Protesta për ish-krerët e UÇK-së, Rama: Vazhdoj pyes veten pse Kuvendi i Kosovës nuk e ka ngritur ende zërin
Mijëra qytetarë protestuan sot në Prishtinë “kundër padrejtësisë” nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Kryeministri Edi Rama, teksa ka postuar foto nga protesta, ka një pyetje për Kuvendin e Kosovës. ”Pse nuk e ka ngritur ende zërin përmes një rezolute pa dallime partish, ku të rreshtohen sa e sa shkeljet faktike të normës elementare demokratike të procesit të rregullt ligjor nga ana e Tribunalit të Hagës, ku të drejtat e Hashim Thaçit e shokëve të tij të izoluar nga bota prej vitesh të tëra tanimë, janë shqelmuar si hiçasgjë?”,-shkruan Rama.
Grupe të mëdha qytetarësh u mblodhën nga të gjitha trojet shqiptare për t’i dhënë mbështetje ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që prej pesë vitesh po mbahen të paraburgosur në Hagë.
Postimi i plotë
Vazhdoj pyes veten pse Kuvendi i Kosovës nuk e ka ngritur ende zërin përmes një rezolute pa dallime partish, ku të rreshtohen sa e sa shkeljet faktike të normës elementare demokratike të procesit të rregullt ligjor nga ana e Tribunalit të Hagës, ku të drejtat e Hashim Thaçit e shokëve të tij të izoluar nga bota prej vitesh të tëra tanimë, janë shqelmuar si hiçasgjë?
Natyrisht që në rast se Kuvendi i Kosovës do ta bënte këtë rezolutë të vonuar, ne do ta angazhonim menjëherë Kuvendin e Shqipërisë, për ta votuar të njëjtin tekst dhe për ta përcjellë zërin e krejt shqiptarëve në çdo shtet demokratik që e sponsorizon Tribunalin, e që nuk duhet të tolerojë asnjë cënim e jo më asgjësimin e procesit të rregullt ligjor me kontributin financiar të taksapaguesve të vet.
KOHA JONË SONDAZH


