PS akuzon: Luli, spote publicitare nëpër ekrane

Partia Socialiste ka akuzuar kreun e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Bashën, njëherësh kryetari i PD-­së, se del nëpër ekrane ku prodhon spote publicitare.

Në një dalje publike para mediave, deputetja e majtë, Blerina Gjylameti theksoi se kryebashkiaku flet për çudirat e mrekullitë që kanë ‘mbirë anembanë Tiranës’ gjatë mandatit të tij. “Lulzim Basha ka gjetur një rrugë unike për t’u përballur me dështimet e tij. Edhe pse s’ka mbajtur asnjë premtim, edhe pse mandati i tij ka qenë një dështim dramatik që e përjetojnë sot qytetarët e gjithë Tiranës, Luli ka paturpësinë të dalë nëpër ekrane e të prodhojë spote ku flitet për sukseset, çudirat e mrekullitë që paskan mbirë anembanë Tiranës gjatë mandatit të Lulit. Ka zgjedhur të tallet me qytetarët duke ngulur këmbë se projektet janë aty, por janë qytetarët që nuk i shohin. Sepse Luli duhet të jetë i vetmi kryetar bashkie në botë që ndërton rrugë imagjinare, tramvaje imagjinare, terrene sportive imagjinare, parqe imagjinare.”, citohet në deklaratën e Partisë Socialiste. Më tej, Gjylameti tha se një premtim i pambajtur ishte dhe ai i Kartave të studentit.

“Le të marrim një rast flagrant. Do të aplikohet Karta Studentore Bashkiake me të cilën ofrohet transport falas dhe tarifa të reduktuara për shërbimet, premtoi Luli në 2011. 4 vjet më pas karta e studentit i është bashkuar tramvajit dhe bulevardit të ri si objekt barsoletash e batutash në rrjete sociale. Por jo për Lulin. Premtimi është mbajtur, karta është bërë, por nuk mund të përdoret, thotë Luli. A ka tallje më të madhe me qytetarët? A mund të shitet si arritje një copë kartoni që nuk hyn në punë për asgjë?”, ­tha Gjylameti. Më tej ajo shtoi se: “Komedia e kartës së studentit është në fakt ilustrimi më i qartë i mënyrës sesi i ka trajtuar Luli qytetarët e kryeqytetit. Prandaj jemi të sigurt që në 21 qershor votat e qytetarëve të Tiranës për kandidatin e Lulit do të jenë po aq reale sa karta e studentit me të cilën studentët mund të udhëtojnë sot në tramvajin e Lulit me çmime të reduktuara. Mandatit të Lulzim Bashës i ka ardhur fundi e bashkë me të edhe dështimeve e keqmenaxhimit të kryeqytetit. Në 21 qershor qytetarët e Tiranës do të votojnë që kryeqyteti të kthehet në drejtimin e duhur.”. 

SHKARKO APP