Protesta për çmimin e naftës nervozon Ramën. I druhet një lëvizjeje popullore
Kryeministri dhe njerëzit pranë tij arrijnë ta matin “temperaturën” e opinionit publik dhe i druhen një reagimi të fortë qytetar për çmimin e naftës, njësoj siç pati reagim për rritjen e çmimit të energjisë elektrike apo për të shkuar më tej akoma tek protestat për armët kimike. Njerëzit po mobilizohen në rrjetet sociale dhe bashkë me opozitën politike do të protestojnë ditën e hënë për mosuljen e çmimit të naftës. Një protestë e tillë, pavarësisht përmasave që mund të marrë, ka simbolikën e vet, transmeton një mesazh tek populli, jep disa sinjale negative për kabinetin e tij. Kësaj i druhet kryeministri Edi Rama.
Një protestë e tillë atij nuk i duhet, është një telash më shumë, po të kemi parasysh protestën e madhe të opozitës më 22 nëntor të viti të shkuar. Në këtë kontekst, Rama tenton të zhbëjë këtë çështje, të zhbëjë këtë shqetësim real të qytetarëve siç është çmimi i naftës. Megjithatë, nga ajo që vihet re në rrjetet sociale dhe reagimet e njerëzve, duket se ka një dakordësi se këtu po abuzohet me çmimin e naftës. Dhe sikur të mos mjaftonte ky abuzim, më i rëndë akoma është turravrapi i kryeministrit dhe mediave pranë tij për të thënë se edhe kaq çmimi i naftës pësoi ulje për shkak të punës së mirë të qeverisë.
Për shkak të këtij nervozizmi, kryeministri Rama ka botuar disa komente rresht duke iu drejtuar në mënyrë arrogante ndjekësve dhe komentuesve të tij në facebook. Më poshtë komentet e plotë të kryeministrit në facebook si dhe një poster qesharak i postuar po prej tij, ku ulja e çmimit të naftës në tregun botëror jepet si një vepër e qeverisë.
Komenti i parë i Edi Ramës:
"Ju thanë që çmimi do rritet si askund në botë. Që veturat, kamionët, anijet, madje edhe furrat e bukës do ndalen. Tani ju thonë pse nuk ulet më shumë se kudo në botë… Sepse kanë vetëm një dëshirë; T'ju mërzisin sa të munden! Vetëm një punë: T'ju gënjejnë sa të munden! Vetëm një qëllim: T'ju përdorin si të munden! Për një arsye të vetme: Pushtetin e tyre të humbur!
Ngrenë gishtin dhe akuzojnë përditë për plagët e panumërta që hapen vetë. Për borxhet e mëdha. Për gropën e energjisë. Për kancerin e korrupsionit në arsim e shëndetësi. Madje kanë kurajon të na akuzojnë deri edhe për drogën e për krimin që i mbollën dhe rritën në prehrin e pushtetit të tyre.
Janë i mbyturi që mbyt kë i vete pas".
Komenti i dytë:
"Dy fjalë për komentet qorrazi mbi çmimin e naftës:
E para, askush nuk po thotë që çmimin e uli qeveria, po vetëm që çmimi nuk u rrit por u ul dhe ky është fakt! Pra sot, naftën në Shqipëri e paguajmë 20% më pak se një vit më parë.
E dyta, krahasimet me Gjermaninë e me Anglinë dhe me ekonomitë e forta të Europës, i'a kemi lënë atyre që ikën. Kush bën të tilla krahasime nuk do që të kuptojë se ekonomia shqiptare sapo ka nisur të dalë nga gropa e madhe e para një viti dhe nuk mund të rimekembet siç duam, perveçse me kontributin e të gjithëve!
E treta, që të arrimë të krahasohemi me vendet normale as nuk duhet ta çojmë nëpër mend dhe jo me ta presim nga qeveria të bëjë politika badjahava me fatin e vendit e të fëmijëve të këtij vendi.
Kjo qeveri nuk është krijuar për të vazhduar t'i tregojë popullit përrallën e gomarit që kur po e hante ujku mbyllte sytë dhe thoshte "O Zot ishalla jam në ëndërr!". Kjo qeveri është krijuar për të bërë shtet, për të siguruar që të gjithë respektojnë ligjin dhe paguajnë detyrimet e tyre, ashtu siç u takon; që nga dritat deri tek taksat sipas të ardhurave që kanë.
Të tjerat janë politikë e vjetër ose muhabete që s'na nxjerrin asgjëkundi".
KOHA JONË SONDAZH

