Protesta/ Ylli Manjani për darkën Rama-Vuçiç: Po hanë trutë e peshkut për të na shitur trutë e gomarit

Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, pjesë e protestës së thirrur nga Sali Berisha kundër nismës ”Open Balkan” dhe ardhjes së presidentit serb në Tiranë, Aleksandër Vuçiç tha se Shqipëria duhet t’i thotë jo Ballkanit të Hapur, për sa kohë Serbia nuk njeh Kosovën.

“Sonte në Shqipëri na kanë ardhur mysafirë dhe bashkë me zotin e shtëpisë, po hanë trutë e peshkut për të na shitur trutë e gomarit, sepse aty nuk shkon as Shqipëria, as Serbia, as Maqedonia e as Ballkani”, tha Manjani, duke iu referuar darkës të organizuar këtë mbrëmje nga kryeministri Rama për të ftuarit, Vuçiç, Zaev dhe delegacionet e tyre.

Nga ana tjetër, Manjani përgëzoi demokratët për Kuvendin e 11 dhjetorit, ku u mor vendimi për shkarkimin e Lulzim Bashës si kryetar. “Proces i jashtëzakonshëm demokratik. I keni dhënë Shqipërisë një model që nuk e kishte parë asnjëherrë. U vetëorganizuat, u mblodhët, treguat se anëtarët janë më të fortë se kryetarët, aq më tepër kryetarët gjumashë”.

 

SHKARKO APP