PS bllokon reformën. Gjiknuri: Diskutojmë për çdo gjë, por nuk heqim dorë nga ndalimi i koalicioneve
Këshilli Politik është mbledhur për të diskutuar për draftin e dorëzuar nga përfaqësuesit e opozitës, për lista 100% të hapura dhe ruajtjen e koalicioneve parazgjedhore.
Për përfaqësuesin e mazhorancës, Damian Gjiknuri, opozita kërkon “sebep” për të mos bërë kompromis mbi ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Ai është i gatshëm për kompromis për çështjet e tjera nëse do të pranojnë formulën e koalicioneve sipas draftit të PS. “Nuk mund të diktohet procesi i reformës nga kërkesat tuaja. Në emailin tuaj më shumë kërkoni sebep për të mos gjetur kompromis dhe kërkoni të imponoheni. Sipas jush, kompromis është vetëm ajo që kërkoni ju. Propozimet tona janë të bazuara në praktikat evropiane dhe nuk është se kemi bërë shpikje. Edhe sa i takon koalicioneve, është pikërisht qëndrim i yni, i bazuar në praktikat evropiane. Kërkesa juaj për ODIHR është për të zvarritur procesin dhe futur në krizë kushtetuese vendin. Unë jam i hapur për kompromis për çështjet e tjera nëse ju deklaroni se do të pranoni formatin e koalicioneve sipas shembujve evropian, shembuj që disa në fakt i keni dhënë dhe këtu”,- tha Gjiknuri.
Ai shtoi se nuk pranojmë të na diktohet konsensusi me kërkesa vetëm të njërës palë. “Që të mbahet peng gjithçka vetëm nga formulimi për koalicionet, kjo është taktikë e juaja për të çuar në pengimin e zbatimit të Kushtetutës. Oferta jone është të pranojmë formulën e koalicioneve sipas shembujve të vendeve evropiane me sisteme proporcionale rajonale me lista të hapura. Me pas për çështjen e listave dhe pragut hajdeni të diskutojmë. Ne i qëndrojmë propozimit tonë për listat, por megjithatë hajdeni të ulemi dhe të punojmë për të gjetur kompromis. Tentativa që konsensusi të quhet imponim vetëm i njërës pale është i papranueshëm për mazhorancën”,-tha Gjiknuri.
https://arkiva.kohajone.com/bylykbashi-ps-refuzon-ti-drejtohet-odihr-po-shkaterron-konsensusin/