Protesta më 20 shkurt, Berisha thirrje të rinjve: T’i japim duart njëherë e përgjithmonë këtij regjimi
Sali Berisha në mesazhin e tij nga dritarja e banesës sulmoi sistemin e drejtësisë. Teksa ndodhet në ”arrest shtëpie” që prej datës 30 dhjetor 2023, Berisha tha se drejtësia nuk ekziston, por edhe serviret në mënyrë tragjike. Një thirrje Berisha e lëshoi edhe për të rinjtë, që të marrin pjesë në protestën e 20 shkurtit.
”Qytetarë dhe qytetare shqiptarë, o sot o kurrë të marrim në dorë fatin tonë. Sot ne jemi qytetarët me të drejta të mohuara. Sot ne jemi qytetarët, të cilëve qeveria u kontrollon votën dhe vullnetin. Sot ne jemi qytetarët, që me votën tonë nuk flasim më.
Sot ne jemi qytetarët, të kontrolluar njëlloj si një diktaturë. Drejtësia nuk ekziston. Jo vetëm nuk ekziston, por në mënyrën më tragjike serviret në një akt të tmerrshëm korrupsioni si model- drejtësi, si suksesi i sukseseve, si arritja e arritjeve. O sot o kurrë, çdo shqiptar duhet të ngrihet të marrë në dorë fatin e tij sepse ai është qytetari më i vjedhur jo i Europës, por i planetit.
Miqtë e mi, kemi folur çdo ditë për vjedhjen e shekullit, për djegësin e Tiranës, që gjer tani ka gllabëruar në kompaninë Rama-Veliaj 130 milionë euro dhe nuk ekziston as nam as nishan. Kemi folur për sterilizimet, që kushtojnë 83 herë më shumë se sa para fillimit të tyre. Për check-upin, për një seri vjedhjesh të tjera”, tha Berisha.