PS: Basha mashtroi me Lanën, PD: Veliaj gënjeu personat me aftësi të kufizuar

Partia Socialiste dhe ajo Demokratike kanë dalë sot para medieve, secila me nga një deputet, për të denoncuar njëra-tjetrën dhe kandidatët kundërshtarë në prag të zgjedhjeve lokale. Deputetja e PD-së, Albana Vokshi lexoi akuzat e forcës së saj politike ndaj kandidatit të majtë për Bashkinë e Tiranës, Erjon Veliaj, ndërsa deputeti i PS-së, Ervin Bushati zgjodhi të sulmojë kreun aktual të bashkisë dhe njëkohësisht kreun e opozitës, Lulzim Basha për premtimet të pambajtura, sipas tij.

PD, Vokshi: Veliaj nuk mbajti asnjë premtim për personat me aftësi të kufizuar      

Partia Demokratike akuzoi kandidatin e majtë për Bashkinë e Tiranës, Erjon Veliaj se vazhdon me mashtrimet e tij. Duke iu referuar premtimeve të Veliaj dha për personat me aftësi të kufizuara, PD ka deklaruar se ish-ministri i Mirëqenies Sociale u ka mohuar të drejtën e pagesës mbi 5 mijë personave nga kjo kategori.   – “Sot jemi këtu për të demaskuar mashtrimet e Erionit. Në vetëm një vit, në 2014-n, plotë 5.153 personave me aftësi të kufizuar, Erioni iu ka mohuar të drejtën e pagesës së invaliditetit dhe më shumë se gjysma e tyre ishin përfitues të mbi 10 viteve në këtë skemë. Vetëm në Tiranë Erioni ka larguar nga skema e invaliditetit mbi 520 përfitues dhe më shumë se gjysma e tyre e gëzonin pagesën e invaliditetit prej më shumë se 10 viteve. Ngjashëm, ai premtoi në 2013-n se legalizimet do të ishin falas për personat me aftësi të kufizuara, se çmimi i energjisë elektrike do të ulej dhe se ai do t’i kompensonte ato plotësisht. Por të gjitha këto premtime rezultuan mashtrime”, ka deklaruar deputetja Albana Vokshi.

Sipas Vokshit, personat me aftësi të kufizuara po përballen me vështirësi të shumta dhe nuk i pranojnë më premtimet boshe të Erion Veliajt, pasi në 2 vite në pushtet ai nuk mbajti asnjë premtim, por vetëm mashtroi. – “Ngjashëm, ai premtoi përmirësim të legjislacionit të personave me aftësi të kufizuar, gjë që do të rezultonte në përmirësim të kushteve dhe të jetesës së tyre. Por sot, pas 2 vitesh në Ministrinë e Mirëqënies, jo vetëm që nuk ka asnjë përmirësim të legjislacionit, por përkundrazi ai është pjesërisht i përkeqësuar dhe pjesa më e madhe është e pezulluar, gjë që rrjedhimisht rezulton në përfitime të pezulluara për shumicën e personave me aftësi të kufizuar”, ka vijuar deputetja e PD.

PS, Bushati: Basha nuk mbajti premtimin me lumin e Lanës

Nga ana tjetër Partia Socialiste akuzon kreun bashkiak të Tiranës, Lulzim Basha se ka lënë pas dore pastrimin e qytetit.  Deputeti i PS-së, Ervin Bushati tha sot se Basha nuk realizoi premtimin e një qyteti të pastër, dhe se ujërat e zeza nuk do të derdheshin më në lumin e Lanës.  -“Premtoi se Tirana do të ishte ndër qytetet më të pastra në Europë dhe ujërat e zeza do të përpunoheshin e nuk do të derdheshin në ujin e Lanës. Në katër vjet nuk ka bërë asgjë në këtë drejtim, as projekt, as projekt ide dhe as studime dhe jo të mendosh për investime. Jo vetëm që nuk e zgjidhi problemin e lumit të Tiranës, po ka lënë dhe Lanën të katandiset në ambient të pisët publik, që bën me turp jo vetëm qytetarët e Tiranës, por çdo shqiptar në sytë e Europës. Qytetarët nuk presin më zgjidhje nga Lulzim Basha dhe tani e kanë të qartë që ai nuk mund të japë as zgjidhje, as ide e as vizion”, deklaroi Bushati.

Bushati më tej shtoi se zgjidhja e këtyre problemeve do të vijë pas 21 qershorit, kur "Tirana do të shkojë në drejtimin e duhur”, duke u shprehur i bindur se kandidatura e Veliajt do të triumfojë ndaj asaj të Halim Kosovës dhe bashkia më e madhe në vend do t’i rikthehet së majtës, pas katër vjetësh

SHKARKO APP