Protestë madhështore në Tiranë kundër abuzimit ndaj fëmijëve (FOTO)

Për të reaguar kundër dhunës ndaj të miturve dhe kundër abuzimit, mijëra qytetarë kanë dalë sot në sheshet kryesore në Tiranë dhe në Durrës. Në orën 16:00 në sheshin “Nënë Tereza” nisi një protestë-marshim me një pjesëmarrje të jashtëzakonshme të të rinjve, e jo vetëm të tyre. Përfaqësues të shoqërisë civile, gazetarë, të rinj, artistë, nëna me fëmijë, figura publike etj, u bënë bashkë për të kërkuar që plaga e abuzimit seksual me të mitur në vendin të marrë fund.

”Për fëmijërinë e vjedhur”, “Mbroni vajzat, jo pedofilët”, ”Pse nuk raportojmë”, ”Marshoj për vajzën dhe mbesat e mia”, ”Mos përdhuno”, ishin disa nga sloganet dhe pankarta që qytetarët mbanin në duar.

Reagimi i qytetarëve vjen pas denoncimit të abuzimit seksual të së miturës nga mosha 12 deri në 15-vjeç, nga një 65-vjeçar, ish-roje e shkollës ”Azem Hajdari” në Babrru. Ngjarja ka tronditur mbarë publik dhe ka sjellë reagime të forta kundër institucioneve që nuk kanë marrë masat e duhura për të parandaluar këto ngjarje skandaloze. Pas tubimit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” protestuesit janë drejtuar për te Ministria e Arsimit duke hedhur parullën “Ministria e turpit”.

Pjesë e protestës është edhe babai i vajzës, i cili dha këtë mesazh. ”Dëgjova në Parlament që Edi Rama denoncoi atë djalin. E dëgjova dhe nuk bëri asgjë, sepse ai vetë nuk ka vajzë. E dëgjova në Parlament. U lutem prindërve, vëllezërve, dhe mësuesve që të kenë kujdes sepse fëmija është fëmijë, gënjehet me një karamele. Fëmijët t’i qëndrojnë sa më afër fëmijëve dhe të flasin me ta. Ne jemi më të urtë në Babrru. Atje më kërcënojnë, më thonë jo do të vrasim e kështu. Ata janë të gjithë grup dhe e bëjnë këtë gjë ku të gjejnë. I lutem ministres së arsimit. Mirë që e vuajti vajza ime, por të paktën të mos vuajnë të tjerët. Ai që e bëri të kalbet atje. Më bëjnë shantazhe, do të vras. Aty është komitet i vogël, unë tani kam shkuar në Babrru, ku gjejnë e bëjnë. Ai që e bëri, u kalbt atje. Unë do e kisha vrarë, po mirë që hyri në burg. Nëse qeveria nuk i jep dënimin e merituar, do ia jap unë si prind. Veç mos daltë gjallë se kam me e vra”.

SHKARKO APP