PS: Basha rekordmen dështimesh
Partia Socialiste vijon akuzat ndaj kryetarit të Bashkisë Lulzim Basha, i cili sipas tyre është një rekordmen dështimesh.
Përmes deputetit Ervin Bushati, PS akuzoi Bashën se nuk arriti të mbajë premtimin për krijimin e një fondi special për strehimin e çifteve te reja.
Bushati tha që jo vetëm nuk u mbajt premtimi për krijimin e 1000 apartamenteve të reja, por nuk shpërndan as 400 banesa sociale, që sipas tij Rama i la gati.
Lulzim Basha bën mirë që nuk duket më në Tiranë. Ai nuk ka më ç’tu thotë qytetarëve të kryeqytetit dhe qytetarët e kryeqytetit nuk presin më gjë prej tij.
Asnjë kryebashkiak i këtij kryeqyteti që kur Tirana ka pasur kryebashkiakun e saj të parë nuk ka dështuar si Luli. Asnjë kryebashkiak më parë nuk ka mashtruar si Luli.
Në 2011 premtoi krijimin e një fondi special për strehimin e çifteve te reja dhe 1000 apartamente te reja brenda 4 viteve, vetëm për ta.
Natyrisht, s’ka bërë asgjë. S’ka hedhur asnjë qindarkë në fondin special që vetë e premtoi, dhe nuk ka ndërtuar as edhe një apartament të vetëm. Zero!
Le të dalin zëdhënëset e Lulit dhe tu tregojnë qytetarëve qoftë edhe një çift të ri që Luli e paska ndihmuar të gjejë strehim. Le të dalin e t’u tregojnë qytetarëve qoftë edhe një familje të re që sot ka mundësinë t’i rrisë fëmijët në apartamentin që ua siguroi Luli.
Madje jo vetëm që s’ka ndërtuar gjë vetë e s’ka gjetur asnjë zgjidhje vetë, por ka qenë i paaftë të shpërndajë edhe 400 banesa sociale që ia la gati Edi Rama. I duhej vetëm t’i shpërndante. Kaq. Por edhe kjo ishte përtej aftësive të Lulit.
Luli bën mirë që nuk duket më në Tiranë, por e ka të kotë në qoftë se mendon se qytetarët e Tiranës kanë për të harruar se në çfarë derexheje e ka lënë kryeqytetin. Në 21 qershor qytetarët do t’i tregojnë Lulit se nuk i kanë harruar as mashtrimet, as paaftësinë dhe as dembelizmin e tij. Në 21 qershor qytetarët e Tiranës do të votojnë për drejtimin e duhur.