Protesta e 11 korrikut, Tabaku: Do të jem me demokratët përballë kryeministrisë!

Deputetja demokrate, Jorida Tabaku tha, në një intervistë për RTSH-në, se do të bëhet pjesë e protestës së 11 korrikut.

“Kam qenë në çdo protestë që është organizuar nga opozita apo dhe të tjerë sepse mendoj që ka shumë arsye për të protestuar. Ka arsye që lidhen dhe me korrupsionin dhe faktin që sot korrupsioni është kthyer në një normë dhe një standart i cili është bërë me fonde publike, me kontrata koncesionare, tashmë po bëhet edhe me donatorët”, tha Tabaku.

Tabaku thotë se opozita do të vijojë të denoncojë korrupsionin qeveritar edhe pse jashtë komisionit të posaçëm parlamentar antikorrupsion, të inicuar nga mazhoranca.

“Nuk duhet t’i lenë asnjë hapësirë që ata ta kenë antikorrupsionin flamur të tyre, sepse nuk kanë as lartësinë morale për ta pasur edhe e kanë treguar që nëse ndodhemi në këtë situatë, ndodhemi prej vendimeve të tyre”. Shtoi ajo.

Krahas protestave, në optikën politike të Tabakut, opozitarët duhet të fokusohen edhe në terren. Opozita tha Tabaku duhet të reflektojë, duke nisur takimet intensive me qytetarët dhe duke folur me ta ndryshe.

“Opozita duhet t’i përdori të gjitha këto mënyra. Por duhet të mendojë, të reflektojë dhe të flasë ndryshe me qytetarët, sidomos në drejtim të korrupsionit, që njerëzit kanë nevojën edhe për një rizgjim edhe për një rikthim shprese që e shohin këtë tek opozita”, tha deputetja demokrate.

SHKARKO APP