PS dhe PD bien dakord për Komisionin Hetimor për zgjedhjet e 25 prillit, LSI shfaq pakënaqësi
Më në fund u arrit dakordësia për Komisionin Hetimor për zgjedhjet e 25 prillit. Kjo pasi është miratuar rregullorja e Komisionit dhe është zgjedhur sekretar i Komisionit deputeti i PS-së Klevis Xhoxhi. Deputeti Petro Koçi propozoi që të ndryshohej togfjalëshi “vazhdim i miratimit të rregullores” me togfjalëshin “shqyrtim i miratimit të rregullores”. Ky propozim, pati edhe miratimin e menjëhershëm nga anëtarët e PD-së, por në këtë moment ndërhyri përfaqësuesi i LSI-së, Petrit Vasili, i cili tha se mbledhja e sotme nuk mund të jetë kurrsesi një mbledhje shqyrtimi të rregullores, por vazhdim i asaj që është miratuar më përpara.
Pjesë nga debati
Enkelejd Alibeaj: Jeni dakord me propozimin e zotit Koçi për të zëvendësuar fjalën vazhdim me fjalën shqyrtim! Po miratohet.
Petrit Vasili: Ore të bëj një pyetje. Që t’i kemi të qarta edhe miratimi në parim nuk qëndron, po apo jo? Ky është moment për t’u sqaruar, se këtu u bë pazari i gjësë. Nëse është votuar në parim ky është vazhdim, nëse ka rënë dhe ai votim në parim unë po ngrihem po iki, në kuptimin e mirë të fjalës.
Enkelejd Alibeaj: Ka qenë votimi në parim, ka qenë unanim, por votimi nen për nen nuk shkoi deri në fund. Për ta zgjidhur ngërçin unë kam bërë një gjest kalorsiak që duhet të bëjë gjithsecili.
Petrit Vasili: Ore Një minutë. Ore nuk jemi këtu ne për të akomoduar psikopatira. Ne po themi që votim në parim dhe katër nene kanë pasur dakordësi, atëherë ecim më tutje. Keni frikë nga kjo?