PS: E vetmja punë e Bashës si kryebashkiak, dhënia e pagave për punonjësit e bashkisë

 

Partia Socialiste vijon të akuzojë Kryebashkiakun në detyrë Lulzim Basha për mos mbajtjen e premtimeve dhe shmangien nga gara për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet vendore të 21 Qershorit

Deputeti socialist Artan Gaçi tha se Lulzim Basha u bëri qytetarëve një mal me premtime kur u emërua Kryetar i Bashkisë së Tiranës, por  katër vjet më pas ai po i ikën si ndonjë frikacak përballjes me qytetarët për bilancin e këtyre premtimeve. Sipas Gacit, kjo po ndodh sepse në 4 vjet e vetmja punë që ka bërë Luli ka qenë të paguajë rrogat e stafit të bashkisë.

"Premtoi se qytetarët do të ecin në trotuare cilësorë e të rehabilituar. Premtoi se trotuaret do të çlirohen nga zëniet abuzive. Dhe natyrisht nuk mbajti as njërin e as tjetrin premtim.

Gropat dhe pllakat e thyera tek të cilat s’vë dorë njeri prej vitesh, shitësit ambulantë që janë fanepsur në çdo cep e qoshe, tavolinat e lokaleve që kanë mbirë kudo duke zënë hapësirat publike me bekimin korruptiv të Bashkisë Tiranë, e kanë kthyer lëvizjen nëpër trotuarë në një sfidë të vërtetë për çdo qytetar.

Partia Demokratike del përditë e na thotë se Luli është çun me vizion, se ka menduar për tramin dhe bulevardin e ri. Por ja që vizioni i Lulit nuk arrika dot as deri tek mirëmbajtja e trotuareve. Në 4 vite duke parë vizione me tram, Luli ia doli t’u vështirësojë qytetarëve edhe ecjen në këmbë.

Detyra e një kryetari bashkie është ta bëjë qytetin të jetueshëm për banorët e tij. Të garantojë që qytetari është në qendër të çdo vendimmarrje e çdo pune. Të bëjë më të lehtë e më cilësore jetën e çdo banori të bashkisë që drejton", tha Gaçi.

SHKARKO APP