Protestuan kundër ndërtimit të HEC-it në Mirditë. Policia arreston organizatorin dhe tre qytetarë të tjerë

Policia e Lezhës ka arrestuar organizatorin e protestës së djeshme në Thirrë të Mirditës, kundër ndërtimit të HEC-it si dhe tre qytetarë të tjerë.

Sipas policisë, në gjendje të lirë janë proceduar edhe 30 persona të tjerë, të cilët kanë protestuar në mënyrë të paligjshme në afërsi të tunelit të Kalimashit, duke bllokuar lëvizjen e mjeteve në aksin Milot-Morinë.

Kështu në pranga u vunë shtetasit B. P., 48 vjeç, banues në Lezhë, organizatori i protestës së paligjshme; E. B., 22 vjeç, E. B., 21 vjeç dhe Ç. G.,22 vjeç, banues në Kosovë.

Gjithashtu, janë proceduar penalisht në gjendje të lirë 30 shtetas të tjerë.

“Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë protestuar në mënyrë të paligjshme në afërsi të tunelit të Kalimashit, në fshatin Thirrë, Mirditë, duke bllokuar lëvizjen e mjeteve në aksin Milot-Morinë, si dhe kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë, duke mos iu bindur urdhrit të tyre për të zhbllokuar qarkullimin e automjeteve.

Materialet në ngarkim të tyre do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik”, thuhet në njoftimin e policisë.

SHKARKO APP