Protesta e “Astirit”/ Balliu: Politika të heqë kthetrat nga drejtësia. Arrestohen ata që vidhen, jo ata që vjedhin
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, u thirr këtë të hënë sërish në gjykatë në cilësinë e të pandehurit bashkë me disa qytetarë të tjerë në lidhje me protestat për ndërtimin e Unazës së Madhe. Balliu në një prononcim për gazetarët,tha se një efektiv policie pretendon se ish-deputeti i ka thyer krahun, ndërsa nuk ka paraqitur asnjë provë për të vërtetuar akuzën.
Nga ana tjetër, ish-deputeti i bën thirrje Prokurorisë që të zhvillojë hetimet në mënyrë transparente, ndërsa propozon se të gjitha çështjet duhet të bashkohen në një të vetme pasi ka mbi 300 procedime për protestat e zhvilluara në “Astir”.
“Sot ishte një nga gjyqet për protestën Unazës. Sot prokuroria paraqiti dëshmitarët dhe të ashtuquajtura prova. Dëshmitarët janë efektiv policie, duke filluar me Elvis Karafilajn, që pretendon se i kam thyer krahun. Ishte i njëjti efektiv që më shoqëroi në rajonin nr.6. Do shihen kamerat. E kam pasur shikimin të kompromentuar pasi mu hodh gaz në sy. Pas një jave jemi prapë këtu. Po janë thirrur në cilësinë e të pandehurit. Të gjitha protestat kanë një akuzë, dhe prokuroria duhet t’i bashkohej këto.
Unë jam i pandehur, banorët e Astrit janë të pandehur. Dëshmitarë sjellin këta policë, që dhunojnë artist, që dhunojnë qytetarët, apo ata për vrasjen e Klodian Rashës, apo ata që dhunuan pedagogen. Për dosjen 184 mbaruan afatet. Gjatë karantinës mua policia më erdhi në shtëpi dhe më tha; s’ka problem për karantinën, se duam të ruajmë afatet. Po këtë të Ëliksin pse nuk shkuan që të kapnin. Pse i lejuan që të iknin afatet. Ne çdo javë ne gjyq. Ky është raporti i OKB që thotë se; në Shqipëri nuk arrestohet asnjë për çështje korruptive. Kam qenë në protestë, e do dal në protestë. Kush po e mohon këtë? Këtu arrestojnë banorët e Unazës me dëshmi të policisë.
Kemi 2 vjet e gjysmë dhe nuk kemi para një grafi të krahut të thyer të këtij policit, Karafili. Ku i kanë provat? Sot policia e Shtetit drejtohet nga ish-bashkëpunëtor të sigurimit të Shtetit. Këta janë emra që unë përmend, nga Gjevalin Lokal etj, janë pjesë e sigurimit të shtetit dhe sot po dënojnë qytetarët. Kush policë janë ata që dëshmojnë?! Policët e Sandër Lleshajt. 9 dëshmitarë atje, dhe të 9 policë. Si nuk gjetën një qytetar që të ishte dëshmitar. Këta kanë 4 muaj kohë dhe do iu duhet ë përballen me qytetarët. Pas 25 prillit ata do të largohen. Unë dua të di se kur do të arrestohen këta që po vjedhin?!
Po të kisha pasur frikë nuk rrija 2 vite dhe përballesha me policët. Po të kisha frikë do kisha ikur në shtëpi. Këta janë një regjim diktatorial. Ka shumë gjyqtarë këtu që kanë më shumë telefonata me politikanë. Ajo që po ndodh me banorët e Unazës, ka 2 vite që këta qytetarë paguajnë avokate e ka kosto. Kam mbi 300 procedime penale. Do duhen 7 breza që t’i shlyejmë. Edhe për çfarë?! Se kemi dalë në protestë. Kemi qenë në protestë. Çështja është se pse është protestuar. Se u vodhën 40 mln euro. Ku janë hajdutët?!”, tha Balliu.