Protestë qytetare para Kryeministrisë kundër rritjes së çmimeve (VIDEO)
Lufta ruse në Ukrainë, ka shtuar abuzuesit në Shqipëri. Për ti thënë stop rritjes së çmimeve, qytetarët kanë dalë në një protestë para Kryeministrisë. Me pankarta në duar, qytetarët kundërshtojnë rritjen e çmimit të naftës që ka shkuar deri në 269 lekë për litër, dhe të produkteve të tjera bazë. Mes protestuesve janë edhe disa fermerë të cilët prej kohësh protestojnë për rritjen e subvencioneve nga ana e shtetit.
Pjesë e protestës që po mbahet para Kryeministrisë kundër rritjes së çmimeve, është edhe aktori i mirënjohur i humorit, Florjan Binaj. Në fjalën e shkurtër, ai tha se kur shqiptarët u bënë bashkë, rrëzuan diktaturën. Po ashtu ai ironizoi kryeministrin që është në Dubai, duke e quajtur ballkazani.
‘‘Për ata që nuk e gjejnë guximin, unë ju them vetëm kaq. Shqiptarët rrëzuan diktatturën kur u ngritën të gjithë bashkë, po të çohemi të gjithë bashkë, nuk ulim vetëm taksat por do të marrim edhe atë që meritojmë si qytetar. Kjo fillon sot, por nuk duhet që të mbarojë me kaq. Ndërkohë që ne protestojmë, liderin e Ballkazanit e kemi në Dubai. Ndërkohë që në Ukrainë ka luftë, ku po vriten përditë, presidenti u jep shpresë qytetarëve, ku i joni thotë shtërngoni dhëmbët”. Gjatë protestës u dëgjuan thirrje “poshtë diktaturës” dhe “poshtë Edi Rama”.