Protesta e qytetarëve në Elbasan: Nuk kemi bukë të hamë

Me mbylljen e tregjeve anëtarë të konunitetit rom ne Elbasan kanë mbetur pa mundësi ekonomike, ndërsa dolën në rrugë për të kërkuar nga qeveria ushqime e detergjentë.

Rreth 400 familje të komunitetit rom në zonën e Rrapishtës në qytetin e Elbasanit kanë protestuar paraditen e së enjtes duke kërkuar ndihma në ushqime dhe detergjentë, pasi situata e krijuar nga Covid-19 i ka lënë pa asnjë mundësi ekonomike, raporton BIRN. Banorët kanë dalë bashkë me fëmijët në qendër të kësaj lagjeje, duke kërkuar ndërhyrje të shpejtë të qeverisë. Megjithëse grumbullimet ndalohet dhe protetuesit nuk kishin masa mbrojtëse, banorët thanë se duhej të zgjidhnin mes virusit dhe urisë.

Familjet e zonës jetojnë me të ardhura të fituar nga tregtia e rrobave të vjetra dhe aktivitete të ngjashme dhe kanë të ardhura ditore ndërprerja e të cilave nga mbyllja e tregjeve i ka vënë në vështirësi. Dilaver Demiri, kryefamiljar, i cili thotë se përfaqëson 15 antarë të familjes së tij, thotë se gjithçka u kishte mbaruar ditë më parë. “Ditët e fundit kemi jetuar me pak ndihma të dhëna nga bashkia. Tashmë nuk kemi asgjë”, thotë Demiri.

Ai tha se situata në komunitet ishte e rëndë dhe se familjeve u mungonin ushqimet bazë edhe për fëmijët. “Duhet ndihmuar e gjithë lagjja. Janë të gjithë në pikë të hallit. Edi Rama duhet të marrë masa. Ne kemi respekt për qeverinë, bashkinë dhe shoqatat, por ata duhet të mendojnë për ne. Ka fëmijë që nuk po ushqehen dhe lahen, sepse s’kanë ushqim e pelena. Presim urgjentisht të ndërhyhet”, tha Demiri.

Një tjetër banore e lagjes, Mexhidije Ademi, e cila thotë se ka dalë në emër të tri familjeve që jetojnë me të, thotë se ndërsa njerëzit po mbrohen nga virusi ata rrezikojnë të vdesin për bukë nëse lihen pa asnjë ndihmë. “Ka këtu që nuk kanë marrë as ndihmë e as KEMP. Duhet parë nga ne romët pasi dhe ne jemi njerëz”, tha gruaja.

Komuniteti rom i përqendruar në këtë zonë të Elbasanit dhe një ndër më të varfërit në vend është i pari që ka reaguar për situatën ekonomike. Edhe pse bashkia Elbasan ka shpërndarë ditët e fundit disa pako me ndihma, ato janë konsideruar të pamjaftueshme duke sjellë edhe protestën. Protestuesit deklaruan se do të dalin sërish nëse kërkesat e tyre nuk marrin reagim nga qeveria apo institucionet vartëse.

Lexoni edhe

Mjeku Pipero: Ka një përkeqësim të pashpjegueshëm të pacientëve mes ditëve 6-9

PD: Miqtë e Ramës marrin tendera edhe në javën e ferrit të koronavirusit.. Rama: 7×7=42!

Lleshaj: Ata që nuk kanë frikë për jetën e tyre, duhet të kenë respekt për jetën e të tjerëve

Emergjenca koronavirus, 222 mijë numri i të prekurve në gjithë botën, 9115 viktima

SHKARKO APP