”Protesta ora 12:00”, Berisha: Samiti i 6 dhjetorit i jep goditjen fatale ”Open Balkan”
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë një takimi këtë mbrëmje me banorët e njësisë 5 në Tiranë, tha se Samiti i BE-së do ti japë goditjen fatale ”Open Balkan”. Për të Europa në këtë samit i thotë kreut të Kremlinit që Shqipëria është territori i tyre dhe të harrojnë ambicien e tyre.
“Në prag të një momenti historik jo vetëm për PD, po për shoqërinë në tërësi. Më datën 6 dhjetor mblidhen këtu në Tiranë të gjithë liderët e vendeve anëtare të BE dhe të Ballkanit Perëndimor në një samit të përbashkët. Ky është një nder i papërsëritshëm për Shqipërinë është një përzgjedhje gjeostrategjike, historike me të cilin Europa i thotë Putinit dhe të tjerëve që Shqipëria është territor i yni dhe harroni që mund të keni ambicie të tjera. Ky samit në rrafshin strategjik është në interes madhor të shqiptarëve dhe i jep goditje të rëndë projektit të Vuçiç, Ramës dhe vasalit të tij në Shkup, projektit të Ballkanit të hapur i mbështetur haptas nga Lavrov. Por duhet të themi të vërtetën edhe nga Soros dhe djali i tij. Samiti është i mirëpritur”.
Në ditën e samitit do të mbahet edhe protesta e opozitës, ku Berisha ftoi demokratët që të jenë në Bulevard ora 12:00 kundër Ramës, që sipas tij është armik i vlerave europiane.
”Më 6 dhjetor, ai që i thotë vetes shqiptar, ai që e ndjen veten shqiptar nuk mund të jetë tjetër, veç në protestë, në protestë të fuqishme kundër Edi Ramës dhe klikës së tij në pushtet. Në këtë kontekst, çdo demokrat e demokrate, e ka për detyrë më shumë se asnjëherë tjetër, të marrë çdo masë, të bëjë çdo përpjekje që të gjendet në orën 12:00 në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ në një protestë të paparë ndonjëherë në historinë e Tiranës. Sot ne jemi populli i gomoneve”.