PS fiton 5 bashki, ”Shtëpia e Lirisë” merr Shkodrën. Celibashi: S’ka denoncime për shitblerjen e votës

Pasi u numëruan edhe kutitë e fundit për bashkinë e Shkodrës, kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi doli në një konferencë për mediat ku dha një pasqyrim për mënyrën sesi  shkoi procesi i votimit në zgjedhjet e pjesshme lokale që u mbajtën më 6 mars, në 6 bashkitë e fundit.

Partia Socialiste fitoi në 5 bashki: Dibër, Durrës, Rrogozhinë, Vorë dhe Lushnje. Kurse koalicioni ”Shtëpia e Lirisë” fitoi vetëm në Shkodër, kurse Partia Demokratike mori një rezultat të dobët, duke u renditur si forcë e tretë.

”Sikurse e dini në Vorë, votimi u zhvillua nëpërmjet pajisjeve elektronike, nga verifikimet që KQZ ka bërë, mund të thuhet me bindje se ky proces është realizuar me sukses të plotë.

Vetëm në 3 qendra votimi të bashkisë Shkodër nuk u zhvillua votimi për shkak të moshapjes së qendrave të votimit, për shkak të kushteve ekstreme. Për komisionerët e këtyre qendrave të votimit nuk ishte e mundur që të paraqiteshin në detyrë. Në ditën e votimit nuk ka pasur denoncime në KQZ.

Në komunikimet që ne kemi patur, kemi patur disa shqetësime në lidhje me votimin familjar apo dhe problematika të karakterit organizativ, të paktën për KQZ nuk rezulton të ketë patur denoncime në lidhje me shitblerjen e votës. Megjithatë këto mbeten për t’u parë në ditët në vijim”.

SHKARKO APP