Protesta, PD: Policia të përmbahet brenda kufinjve të ligjit

Ndërsa raportimet në media po shtohen se policia dhe SHISH ka informacione se në protestën e nesërme do ketë elementë të dhunshëm, PD është e bindur se qindra mijëra qytetarë do jenë të pranishëm.

Sekretari i Përgjithshëm, Arben Ristani tha se asgjë nuk e ndal marshimin e nesërm.

“Mazhoranca është kapur nga paniku i protestës së nesërme popullore, sepse të dhënat tregojnë se pjesmarrja e shqiptarëve në këtë protestë do të jetë madhështore. Qindra mijë qytetarë do të bashkohen nesër në Tiranë në orën 11 në Sheshin Skenderbej, për të ngritur zërin e tyre; kundër krimit në qeverisje, kundër pasigurisë, kundër varfërisë, kundër mjerimit, kundër arrogancës së dyshes Rama-Meta.

I ka zënë paniku Edi Ramën, Ilir Metën dhe lolot e tyre, sepse, janë ata shkaktarët e depresionit të madh ekonomik të vendit dhe inkriminimit masiv në çdo qelizë të shtetit, deri në kupolën më të lartë të tij. I ka zënë paniku, se në sytë e gjithë shqiptarëve, Ilir Meta është sot i akuzuar për porositjen e dy vrasjeve, ndërsa Edi Rama është i akuzuar si bashkëpunëtor.

I ka zënë paniku, sepse Edi Rama dhe Ilir Meta, e kanë tradhëtuar popullin, kanë sjellë varfëri, papunësi e skamje, korrupsion, e zhvatje të qytetarëve. I ka zënë paniku sepse kanë shtypur dhe terrorizuar njerëzit çdo ditë prej dy vitesh, dhe tani është radha e popullit sovran që të marrë fatet në dorë. Partia Demokratike i bën thirrje policisë së shtetit të përmbahet brenda kufinjve të ligjit, e mos të reagojë prej panikut e dëshpërimit të dyshes Rama-Meta. Krimi dhe kriminelët janë në gjirin e qeverisjes dhe mazhorancës, jo tek populli. Asgjë nuk do ta ndalë marshimin e nesërm.

Ne i bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve pa dallim, që të vijnë e t’i japin zë kërkesave të tyre e të bashkohen me kauzën e drejtë dhe të madhe të shqiptarëve. Partia Demokratike do të jetë në ballë të kësaj proteste madhështore për të sotmen e të ardhmen e vendit dhe demokracisë,” tha Ristani.

SHKARKO APP