Protesta për vdekjen e Learit, Partia e Lirisë: Çdo qytetar duhet të jetë në këmbë

Edhe Partia e Lirisë i është bashkuar thirrjes së Sali Berishës për protestën që do të zhvillohet sot për vdekjen e të riut Lear Kurti pas shoqërimit në Komisariat. Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun, Silva Caka tha se çdo qytetar duhet të jetë në këmbë duke theksuar se protesta është reagimi më i vogël që mund të bëjë secili prej nesh.

Deklarata e plotë 

Jemi në këtë komunikim për të risjellë edhe një herë në vëmendjen e të gjithëve, ngjarjen makabre të vrasjes me dashje të 32 vjeçarit Lear Kurti, nga Policia e Shtetit.

Rasti i përsëritur, njësoj si në vrasjen e Klodian Rashës, u tentua të manipulohej, me qëllim denigrimin e figurës së të ndjerit, por provat dhe faktet ulërijnë për implikimin e Policisë së Shtetit. Është e qartë që kemi të bëjmë me një polici shteti, e cila frymëzohet nga shkelja e ligjit, njësoj si drejtuesit e tyre, Ardi Veliu, Bledi Çuçi dhe Edi Rama.

Deviza e Ministrit të Brendshëm “pa krim nuk ka zhvillim”, nuk janë fjalë të thëna rëndom në një intervistë televizive, por e vetmja mënyrë pune e kësaj qeverie.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka konstatuar shkelje të rënda gjatë shoqërimit të 32 vjeçarit Kurti, ku më e madhja dhe më çnjerëzorja mbetet shoqërimi në Komisariat edhe pse i shoqëruari kishte shfaqur probleme shëndetësore e duhej çuar menjëherë në spital.

Fotot ku i ndjeri shihet me pranga, i pajetë në krevatin e spitalit janë fytyra e kësaj qeverie dhe gjëja më makabër që mund të jetë parë ndonjëherë.

Çdo qytetar duhet të jetë në këmbë për të protestuar ndaj kriminelëve që kanë uzurpuar qeverisjen e vendit dhe protesta është legjitime dhe reagimi më i pakët që mund të bëhet ndaj kriminelëve në pushtet, të cilët vrasin, dhunojnë, përdhunojnë dhe përpiqen të përdhosin edhe viktimat.

Partia e Lirisë është në mbështetje të plotë të të gjitha protestave kundër krimit që po helmon në mënyrë të përditshme jetën dhe qetësinë e qytetarëve.

SHKARKO APP