Propozimet e PD për heqjes e taksës së qarkullimit dhe uljen e tvsh për energjinë
Zbardhen dy amendamentet e propozuara nga Partia Demokratike mbi ndryshimet në ligjin për taksat kombëtare dhe atë mbi tatimin mbi TVSH.
Propozimet e depozituara në Kuvend mbajnë firmën e Kryetarit t Grupit Parlamentar demokrat Edi Paloka dhe deputetes Jorida Tabaku dhe ato konsistojnë në uljen e tvsh për energjinë me 14 % dhe heqjen e taksës së qarkullimit.
“Duke qenë se tatimi mbi vlerën e shtuar i faturohet konsumatorit në cmimin final të energjisë, si rrallë ndonjëherë biem dakord me Kryeministrin për nevojën e uljes së TVSH-së për energjinë.
Por, në këtë rast ndryshe nga Kryeministri që këtë qëndrim e mbajti vetëm gjatë fushatës elektorale, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, vazhdon të besojë se ulja e TVSH-së për energjinë duhet të bëhet realitet.
Për këtë qëllim, propozojmë që TVSH-ja për furnizimin e energjisë elektike të ulet nga 20% në 6%. Kjo masë cmojmë se do të lehtësonte jashtëzakonisht barrën e rëndë ekonomike që po përballojnë sot shqiptarët”, thuhet në propozimin e PD
Sa i takon ndryshimit të ligjit për taksat kombëtare, Partia Demokratike argumenton se, heqja e taksës së qarkullimit duhet të vijë sepse brenda 13 muajve, qeveria rriti taksën e qarkullimit plot dy herë, respektivisht me 12 lekë/litër.
Sot taksa e qarkullimit është 27 lekë/litër pa përfshirë TVSH, ndërkohë që në vitin 2013 ishtë 7 lekë/litër pa përfshirë TVSH-në.
Efekti shtesë që kanë paguar shqiptarët për xhepat e Qeverisë, si efekt i secilës prej rritjeve që i është bërë kësaj takse, është 56 milion $ në vit.
Sipas llogaritjeve të PD, mbi 60 % e çmimit të karburantit që paguajnë shqiptarët sot shkon në xhepat e Qeverisë.
Aktualisht, për çdo litër naftë, shqiptarët po detyrohen të paguajnë 100.8 lekë taksë.
“Duke e vlerësuar si thelbësore për ruajtjen e interest të qytetarëve, duke përfshirë edhe përgjegjshmërinë e Qeverisë në garantimin e mirëqenies ekonomike të shqiptarëve, propozojmë uljen e nivelit të taksës së qarkullimit.
Për këtë qëllim, propozoj shqyrtimin dhe miratimin e projektligjit “Për një ndryshim në ligjin nr. 9975, datë 28.07.2008, "Për taksat kombëtare", të ndryshuar”, thuhet në propozimet e PD.
Sipas partisë më të madhe opozitare, nga analiza e tregut rezulton se në Bursat Ndërkombëtare çmimi i naftës gjatë 6 muajve të fundit ka rënë me ritme galopante.
Por, ky tregues nuk është reflektuar në tregun vendas dhe shqiptarët ende vijojnë ta paguajnë atë më shtrenjtë se fqinjët e tyre në rajon. Nga Korriku i vitit 2014 e deri më sot, çmimi i naftës në tregun ndërkombëtar ka rënë me 120% (konkretisht, nga 110 $ për fuçi, në 48 $ për fuçi).
Mos reflektimi i kësaj ulje në tregun shqiptar është rrjedhojë e drejtpërdrejt e rritjes së çmimit të taksave që ka aplikuar Qeveria gjatë kësaj periudhe argumenton ne amendament PD.
KOHA JONË SONDAZH

