetit.
Orët shtesë dhe suplementare janë të gjitha të parashikuara në Aktin Normativ, i cili është miratuar dhe të gjitha orët shtesë do të jepen sipas parashikimeve ligjore. Nuk ka asnjë keqkuptim e mosrakordim të strukturave dhe të projekt-vendimeve të dala nga qeveria në raport me dhënien e shpërblimit dhe orëve suplementare të Policisë së Shtetit. Çdo gjë është sipas asaj që neve kemi thënë dhe çdo gjë do të ndodhë sipas këtyre vendimeve të parashikuara në ligjin përkatës. Faleminderit.

SHKARKO APP