Propozimi surprizë për Veliajn, Frattini e fton të bëhet kryebashkiak i Romës (VIDEO)
Transforimi që ka pësuar kryeqyteti shqiptar në këto tre vite po vlerësohet edhe nga personalitetet e politikës italiane dhe asaj europiane.
Gjatë takimit që pati me Kryebashkiakun Erion Veliaj, ish-ministri italian i Punëve të Jashtme të Italisë, Franco Frattini, evidentoi ndryshimet që ka pësuar Tirana në një kohë të shkurtër dhe i kërkoi që nëse do të ishte e mudnur të bëhej edhe kryebashkiak i Romës, duke nënvizuar se kryeqyteti Italian ka probleme të mëdha me infrastrukturën.
“Kam qenë këtu për herë të fundit në 2013, dhe u riktheva sot, dhe gjeta një qytet më të bukur, më të pastër, dhe mbi të gjitha rrugë të mrekullueshme që duhet t’i kemi edhe në Romë, ku fatkeqësisht ka shumë gropa. Kështu që, kryebashkiak eja edhe në Romë dhe të na tregosh si bëhen mirë këto punë”, u shpreh Fratini.
Kjo ka suprrizuar jo pak Veliajn, i cili ia ktheu me batutë: “Në një tjetër jetë po”.
Ajo që bie në sy është se ndonëse Frattini njihet për miqësinë dhe lidhjen e tij të ngushtë me Lulzim Bashën, duke qenë se të dy janë të djathtë dhe kanë qenë ish-ministra të Jashtëm të shteteve të tyre në të njëjtën periudhë, nuk ka mundur ta fshehë entuziazmin për transformimin e madh që ka pësuar Tirana në 3 vitet e fundit, që përkojnë me mandatin e kryebashkiakut Erion Veliaj.
Franco Frattini, ish ministri italian i Punëve të Jashtme të Italisë, e kishte vizituar Tiranën për herë të fundit në vitin 2013, kur edhe mori titullin “Qytetar Nderi”, në kohën kur qyteti drejtohej nga Lulzim Basha dhe qeveria nga Sali Berisha.