Protesta e 11 shkurtit, Arben Ristani zbulon kauzën dhe pritshmëritë e PD-së
Data 11 shkurt dhe ora 12:00 e drekës, tha Sali Berisha, duke i bërë thirrje shqiptarëve që të bashkohen para Kryeministrisë në një protestë Kombëtare. Ish-deputeti Arben Ristani thotë se keqqeverisja, kulmoi me rastin e fundit të ish-zyrtarit të FBI-së, ku opozita pretendon se ai është korruptuar nga kryeministri Edi Rama. Ndër të tjera, Ristani nënvizoi se PD-ja pret që zemërimi i shqiptarëve të jetë aq i madh, sa të largojë Ramën nga pushteti.
“Kauza e protestës ka të bëjë me keqqeverisjen. Keqqeverisja është e shumëanshme, në shumë plane, por keqqeverisja kulmoi me atë që është cilësuar nga Partia Demokratike, nga shqiptarët, por edhe nga personalitetet amerikane, si një thikë në zemër të marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe SHBA-ve, pra rasti i fundit i agjentit të FBI-së dhe korruptimit të tij nga kryeministri Rama. Kjo është pika e vlimit, kjo është qershia mbi tortë, sepse shkaqet për të protestuar janë të shumta.
Unë do të përmendja prishjen e sistemit demokratik në Shqipëri, mosfunksionimin e institicioneve, gjë që ka sjellë shtim të varfërisë, shtim të korrupsionit, largim të shqiptarëve nga Shqipëria.
Pra, është e gjithë tabloja në të cilën ne jetojmë, si kauzë për një protestë. Ajo që ne presim nga protesta, është që zemërimi i shqiptarëve të jetë i shtuar në atë masë sa protesta të jetë e atillë që të krijojë kushtet për largimin e kryeministrit Rama nga qeveria”, theksoi ai për ”Euronews Albania”.