Protesta, kaos dhe akuza. Vuçiç në krah të Ramës: Serbia nuk e njeh Kosovën

Dje, e premte datë 20 dhjetor 2019. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç në krah të kryeministrit Edi Rama, tha se Serbia nuk do ta njohë shtetin e pavarur të Kosovës. Sigurisht që kjo deklaratë e thënë në Tiranën zyrtare, kur kjo qeveri ka edhe shqiptarë të Kosovës në kabinetin qeveritar, nxit edhe më shumë konfliktin, kur sipas liderëve kjo marrëveshje ka si qëllim bashkimin e vendeve të Ballkanit.

“I kam për çdo ditë para zyrës së Presidentit, edhe kur flet, edhe kur nuk flet për to; në demokraci kjo është normale dhe nuk shoh asnjë problem të veçantë, por kam përshtypjen se ata njerëz janë të kthyer më shumë nga e kaluara. Nuk më bën shumë përshtypje kur dikush mendon se me fyerje mund të ndryshojë qëndrimin apo mendimin politik të dikujt. Besoj se nuk mendoni se do të ndryshoj qëndrimin tim për shkak të thirrjeve jashtë ose që Edi Rama do ndryshojë qëndrimin e tij. Thjesht kjo nuk shkon ashtu. U ndjeva shumë mirë t’iu them sinqerisht, më sollën një çaj shumë të mirë, ishin shumë mikpritës dhe nuk kam çfarë të them për këta njerëz këtu. Mendoj se disa njerëz nuk e kuptojnë realitetin dhe nuk jetojnë as në të tashmen dhe nuk kanë asnjë vizion për të ardhmen, por ky është problem i tyre. Por të më pyesni pse Bosnja dhe Hercegovina, unë mund ta kuptoj kur dikush nga Prishtina thotë se ekzistojnë arsye politike, sepse e urrejnë Serbinë, sepse Serbia nuk do ta njohë Kosovën… nuk mund ta arsyetoj, por mund ta kuptoj se gjenden në vazhdimin e fushatës zgjedhore dhe nuk janë të sigurt se kush do ta formojë qeverinë dhe ta interpretojë në këtë mënyrë. Por nuk është mirë kur silleni si i orientuar nga partia dhe nuk kujdeseni për interesat, siç e thoni ju të Vendit, siç e themi ne të Organeve Krahinore të Qeverisjes; si të doni quajeni, por këto janë interesa më të mëdha se interesat e partisë”, tha Vuçiç.

Dje Tirana ishte në kaos nga trafiku. Rrugët duhet të ishin të pastra, sepse do kalonte delegacioni special i Samitit për “Mini-Shengenin” Ballkanik.  Samiti do të nisë këtë të shtunë në mesditë pas një vizite të Ramës, Vuçiç dhe Zaev në Durrës. Në Samit do të marrë pjesë edhe Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanovic por jo Kosova dhe Bosnje Hercegovina.

Dhjetra aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe qytetarë të shumtë lëshuan thirrje kundër Serbisë dhe krimeve të kryera gjatë luftës së Kosovës. Protestuesit thërrisnin “Kosova është zemra e Shqipërisë”, të nxitur nga ardhja e Presidentit serb në Tiranë, por edhe për shkak të deklaratave të tij të mëhershme ku mohonte masakrën e Reçakut.

SHKARKO APP